Salvini premton pastrimin e Italisë nga emigrantët

Matteo Salvini, kreu i Lega Nord në Itali  kërcënon se do të dëbojë gjysmë milion refugjatë dhe emigrantë nga vendi i tij nëse do të bëhet kryeministër.

“Ka rreth gjysmë milioni emigrantë të parregullt në Itali. Të gjithë ata duhet të kthehe mbrapsht”-deklaroi Salvini për gazetën La Repubblica, ndërsa Kisha Katolike u ka bërë thirrje partive politike të mos e bazojnë fushatën e tyre zgjedhore mbi emigracionin.

Por Salvini refuzon etiketimin “ksenofobë” për partinë e tij dhe këmbëngul se  me trajtimin “e problemit të emigrantëve të paligjshëm po përpiqet të parandalojë rritjen e racizmit”

“I vetmi antidot ndaj racizmit është kontrolli, imponimi i rregullave dhe kufizimi i imigracionit. Ekzistojnë miliona italianë në vështirësi financiare. Italianët nuk janë racist, por emigracioni i pakontrolluar sjell me vete reaksione të pakontrolluara. Ne duam ta parandalojmë këtë”-tha ai. Lega Nord është një prej partive nacionaliste që nënshkroi aleancë elektorale me Forzza Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi dhe partinë  Fratelli D ‘Italia në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 4 Marsit.

81-vjeçari, Silvio Berlusconi dhe 44 vjeçari Matteo Salvini ende nuk po bien dakord mbi emrin e kryeministrit, në rast të fitoreje. Kreu i Lega Nord pretendon postin e kryeministrit nëse partia e tij tejkalon në vota Forza Italia, ndërsa Berlusconi e projekton për Ministrinë e Brendshme. Aleanca e qendrës kryeson në sondazhe me rreth 36% të votave, një përqindje që nuk është e mjaftueshme për t’i siguruar koalicionit një shumicë absolute në parlament.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne