Salillari fiton koncesionin për Terminalin e pasagjerëve në Tiranë

Agjencia e Prokurimit Publik shpalli fitues bashkimin e kompanive SALILLARI” sh.p.k. & “HELLAS SERVIS” sh.p.k. & ANALYSIS COMPUTER & SERVIS SA & “Klodioda” për ndërtimin me koncesion partneritet publik-privat të Terminalit të Transportit Publik në Tiranë.

Periudha e koncesionit do të jetë prej 33 vjet dhe kompania Salillari ka paraqitur një tarifë koncesioni prej 2% dhe një zbritje në tarifat e terminalit, prej 50%.

Kompania fituese ka paraqitur në ofertën e saj një ndarje fitimi 5% dje dhe një periudhë ndërtimi të terminalit, prej 510 ditësh. Janë skualifikuar ofertuesit “Ali Hyko” sh.p.k. dhe bashkimi i operatorëve ekonomik BITUPAVE LLC & “ALBA-TRANS” sh.p.k. & ATELIER sh.p.k. & AGRI CONSTRUKSION sh.p.k. u skualifikia nga gara.

Terminali do të jetë i vendosur në një sipërfaqe 85,000 metra katrorë përgjatë Autostradës Tiranë-Durrës dhe vlera e investimit parashikohet 15,5 milionë euro.

Bashkia e Tiranës i ka ftuar Operatorët Ekonomikë në një procedurë ndërkombëtare tenderimi për Partneritetin Publik Privat, për hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të Terminalit të Ri dhe mirëmbajtjen, si dhe menaxhimin e mëvonshëm.

Bashkia e Tiranës sqaron se autoriteti kontraktor do të marrë parasysh vetëm ofertat e atyre tenderuesve apo konsorciumet e tenderuesve, të cilët kanë kaluar kufijtë minimalë, të përcaktuara në kriteret e kualifikimit.

Gjatë ndërtimit të terminalit, Bashkia e Tiranës bën me dije se ka si objektiv përmirësimin e lëvizshmërisë së përgjithshme, duke siguruar një terminal me kapacitet të plotë transporti, ku autobusët ndërqytetës do të shkarkojnë pasagjerë për në autobusë urbanë dhe taksi përgjatë korridorit kryesor të qytetit në pjesën veriore, perëndimore dhe jugore të vendit, duke zvogëluar kështu bllokimet e trafikut në qendër të qytetit, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe reduktimin e konsumit të karburantit për transport publik.

Autoriteti Kontraktor do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë, vendosur përgjatë korridorit kryesor që çon në veriperëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit, truall i cili do t’i kontraktohet në baza afatgjatë ofertuesit fitues për të ndërtuar, për të operuar dhe për të ruajtur terminalin për të mirën e operatorëve dhe udhëtarëve.

Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga kompania që do të fitojë garën për ndërtimin e terminalit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne