Salianji: S’ka negociata, Rama po bllokon vettingun e politikanëve

Deputeti i PD-së Ervin Salianji, njëkohësisht koordinator i grupeve të punës të ngritura nga opozita për vettingun në politikë deklaroi sot se kryeministri Edi Rama dhe PS nuk e duan vettingun dhe po e refuzojnë. Sipas tij vettingu në politikë ecën paralelisht me vettingun në drejtësi dhe nuk e shmang. Deputeti i PD tha se nuk ka negociata maxhorancë-opozitë.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=TZ8GMZVtFBY]
“Është e qartë që pas depozitimit të projektligjit për ndryshime kushtetuese për të bërë të mundur vettingun e politikanëve Rama dhe PS po e refuzon vettingun. Ne e kemi depozituar në parlament një projektligj që mundëson ndryshimet kushtetuese për të larguar të gjithë funksionarëvee lartë që kanë lidhje me krimin duke nisur nga drejtuesit e institucioneve kushtetuese, kryeministri, deputetët, kryetarët e bashkive dhe çdo drejtues tjetër.
Propaganda që bëhet nga PS dhe Rama është për t’iu shmangur vettingut të politikanëve. Vettingu është një proces paralel që ecën bashkë me hetimin nga drejtësia, nuk e shmang vettingu i politikanëve, hetimin nga drejtësia, përkundrazi e përshpejton, e ndihmon dhe largon personat e lidhur me krimin nga institucionet publike. Edhe sot nuk ndalohet që SPAK-u apo prokuroria e sotme të hetojë familjarë të personave, politikanë apo funksionarë publik qofshin këta por e pengon vullneti politik i kryeministrit dhe i një drejtësie të kapur për fyti nga kryeministri. Ne jemi duke e detajuar në mënyrë të plotë të gjithë platformën tonë për largimin e personave të inkriminuar”, deklaroi Salianji.

Ai tha se “është e qartë deri më sot që Edi Rama nuk e do vettingun dhe refuzon ta votojë propozimin tonë të depozituar në Kuvend”.

“Nëse do të kishte vullnet politik dhe një prej ideve që u propozua në diskutimin sot në grupin e punës është që ne mund të gjejmë çdo hapësirë procedurale për ta votuar sa më shpejt dhe për ta kaluar sa më shpejt në të gjitha komisionet kuvendore apo dhe në seancë parlamentare për ta votuar thjesht. Po ose jo do vetting për politikanët e lidhur me krimin apo nuk do. Sot diskutimi është i thjeshtë. Nuk mund të flasim për teknikalitete pa u shprehur po ose jo”.

I pyetur se cili do të jetë organi që mund të bëjë vettingun e politikanëve kur opozita nuk ka besim tek institucionet, Salianji tha se çdo gjë vjen me ndryshimet kushtetuese.
“Do bëhet hap pas hapi. Ne kemi një plan të detajuar që do iu bëhet i qartë sapo qeveria të shprehet e do apo jo vettingun. Ne kemi depozituar një projektligj që i parashikon të gjitha ndryshimet kushtetuese për të bërë vettingun e politikanëve. I gjithë procesi i vettingut do të nisë edhe nga drejtuesit e institucioneve publike. Ne edhe sot nuk kemi besim në këto institucione, mekanizmi është i përcaktuar në ndryshimet kushtetuese.
Vendimi ynë i sotëm është që ne do të pranojmë apo diskutojmë çdo lloj hapi për të përshpejtuar në kuvend projektligjin”, deklaroi deputeti demokrat.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne