SAMI FRASHËRI / PËRHAPJA E ISLAMIT

SAMI FRASHËRI

PËRHAPJA E ISLAMIT

Shkup,

1415/1994

Biblioteka Historia

 

Titulli i origjinalit:

HIMMETUL-HIMAM FI NESHRIL-ISLAM

(Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit)

Botuar nga: Mihrani, Stamboll, 1302 h.

Përktheu nga gj. Arabe

Miftar Ajdini

SAMI FRASHËRI

PËRHAPJA E ISLAMIT

PËRHAPJA E ISLAMIT

HYRJE

Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i qoftë All-llahut xh.sh. i cili ka thënë: “Te Zoti fe (e vërteta dhe e pranuar) është vetëm Islami” (Kur’ani, III:19), përshëndetja, paqja e shpëtimi (i All-llahut) qofshin mbi zotëriun tonë Muhammedin, njeriun më të mirë, mbi familjen dhe shokët e tij të spikatur dhe mbi ata që i udhëhoqën muslimanët pas tyre; halifët, udhëheqësit dhe dijetarët e mëdhenj, të cilët fenë e Zotit e sollën në viset e botës dhe i përhapën dritat e saj me shpatë e penë, e kështu u largua errësira e mosbesimit nga popujt; posaçërisht mbi atë që tash është udhëheqës i besimtarëve (emiri-l-mu’minin) dhe mbrojtës i tyre në Perëndim dhe në Lindje. Lumturia e tij ende vazhdon pandërprerë, halifi i kohës, krenaria e osmanlinjve, sulltani Abdu-l-Hamid Hani, i biri i sulltan Abdu-l-Mexhid Hanit. O Zot, ruaje se ai është ndihmë e Islamit në çdo gjendje dhe kohë, e Ti (o All-llah) je fatprurës dhe të kërkojmë ndihmë!

Robi i ngratë i nevojshëm për mëshirën e All-llahut të tij të fuqishëm, Shemsudin SAMI FRASHËRI thotë:

Përse e shkrova në gjuhën arabe?

Pasi që gjuha arabe është gjuhë e përgjithshme për të gjithë muslimanët dhe gjuhë e përbashkët shkencore midis dijetarëve unik, pata dëshirë që këtë traktat të shkurtër ta shkruaj në këtë gjuhë, përkundër përvojës sime të vogël në te, për arsye të shoqërimit tim me gjuhën turke. Andaj kërkoj ndjesë nga lexuesit e ndershëm për gabimet e ndodhura dhe eventualisht për ndonjë lëshim me harresë, sepse unë nuk kam synuar demonstrimin e diturisë e as shfaqjen e aftësive, por qëllimi im është që dobia e saj të jetë e përgjithshme, për të gjithë vëllezërit tonë të fesë.

Dije, All-llahu të shpëtoftë, se në këtë traktat hulumtohet mënyra e përhapjes së Islamit nëpër krahina, gjendja e popujve islamë, vendeve në të cilat popujt e tyre herët e vonë e pranuan Islamin, e dobia e saj është e qartë, kurse domosdoshmëria për secilin besimtar është e dukshme.

PËRHAPJA E ISLAMIT

S’do mend se paraqitja e Islamit ka ndodhur tek arabët, pasi që i Dërguari ynë (paqja e shpëtimi qoftë mbi te!), ka qenë arab dhe Kur’ani është shpallur në gjuhën arabe.

Arabët në xhahilijet kanë qenë të shtrirë në fise të shpërndara pa unitet as pajtim ndërmjet vete. Secili fis, fliste gjuhë të veçantë dhe ndërmjet tyre vazhdimisht zhvillohej luftë dhe grindje.

Me paraqitjen e Islamit, u bashkuan të gjithë dhe u bënë një popull (ummet). Edhe Kur’ani zbriti në gjuhën e tyre më të rrjedhshme, duke i zhvlerësuar të tjerat.

Islami mbeti i izoluar në Siujdhesën Arabe vetëm gjer në hilafetin e Omer el-Hattabit, All-llahu qoftë i kënaqur me te! Më parë, arabët u kënaqën me shkretëtirë, tenda dhe deve. Nuk patën rast më parë ta sundonin ndonjë popull apo vend. Pasi që u bashkuan dhe u ndriçuan mendjet e tyre me mësimet e Islamit, u erdhi fuqi e re dhe entuziazëm shpirtëror, saqë iu duk e ngushtë Siujdhesa Arabe. Dolën prej saj duke marrë Shamin, Irakun, Persinë dhe Horasanin e pastaj Egjiptin dhe Afrikën. Atëbotë, në secilin nga këtë vende, kishte kombe dhe popuj të ndryshëm si: sirianët, keltët, persianët, koptët dhe berberët. Të gjitha këto u asimiluan për një kohë të shkurtër, u bënë arabë të arabizuar, përveç banorëve të Persisë dhe Horasanit. Banorët e këtyre dy pjesëve mbetën persianë. Mirëpo, pasi u islamizuan për gjuhë të tyre letrare e morën gjuhën arabe dhe filluan të lexojnë e të shkruajnë arabisht.

Çlirimet dhe përhapja e Islamit, u vonuan për një kohë për shkak të mospajtimeve që ndodhën ndërmjet Aliut r.a. e Muaviut dhe tragjedisë në Kerbela, gjersa ndodhi udhëtimi në Afrikën Perëndimore dhe u çliruan vendet sot të njohura me emrin Tunizia, Algjeria dhe Maroku nga ana e guvernatorëve të shtetit Emevij Më vonë Musa Ibn Nusajri dhe Tariku kaluan në pjesën evropiane duke e marrë Andaluzinë. Ajo është një pjesë e madhe që i përfshin sot dy shtete: Spanjën dhe Portugalinë. Asaj ia bashkangjitën edhe gjysmën e mbretërisë franceze. I çliruan edhe shumicën e ujdhesave të detit Romak si Qipron, Kretën, Sicilinë e tjera.

Vendet muslimane atëbotë po ashtu u zgjeruan edhe nga Lindja, kështu që u çlirua Transaksonia, Havarezmi, vendbanimet e turqve, tatarëve dhe rrethi i Heratit, Kabulit, dhe Kelatit gjer te kufijtë e Indisë dhe Kinës.

Pastaj u paraqit sulltan Mahmud es-Sebuktegini, shkoi në Indi, ku ia bashkon shteteve islame edhe shumë vende.

Njerëzimi përfitoi nga ndalimi i rrethanave të çuditshme të adeteve të mosbesimit (kufrit) si është djegia e femrave të gjalla me rastin e vdekjes së burrave të tyre.

Kështu u përfunduan çlirimet muslimane të qindvjetëshit të parë.

PËRHAPJA E ISLAMIT PAS QINDVJETËSHIT TË PARË

Pas rënies së Emivijve, hilafeti u nda në dy pjesë: hilafeti i Lindjes apo shteti Abbasij dhe pushteti i Magrebit apo shteti Emevij, i cili u themelua në Andaluzi.

Muslimanët sundonin dhe qeverisnin të pavarur në të gjitha vendet që nga skaji i Lindjes gjer në Skaj të Perëndimit, d.m.th. prej kufirit të Kinës dhe Transaksonisë gjer në Oqeanin Atlantik dhe gjysmën e Francës. Gjuha arabe ishte e përhapur nëpër të gjitha këto vende të cilat janë afër dy të tretat e vendeve të banuara, të njohura që nga lashtësia.

Muslimanët, pasi i mbaruan çlirimet dhe pushtimet filluan të merren me shkencë, mjeshtri dhe prodhimtari. Ata nuk u kufizuan vetëm në shkencat fetare si: në tefsir, hadith, fikh e as në shkencat letrare, po aftësitë e tyre, po ashtu, i orientuan në shkencat racionale duke ndjekur, kështu, thënien: “Kërkoni diturinë qoftë edhe në Kinë”. (Hadith). Filluan t’i tubojnë veprat e mendimtarëve grekë, indianë dhe persianë dhe t’i përkthejnë në arabishte. U hapën shkolla, akademi të mëdha në Bagdad, Egjipt, Buharë, Kordobë dhe në të gjitha qendrat dhe metropolat. Studentët nga të gjitha anët ua mësynin këtyre shkollave për t’i studiuar shkencat tradicionale dhe racionale. Kështu që, nga mesi i muslimanëve dolën shkencëtarë dhe filozofë të cilët kanë bërë garë me filozofët e vjetër grekë, madje i tejkalonin në çdo art si: në filozofi, në medicinë, në astronomi, në shkencat matematikore dhe natyrore.

Është e njohur se numri i shkencëtarëve dhe i filozofëve muslimanë të cilët shkruan në këto arte dhe numri i veprave të tyre as që mund të llogaritën dhe të numrohen në këtë traktat. Kurse shkencëtarët që u morën me histori, me shkencat letrare, me fikh dhe me shkencat fetare, janë aq shumë saqë nuk mund të numrohen.

E këtillë ishte gjendja e Islamit në kohën e dy qeverive apo Abasijve në Lindje dhe Emevijve në Perëndim. Kjo gjendje zgjati rreth gjashtë shekuj. Atëbotë shkencat, njohuritë, prodhimtaritë, tregtia dhe qytetërimi ishin kryesisht në pronësi të Islamit dhe në duar të muslimanëve.

DEKADENCA E MUSLIMANËVE

Të dy shtetet pastaj i kaploi dobësia dhe rraskapitja. Te njerëzit e të dy shteteve mbretëroi mospasja. Ata u sulmuan nga armiqtë pa besim, mongolët nga Lindja dhe evropianët nga Perëndimi, të cilët shkatërruan, prishën, mbytën dhe dogjën, saqë nga veprat e muslimanëve nuk mbeti veçse pak. Këta ishin popuj të egër, barbarë, Ushtarët e Xhinkiz Hanit derdhën gjakun e burrave, grave dhe fëmijëve muslimanë, pa të drejtë e pa arsye. Ata shkatërruan çdo gjë që gjetën para tyre; zhdukën çdo gjë: njerëzit, librat dhe shkollat.

Sa u përket evropianëve, atëherë ata ishin në injorancën më të thellë. Ata ushqenin një fanatizëm dhe urrejtje të madhe ndaj muslimanëve. Ata nuk u kënaqën me rrëzimin e shtetit të muslimanëve në Andaluzi, por fretërit e tyre themeluan gjyqe dhe nxirrnin prej tyre djallin. Muslimanët që nuk tregonin respekt ndaj tyre, filluan t’i gjykojnë me djegie. Kështu, një shumicë e këtyre të gjorëve u krishterizuan që ta shpëtonin veten, mirëpo ata (prapëseprapë) u dogjën ose u mbytën me urdhrin e fretërve (edhe) pasi u krishterizuan. Në tërë Andaluzinë, nuk mbeti asnjë musliman.

Në këtë mënyrë Islamit i humbi Andaluzia, Spanja, Portugalia, gjysma e Francës, Sicilia dhe gjysma e Italisë.

Nuk u mjaftuan evropianëve këto krime tragjike, por u tubuan nga të gjitha anët e Evropës, nën flamurin e Kryqit, dhe disa herë atakuan në vendet islame. Mirëpo ndonëse ia dolën t’i dëbojnë muslimanët nga Evropa, ata nuk ia dolën të bëjnë asgjë në trevat e Azisë dhe në ato të Afrikës.

Kjo, vepra e tyre, mbeti turp i madh që do ta përkujtojë historia gjer në ditën e kijametit. Sepse, kur muslimanët e çliruan Andaluzinë, në te vepruan mirësisht, gjykuan me drejtësi e bamirësi. Kjo është dëshmi sipas dëshmimit të historianëve të tyre.

Sa i përket popullit mongol, ata kishin armiqësi të veçantë ndaj muslimanëve, por gjakderdhja për ta ishte punë shumë e lehtë dhe kënaqeshin me te.

Pasi pushuan nga pushtimi, e erdhi radha për qeverisje e udhëheqje, mësuan që janë të paaftë për ta udhëhequr një popull më të ngritur se ata në çdo pikëpamje, andaj me atë rast, ministrat dhe guvernatorët e tyre i zgjodhën nga radhët e muslimanëve. Shumica prej tyre e pranuan Islamin. Shumë prej tyre janë përpjekur edhe në përhapjen e Islamit ndër viset e Indisë, vendet e tatarëve dhe mongolëve gjer në Kinë.

Kështu, muslimanët i goditi një mjerim i madh nga ana e evropianëve dhe mongolëve. Po ashtu nga kjo, muslimanët edhe e trashëguan një humbje të madhe që shprehej në dy segmente: njëri material dhe tjetri kulturor.

Sa i përket dëmit material, ai është dalja e Andaluzisë dhe pjesëve të tjera të Evropës nga duart e muslimanëve.

Ndërsa dëmi kulturor është zhdukja e shkencave, njohurive dhe krijimeve islame, sepse sulmet e të pafeve dhe pushtimi i tokave islame nga ana e popujve barbarë zgjati një kohë të gjatë. Atëbotë, injoranca kishte kapluar çdo vend të botës. Luftërat vinin njëra pas tjetrës dhe toka ishte bërë brumë dheu e gjaku.

Pra, u mbytën dijetarët, u rrënuan shkollat, u dogjën librat; çdo njeri filloi të merret me shpatë e luftë, u la shkenca dhe krijimi, shtetet i humbën metropolat e tyre, e qytetet banorët e tyre. Kështu mbeten vendet porsi gërmadha, kurse mbi to shihen vetëm eshtra.

Vendet që mbetën në dorë të muslimanëve ishin të ndara në shtete të vogla. Në çdo pjesë kishte guvernatorë të cilët luftonin njëri tjetrin duke derdhur gjakun e vëllezërve të tyre.

Kushdo që i vërejti muslimanët në këtë gjendje, ka menduar se Islami së shpejti do të zhduket, mirëpo e vërteta ngadhënjen dhe nuk humbet; edhe Dielli ndonjëherë mbulohet nga retë por nuk zhduket kurrë.

Ngadhënjyesit ndaj muslimanëve u bënë të ngadhënjyer nga Islami; edhe pse muslimanëve u dolën nga dora disa vende në Perëndim si Andaluzia dhe Sicilia, ata fituan dyfish nga kjo në Indi, në Kinë, në ujdhesat e Paqësorit, në vendet zezake në Afrikë, në tokat sllave gjer te ujdhesa e Krimesë. Sunduesit e selxhukëve, që ishin nga turqit, e çliruan shumicën e tokave romake.

PARAQITJA E SHTETIT OSMAN

Mirëpo, muslimanët në këtë kohë kishin nevojë për një personalitet madhështor dhe të fortë që do t’i mbronte nga invadimi i armiqve dhe do t’i siguronte nga trazirat e brendshme.

Kjo dëshirë u sendërtua me paraqitjen e shtetit Osman. Njerëzit e këtij shteti shquheshin me trimëri dhe konsekuencë fetare, ishin ithtarë të drejtësisë dhe objektivitetit. Nuk bënin krime as gjakderdhje pa arsye, siç patën vepruar shumica e qarqeve sunduese. Lodhjet e luftës dhe vështirësitë e rrugës i përballuan vetëm për përhapjen e Islamit, për mbrojtjen e muslimanëve dhe madhërimin e fjalës së All-llahut. Shpresa e tyre ishte e kulluar. Qëllimi i veprave të tyre ishte fitimi i kënaqësisë së All-llahut, duke u sjellur dobi muslimanëve. Dhe, atyre u erdhi ndihma e All-llahut; i kaliti ata në luftëra, iu përveshën seriozisht punës e ixhtihaditdhe çliruan BIzantin d.m.th. vendet e Anadollit në terësi, brenda një kohe të shkurtër e kaluan detin dhe shkelën në tokën e Evropës. E çliruan vendin e njohur të Rumelisë. I pushtuan bullgarët, serbët dhe shqiptarët. E morën shtetin grek. Pastaj e çliruan Stambollin (qytet madhështor) dhe e bënë kryeqytet të sulltanatit të tyre gjer më tash.

Gjithashtu, para Islamit u hapën vende të reja e të gjëra. Mirëpo, mbretëritë e vjetra ishin të ndara në shtete të vogla të paafta për mbrojtje, por të afta për trazira e konflikte, andaj u ndie nevoja për shtetin Osman që ta rishqyrtojë gjendjen prej Evropës gjer në Azi. Sulltanët osmanlij i pushtuan për një kohë luftimet që t’i bashkojnë vendet islame nën flamurin e tyre. Kështu që, e morën Shamin dhe Irakun, pastaj, sulltan Selimi shkoi në Egjipt dhe e pranoi emanetin e hilafetit nga dora e halifit i cili n’atë kohë nuk ishte i aftë për asgjë dhe nuk ishte halif përveç se me emër.

BASHKIMI I HILAFETIT DHE SULLTANATIT

Kështu u bashkuan hilafeti dhe sulltanati në dorë të atij i cili është i denjë për to. Ky i hapi Islamit rol të ri. Sikur iu kthye roli fatlum të cilin e pamë në kohën e Omer Ibni El-Hattabit dhe në hilafetin e Emevijve dhe Abasijve. U gëzuan zemrat e muslimanëve dhe u arrit gëzimi pas dëshprimit.

Pastaj shikimi sërish u orientua në drejtim të Evropës. Kështu u çliruan tokat e Hungarisë, Transilvanisë, Besarabisë e të tjera prej vendeve të banuara. Më vonë nën patronazhin e shtetit Osman hynë edhe principatat e Krimesë, Kabxhikut dhe principatat tjera tartare.

Kur doli në skenë admirali Hajrudin, i njohur me ofiqin “Barbaros”, ua bashkoi teritoreve osmane shumicën e viseve berbere si: Berka Tarablusi (tripoli perëndimor), Tunizia dhe Algjeria. Kështu shteti i theksuar krijoi një flotë të fortë detare. Kjo forcë ishte e barabartë me forcat e tij tokësore.

Kjo ndodhi në kohën e Sulltan Sulejman Hanit, bir i Sulltan Selim Hanit.. Në atë kohë shteti Osman e pat arritur kulminacionin e vet. Të gjitha shtetet e Evropës ia kishin frikën fuqisë së tij. Nuk kishte asnjë shtet në botë që barazohej me të përkah forca, e as përkah shkenca e qytetërimi, sepse në atë kohë evropianët ishin shumë larg nga qytetërimi të cilin e shohim sot te ta.

VENDET ISLAME JASHTË
SHTETIT OSMAN

Sa u përket vendeve islame që nuk i përfshinte shteti Osman, në Afrikë ishin: Maroku ose Fesi, Merakeshi dhe vendet zezake si Sudani, Zanzibari e tjera. Kurse në Azi ishin më shumë, sepse Irani (d.mth. Persia, Horasnai dhe Iraku i axhemëve), Afganistani (d.m.th. brigjet e Heratit, Kabuli, Kandahari dhe Kelati), vendet e Turanit ose Turkestanit d.m.th. Havarezmit, Transaksonisë, Hata’së, mbarë vendet e tartarëve, India dhe Sindi nuk ishin nën shtetin osman edhe pse ishin vende islame. Përkundër përpjekjeve të disa sunduesve si Sulltan Selim Hani, shteti Osman nuk mundi të zgjerohet në Azinë Qendrore.

Kur u forcuan dhe u rritën popujt e Evropës, në vendet evropiane u paraqitën shtete të krishtera me forca të mëdha. Nuk mund të fshihej fakti se synimi i parë i të krishterëve ishte revanshimi dhe fitorja kundër muslimanëve. Mirëpo, nuk arritën më shumë sesa të marrin prap disa vende nga ato krishtere të cilat i patën pushtuar më parë muslimanët, si p.sh. Hungarinë, Besarabinë dhe Transilavninë. Mirëpo në duart e të krishterëve ranë edhe Krimi dhe Kabxhiku në Evropë dhe Algjeria në Afrikë. Këto dy mbretëri ishin nën patronatin e shtetit Osman, por jo edhe nën administrimin e tij, andaj kjo le të jetë mësim për atë që e pranon.

PËRHAPJA E ISLAMIT VETVETIU

Gjer këtu ne dëshiruam t’i theksojmë çlirimet islame dhe shtetet të cilat u angazhuan në përhapjen e fesë dhe në mbrojtjen e muslimanëve. E përmendëm globalisht se si është përhapur feja e qartë në vise të ndryshme të botës me pushtime. Mirëpo, në përhapjen e Islamit është me rëndësi edhe një mënyrë tjetër. Atë nuk e përmendën historianët, e ajo është përhapja e fesë vetvetiu pa pushtim, pa shpatë dhe pa ushtarë. Kjo edhe nëse nuk është më e madhe se mënyra e parë pothuaj është e barabartë. Sepse, sot shohim se të gjithë afrikanët edhe përtej meridianit ekuatorial dhe shumica e banorëve të ujdhesave paqësore, pastaj shumica e kinezëve e sidomos grekët janë muslimanë. Ne e dijmë se këto vende të largëta nuk u pushtuan kurrnjëherë nga shteti islam. E është e qartë se banorët e tyre e pranuan Islamin me vetëdëshirë, me frymëzim nga All-llahu i madhërishëm apo se sugjerim nga ana e udhëpërshkruesve dhe tregtarëve.

Përhapja e Islamit me pushtime u ndërpre që nga sundimi i Sulltan Sulejmanit, ndërsa përhapja e tij në mënyrën e dytë, sot po ndodh më tepër sesa më parë. Ky është argument i qartë dhe dëshmi e prerë që mbrojtës i vërtetë i Islamit është All-llahu i madhëruar dhe shenjtëria e të Dërguarit të Tij alejhisselam. All-llahu, krijon shkakun që në çdo kohë ta përhapë fenë ndër robërit e Tij, e shkaku më i suksesshëm për këtë kohë është sugjerimi dhe komunikimi (telkin e teblig). Ai që sot dëshiron të bëjë xhihad, le t’i zgjedhë vështirësitë e udhëtimit dhe le të udhëtojë në vendet e largëta.

Edhe në këtë xhihad, ka luftëtarë dhe shehidë, siç ishte rasti në xhihadin me luftë. Sepse ai që udhëton në vende të largëta dhe në vise të panjohura nuk mund të korr sukses lehtë në përhapjen e Islamit. Ai është luftëtar i përhapjes së fesë. E nëse vdes i panjohur ose mbytet, atëherë, ky është dëshmor (shehid). Në të dy rastet do të jetë i lumtur në dy botët dhe do të ketë shpërblim tek All-llahu.

Xhihadi i këtillë ka ndodhur në çdo kohë, e ndoshta po ndodh në kohën tonë më tepër se ç’ndodhi në të kaluarën, sepse po shohim se feja jonë e qartë për çdo ditë po zgjerohet e po përhapet në pjesët e largëta të kontinenteve të Azisë dhe të Afrikës. Shpesh ndodh që të pranojë Islamin një popull i tërë për një ditë.

Ka mjaft vende islame që ende janë të panjohura për neve dhe për njerëzit e tjerë.

Nga ana e evropianëve janë bërë udhëtime në vende të panjohura të Afrikës Jugore, në Kinë dhe në ujdhesat e Paqësorit ku më parë mendonin se banorët e tyre janë idhujtarë apo të pafe. U çuditën pa masë kur i gjetën muslimanë.

Parashihet se Islami sot është i përhapur në rruzullin tokësor më tepër sesa që mendojnë gjeografët e historianët. Numri i muslimanëve në botë është më i madh se sa që e mendonin, sepse në kohën tonë Islami po përhapet pa forcë dhe pa luftë dhe shumë popuj ngrysen pabesimtarë e gdhihen muslimanë.

Kudo që lindi drita e Islamit, e fshiu kufrin sikur bora që shkrihet nën ngrohtësinë e Diellit në pranverë; dhe me te lulëzojnë trëndafilat e diturisë, mirësisë dhe drejtësisë. Kështu u stolisën qytetet dhe u pasuruan njerëzit të zbukuruar me dekorin e njeriut të përkryer që është njëra nga komponentet e Islamit dhe një prej rezultateve të besimit.

Sheh një popull barbar, individët e të cilit ishin të zhveshur nga vlerat njerëzore; e hanin mishin e njeriut, jetonin si kafshët nëpër shpella e gjungla, e mbytnin të huajin dhe udhëtarin që ta hanë, bënin prostitucion, e flijonin nderin e grave dhe vajzave të tyre, nuk përpiqeshin e as nuk fitonin, por vidhnin dhe grabitnin. Ishin në kulm të ndyrësisë saqë doemos, ai që i shihte, i urrente dhe neveritej prej tyre. Pasi pranuan Islamin, ndryshuan. Ndryshoi mentaliteti i tyre.

Tashmë i sheh duke jetuar në një civilizim të dekoruar me vlerat e mirësisë dhe të edukatës, ata janë të ndershëm dhe bujarë. Kujdesen për të huajin dhe udhëtarin. E nderojnë musafirin. Ekzistencën e sigurojnë nga fitimi i tyre. Bëjnë vepra të mira dhe ruhen nga e keqja. Vendoset harmonia në mesin e tyre. Mësojnë leximin e shkrimin. Merren me zeje e krijimtari. Zhduken nga mesi i tyre fëlliqësirat e ndyrësitë dhe janë të pastër, sa që domosdo ai që i sheh, do t’ia ketë lakmi gjendjes së tyre. Kush i kishte parë ata para se ta pranojnë Islamin, patjetër do të mohonte se ata nuk janë po ata që i kishte parë.

Ata, porsi të ishin ngrysur kafshë, e ishin gëdhirë njerëz! Për All-llahun, kjo nuk është tjetër veçse një prej mu’xhizeve të Islamit.

DËSHMI PËR EPËRSINË E ISLAMIT

Nuk po e smadhojmë as hiperbolizojmë këtë gjendje për të konfirmuar lartësinë e fesë sonë të qartë. Por, kjo është njëmendësi të cilën nuk e mohojnë as pabesimtarët. Këtë e pohoi çdonjëri evropian i cili udhëtoi në ato vende të largëta.

Ja, ne këtu po citojmë dëshminë e një prej udhëtarëve nga radhët e shkencëtarëve anglezë, kur thotë: “Vërtet, Islami është feja e cila e pastron tokën prej idhujve dhe idoleve. E ndalon flijimin e njeriut dhe ngrënien e mishit të tij. U garanton të drejta femrave, e kufizon poligaminë në një kufi të ligjshëm e të arsyeshëm. I forcon lidhjet familjare. Robi dhe i robëruari bëhet një prej anëtarëve të familjes, i hap atij shumë rrugë e dyer për shpëtim dhe liri. Moralin e përgjithshëm e pastron me forcën e themeleve të tij si namazi, zekati nderimi i musafirit dhe siguria e udhëtarit. Në zemra mbjell drejtësi objektivitetet e sinqeritet. Parinë e mëson se kanë detyra sikurse populli. E themelon ndërtimin e bashkësisë në baza të forta e të shëndosha. Tiranit i kërcënohet me hidhërimin e All-llahut. I dëmtuari dhe i varfëri vepërmirë ngushëllohen me mëshirën, shpërblimin e Tij dhe me lumturinë në botën tjetër.

Këto mirësi janë një pjesë nga begatitë e shumta të cilat gjithmonë e përcjellin Islamin me rastin e pushtimit të popuje të paqytetëruar”.

Mund të citojmë edhe shumë dëshmi të shprehura nga evropianët objektivë, të cilët nuk kanë mundur ta fshehin të vërtetën, meqë e panë atë të dukshme dhe e provuan në udhëtimet e tyre. Na mjafton përmendja e një traktati të shkruar dhe të publikuar nga njëri prej fretërve anglezë, i cili ishte dërguar në Afrikë nga ana e Organizatës së themeluar në Londër për përhapjen e krishterizmit. Ai banonte dhe udhëtonte rreth njëzet vjet në qytetet e Magrebit, që gjenden pas ekuatorit, duke u orvatur për instruimin e fesë së tij në mesin e popujve zezakë.

Pas këtij mundi të dhimbshëm dhe përvoje të gjatë, pasi që e pa se popujt e këtyre viseve nuk po e pranojnë krishterizmin, ndërsa ata të cilët e pranonin, qoftë me vullnet apo me dhunë, paraqesin një grup shumë të vogël, nuk tërhiqen nga barbarizmi i vjetër, por bëhen më zi se që ishin, kurse Islami te ta po pranohet vullnetarisht dhe ata po i shndërron në popuj të shoqërueshëm dhe i edukon me një shpejtësi të pamundshme. Çështjen e kundroi nën prizmën e drejtësisë dhe njëmendësisë. E shkroi letrën e përmendur duke e shtruar në te këtë gjendje hollësisht. Pastaj, i këshillon evropianët që të punojnë për përhapjen e Islamit ndër popujt barbarë, nëse dëshirojnë nxjerrjen e tyre nga errësira dhe inkuadrimin e tyre në rrjedhat e kulturës e të qytetërimit. Dhe thotë se, Islami është shkaku i vetëm i shpëtimit të vendeve të largëta të botës nga politeizmi, idhujtaria, flijimi i njeriut në emër të idoleve, meqë krishterizmi nuk është i denjë për këtë çështje.

Kjo letër është e njohur dhe askush nuk ka mundur ta mohojë ate. Mirëpo, porosia e saj mbeti e shurdhër, sepse evropianët nuk e dëshiruan nxjerrjen e popujve barbarë nga barbarizmi, por qëllimi i tyre ishte dominimi mbi ta dhe administrimi i shtetit të tyre, aq më tepër, zhdukja e plotë e këtyre të mjerëve, siç ka ndodhur në Amerikë dhe siç po ngjet çdo ditë në ujdhesat e Paqësorit.

Nuk fshihet se evropianët kanë themeluar organizata të veçanta për përhapjen e fesë së tyre nëpër viset e largëta dhe kanë investuar mjete të mëdha për këtë qëllim. Shpeshherë i dërgojnë anijet e tyre me ushtarë dhe armë për furnizimin apo mbrojtjen e fretërve të dërguar atje. Megjithate krishterizmi është duke u përhapur shumë pak.

Në anën tjetër, Islami po zhvillohet dhe po përhapet vetvetiu nëpër vendet e botës dhe anëtarët e tij po shtohen dita-ditës.

Kjo është nga mirësia e Zotit tim! Lavdi i qoftë Atij që ka thënë: “Erdh e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra…” (Kur’an, XIII: 81).

Sikur të punohej për përhapjen e Islamit siç po punohet për përhapjen e krishterizmit, Islami do të ishte fe universale në të gjitha ujdhesat e Paqësorit.

Në kohët e kaluara është bërë mund i madh për përhapjen e Islamit në Evropë. Këtë u orvatën ta bëjnë sunduesit e shtetit Osman në Lindje, Timurlenku në Veri, mirëpo numri i muslimanëve në këtë pjesë është shumë i vogël. Shumica e tyre kanë migruar aty gjatë çlirimit. Prej evropianëve më së shumti Islamin e pranuan shqiptarët, dhe boshnjakët të cilët fenë e vërtetë e pranuan nëpërmjet çlirimtarëve të shtetit Osman. Ata (boshnjakët) janë patriotë të përkryer, mirëpo numri i tyre nuk e kalon një milion e gjysmë.

Sa i përket kësaj në kohën tonë, përhapja e Islamit në kontinentin e Evropës është shumë e vështirë, sepse banorët e Evropës tash janë të ndarë në dy grupe. Grupi i besimtarëve dhe i jobesimtarëve. Sa u përket besimtarëve, ata janë fanatikë në krishterizëm dhe kanë urrejtje të madhe ndaj muslimanëve. Ndër të pafetë, dikush beson në një Zot e nuk beson në botën tjetër dhe në Shpalljen, dikush tjetër e mohon All-llahun e madhëruar; ndërkaq të gjithë janë kompaktë se Islami është feja më e drejtë dhe më e mirë. Megjithatë, ata mendojnë se nuk janë të nevojshëm për fe.

Për këtë edhe thamë se përhapja e Islamit në kontinentin e Evropës është e vështirë, madje edhe e pamundur.

Hulumtuesit janë pajtuar se feja e ardhmërisë në të dy kontinentet, të Azisë dhe të Afrikës, pastaj në ujdhesat e Paqësorit; do të jetë vetëm Islami, kurse krishterizmi do të jetë vetëm në Evropë dhe në Amerikë.

Disa udhëpërshkrues nga shkencëtarët rusë, kanë përmendur se Kina e gjerë do të shndërrohet në vend musliman, e pas një apo dy shekujve nuk (do të) mbetet asnjë grup i kinezëve, numri i të cilëve arrin në katërqind milionë, pa e pranuar Islamin. Sepse Islami atje po zhvillohet dita-ditës dhe muslimanët konsiderueshëm po shtohen.

Evropianët po frikësohen prej kësaj, sepse populli i Kinës ndonëse për nga numri është më i madh se çdo popull, madje numri i tyre e tejkalon numrin e përgjithshëm të popujve të Evropës; ata janë si barinj dhensh, sepse feja e tyre e tashme nuk është e përshtatshme për luftë, heroizëm, apo për qytetërim. Nëse e pranojnë islamin dhe e ndjekin fenë që i urdhëron për luftë, i përgëzon shehid nëse vdesin për fenë dhe atdheun e tyre. Kush do të mund t’i ndalte ata?!

Gjithashtu në Indi, ku qeveria angleze po i shfrytëzon të gjitha mundësitë që t’i krishterizojë banorët e saj, gjer më tash nuk i shkoi përdore ta krishterizojë asnjë musliman. Sa u përket politeistëve, nëse një bëhet i krishterë, një mijë e pranojnë Islamin. Islami po zhvillohet në Indi ashtu sikurse edhe në Kinë dhe vendet e tjera, ndonëse qeveria e Indisë është e krishterë.

Dije, Zoti të nderoftë, se numri i politeistëve në botë është më i madh se ai i muslimanëve dhe i ithtarëve të Librit (ebrejtë dhe të krishterët së bashku) kurse të gjithë ata janë të gatshëm ta pranojnë Islamin. Nëse të gjithë ata e pranojnë Islamin, është sikur atë ta pranojë mbarë njerëzimi.

Medoemos duhet të zhduket politeizmi, e të pastrohet toka prej pasojave të këqia të tij si janë: flijimi i njeriut, ngrënia e mishit të tij, shqyerja e grave kur u vdesin burrat dhe tradita të tjera.

Evropianët pasi mësuan se politeistët nuk e pranojnë krishterizmin ndërmorën zhdukjen e këtyre të mjerëve së bashku me fenë e tyre. I gjuajtën dhe i mbytën sikurse kafshët. Në vendet e tyre të zbrazëta sollën banorë nga Evropa (për t’i popullzuar ato), siç ndodhi kjo në disa ujdhesa të Pacifikut. Kjo, vërtet është tirani e madhe!

Nga ana tjetër, muslimanët kurrë nuk e dëshiruan shtypjen e vendeve të politeistëve e as mbytjen e tyre, por synimi i tyre ishte përhapja e Islamit ndërmjet tyre dhe zhdukja e politeizmit dhe jobesimit ndër ta. Andaj te ta muslimani është i dashur, e i krishteri i urrejtur.

Sikur të themelonim organizata për përhapjen e fesë tonë të qartë dhe të shpenzonim mjete për këtë qëllim, siç vepruan të krishterët, nuk do të mbetej asnjë politeist në botë pa e pranuar Islamin dhe të gjitha viset e Azisë dhe të Afrikës do të ishin vende islame.

Edhepse feja e All-llahut po përhapet pa përpjekje njerëzore, siç theksuam, megjithatë, meqë jemi të obliguar me xhihad – mendoj se e kemi për detyrë që të kontribojmë në këtë drejtim për përhapjen e dritës së islamit në pjesët e botës, që banorët e saj t’i shpëtojmë nga errësira e politeizmit dhe injorancës, madje, nga shkatërrimi; sepse nëse ata do të mbeteshin në këtë gjendje që janë, do t’i pushtonin evropianët dhe do t’i shkatërronin për t’ua uzurpuar vendet dhe pasuritë e tyre.

Ata, ndonëse janë injorantë, e kuptojnë këtë realitet, andaj dhe janë të gatshëm ta pranojnë Islamin nëse u bëhet i mundshëm komunikimi me ta dhe sugjerimi i tij. Sepse, ata e dinë se nëse e pranojnë Islamin do të shpëtojnë nga ky shkatërrim, ngase të krishterët nuk mund t’u bëjnë asgjë muslimanëve.

Nëse përpiqemi, suksesi do të jetë me ne, e nëse tregojmë mospërfillje, fatkeqësia do të bie mbi ne, sepse evropianët nuk e lënë punën pas dore, por japin çdo gjë prej vetes, posaçërisht në këto vitet e fundit dhe besohet se një ditë do t’i mbyllin dyert të cilat sot janë të hapura për zhvillimin dhe përhapjen e Islamit.

UNITETI NDËRMJET MUSLIMANËVE

Është e qartë se për çdo gjë ekzistojnë shkaqe, e kush dëshiron ta arrijë atë, duhet t’i plotësojë shkaqet e saj. Shkaku më i fuqishëm për këtë qëllim është lidhshmëria dhe përshtatshmëria midis muslimanëve. Ne këtu nuk aludojmë në një bashkim politik, as doktrinar, sepse bashkimi politik është shumë i vështirë, kurse ai doktrinar i pamundshëm; por me bashkim kemi për qëllim bashkimin fetar dhe të sheriatit ndërmjet muslimanëve. E kjo është detyrë për secilin musliman, i çfarëdo mësimi që të jetë dhe çfarëdo shteti t’i takojë.

Sikur të krishterët, të cilët janë nënshtetas të shtetit islam, që i ndjekin prijësit e tyre në çështjet e fesë së tyre, po ashtu muslimanët të cilët janë nënshtetas të shtetit të krishterë, apo janë nën administrimin e ndonjërit nga munduesit islamë, duhet që në çështjet e fesë të ndjekin halifin e tyre legjitim, e ai është, pa mëdyshje, sulltani Osman.

Të gjitha vendet muslimane duhet të lidhin marrëdhënie të vazhdueshme dhe lidhje të fuqishme me hilafetin sunnit. Kjo lidhje është lidhje ideore dhe fetare. Për këtë nuk ka arsye dikush të bëjë probleme sepse Sheriati islam i urdhëron muslimanët që në çështjet e fesë së tyre të veprojnë sipas urdhrit të halifit të tyre legjitim. Sikur të afroheshin muslimanët në këtë çështje të ndershme, do të arrihej lidhja ndërmjet të gjithë popujve islamë.

POPUJT ISLAMË DHE
SHTETET E TYRE

Patjetër ne duhet të bëjmë një vështrim për popujt e njohur islamë dhe ndarjen e tyre në shtete islame

a) Arabët

Dije, Zoti të shpërbleftë! – se populli më i madh e më madhështor islam janë arabët. Në mesin e tyre është paraqitur Islami, e pejgamberi (i Dërguari) ishte prej tyre, dhe ata gëzojnë nderin dhe respektin mbi të gjithë popujt muslimanë.

Numri i banorëve të tyre është rreth gjashtëdhjetë milionë. Ata janë të shtrirë në mbarë Siujdhesën e Arabisë (d.m.th. Hixhazi, Jemeni, Hadramevti, Mesketi, Mexhdi dhe Bahrejni), në Siri d.m.th. tokat e Shamit dhe të Palestinës, në El-Xhezire, në Irakun arab, Egjipt, Berka, Tripolin perëndimor, Tunizi, Algjeri, Maroko (d.m.th. Fesi dhe Merakeshi) dhe në Saharanë e madhe, gjer te vendet zazake.

Gjuha e tyre është një. Ajo është gjuha më e rrjedhshme dhe më e bukur në botë. Rregullat e saj janë të përkufizuara. Librat që ekzistojnë në atë gjuhë janë të panumërt.

Arabët e kanë një veçori të rrallë. Ata e arabizojnë çdokend që e takojnë apo i takon. E asnjëherë askush nuk i bën ata joarabë. Për këtë numri i tyre po shtohet dita-ditës.

Tashmë janë arabizuar popuj të krishterë nga Siranët e Vjetër e të tjerë dhe ata e përdorin gjuhën arabe dhe shkrimin arab në të gjitha çështjet e tyre të këaj bote dhe të botës tjetër, kështuqë në letërsinë arabe paraqitet seksioni “nasranijj” (i te krishterëve).

Është çudi se këta të krishterë janë ngritur më tepër se muslimanët në shkencë dhe njohuri.

Duhet që muslimanët të bëjnë përpjekje dhe të obligohen që t’i tejkalojnë të krishterët në dituritë e reja siç i tejkaluan në retorikë e letërsi, sepse gjuha arabe është gjuhë e Islamit.

b) Turqit

Populli më i madh pas arabëve janë turqit. Numri i tyre është rreth njëzetepesë milionë. Krahinat e banuara prej tyre shtrihen prej Detit te Venedikut në Evropë e gjer në brendi të Kinës në Azinë Qendrore, pastaj prej stepeve të ngrira në Siberi gjer në kufijtë e Indisë, Irakut dhe Tokës së Shamit. Ata janë të ndarë në shumë grupe por mund të përmblidhen në tri sosh:

Grupi i parë – Turqit e perëndimit apo osmanlinjtë: Ata banojnë në vendet romake apo Rumeli, në Evropë dhe Anadoll në Azi. Ata janë popull më i ndershëm i Turqisë. Gjuha e tyre është më e rrjedhshmja dhe më e ëmbla në gjithë Turqinë. Edhe sulltanët osmanlij, në dorë të të cilëve gjendet hilafeti islam dhe mbrojtja e popullit të mëshiruar, Zoti i mbrojtë prej çdo fatkeqësie e mjerimi, – rrjedhin nga ky popull i dalluar. Edhe tash po i bëjnë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e muslimanëve dhe për ngritjen e vlerës së Islamit. Tash e gjashtëqind vjet, ata prijnë dhe sundojnë në të gjitha vendet arabe pos në tri: në Algjerin – të cilën e pushtuan françezët pa të drejtë, në Marok dhe në Imametin e Mesketit në Siujdhesën Arabe.

Grupi i dytë – Turqit e Lindjes: Janë banorët e Transaksonisë, të Ferganës dhe të Hattës apo të Turanit të Vjetër. Këto vende në të kaluarën kanë qenë atdhe i posaçëm i turqve.

Gjuha e tyre është amë e ajo osmane degë e saj, kurse gjuha e tyre quhet çagataje. Ajo është një gjuhë shumë e shëmtuar, që nuk ka ëmbëlsi për dallim nga ajo osmane. Në këtë gjuhë ka libra të vjetër letërsi (beletristike) dhe poezi. Mirëpo, gjuha osmanishte është shquar në njohuritë e reja.

c) Tatarët

Tatarët janë grupi i tretë. Ata i banojnë krahinat e Detit Kaspik dhe pjesën evropiane të Rusisë, sidomos në Kazan dhe në Siujdhesën e Krimesë. Gjuha e tyre është ndërmjet çagatajes dhe turko-osmanishtes.

Ndërkaq, prej turqve që e kanë ruajtur pavarësinë e tyre janë vetëm osmanlinjtë. Kurse turqit e Lindjes dhe tataret janë nën sundimin e Rusisë. Ndërsa turqit e Lindjes së Largët apo të Kashgarit dhe të Hatta-së, i ka pushtuar shteti kinez.

ç) Persianët

Ndër popujt e mëdhenj islamë bëjnë pjesë edhe persianët. Atdheu i tyre autokton është Irani apo Persia, Iraku i jashtëm, Mazanderani dhe Horasani. Ata janë përhapur edhe në Afganistan dhe Bulugistan, apo Kabulistan, Herat, Kelat e gjer në Transaksoni nga Veriu dhe gjer në Indinë Qendrore nga Jugu.

Gjuha e tyre është persishtja e cila pas arabishtes ishte gjuhë më e nderuar islame. Banorët e Azisë Qendrore e morën për gjuhë të tyre letrare. Banorët e Afganistanit dhe Bulugistanit, të cilët flasin me gjuhë të posaçme, shkruajnë dhe lexojnë në persishte. Po kështu vepruan edhe shumica e turqve të Transaksonisë.

Muslimanët e Indisë gjer vonë shkruanin dhe lexonin vetëm në persishte. Përveç tjerash, ata që flasin persisht janë pak, e numri i tyre nuk e tejkalon njëzet milionëshin. Mirëpo, këtë gjuhë e dinë shumica e muslimanëve të Azisë Qendrore dhe ajo radhitet në vendin e dytë nder gjuhët islame.

d) Muslimanët e Indisë

Populli i katërt islam, janë muslimanët e Indisë. Ata janë rreth gjashtëdhjetë milionë, por janë të ndarë në shumë grupe. Gjer para pak kohësh e kanë përdorur gjuhën persishte në lexim e shkrim, e gjuhën e tyre nuk e përdorin pos për të folur. Mirëpo, sot ata lexojnë e shkruajnë në gjuhën Urdu e cila është gjuha e tyre më e rrjedhshme dhe më e shtrirë. Në këtë gjuhë ekzistojnë shumë libra, dhe një numër gazetash që dalin në qytetet e Indisë dalin në këtë gjuhë.

dh) Malajasit

Vendi i pestë ndër popujt islamë u takon malajasve. Ata janë banorë të brigjeve të Indisë Lindore dhe të ujdhesave të Oqeanit të Qetë. Ky popull është i shtrirë në të gjitha anët e Oqeanit të Qetë. Ata i gjen në Axh, Samatra, Java, Borneo dhe në Indokinë siç gjenden edhe në Madagaskar, e cila është një ujdhesë e madhe në afërsi të Afrikës. Pastaj i sheh ata në ujdhesat që gjenden para Amerikës. Atdhe i tyre është i gjithë Pacifiku.

Prej këtij populli, muslimanë janë: ata që gjenden në brigjet e Indisë Lindore si në Axh, Sumatra; ata që gjenden në ujdhesat e Oqeanit Indian si në Java, Borneo dhe në Indokinë. Kurse ata që janë në ujdhesat e largëta ende janë të dëshpruar në politeizëm dhe mosbesim.

Prej tyre, muslimanët që e përbëjnë shumicën, e shkruajnë dhe e lexojnë gjuhën e tyre, në të cilën kanë shumë libra.

e) Popujt zezakë

Pas këtyre pesë popujve që janë popujt më të mëdhenj islame, pason të folurit mbi popujt zezakë të cilët janë në Kontinentin e Afrikës. Ata janë popuj të shumtë, të ndryshëm dhe flasin gjuhë të veçantë.

Pasi që vëllimi i këtij traktati nuk është në gjendje ta përfshijë numrin e kombeve të tyre, e shohim të nevojshme që cekjen e tyre ta bëjmë në formë koncize.

Së pari, themi se numri i tyre është më i madh sesa që mendonin, sepse Sudani Lindor dhe Perëndimor, vendbanimet e Nilit Egjiptian dhe Nilit të Zi, d.m.th. vende të gjëra që shtrihen në pjesën qendrore të kontinentit të madh të Afrikës, janë të banuara me shumë popuj zezakë muslimanë, e po ashtu edhe brigjet lindore të saj gjer në Zanzibar.

Së dyti – feja islame është përhapur ndër popuj zezakë më tepër sesa që e mendonin, sepse është vërtetuar se shumica e viseve përtej Ekuatorit, të panjohura gjer më tash; janë të banuara me banorë muslimanë dhe ata që nuk e kanë pranuar islamin gjer më tash, këtë po e bëjnë për çdo ditë e më shumë.

Mund ta parashikojmë, se banorët zezakë-muslimanë të Afrikës nuk janë më pak se 70 apo 80 milionë. Ata nuk i shkruajnë gjuhët e tyre, por dijetarët e tyre lexojnë e shkruajnë vetëm arabisht.

POPUJT E VEGJËL MUSLIMANË

Ekzistojnë popuj të vegjël muslimanë në çdo vend islam siç janë: kurdët, afganistanasit, çerkezët, shqiptarët, boshnjakët e të tjerë, që nuk ka nevojë të numërohen.

Këta popuj nuk i shkruajnë gjuhët e tyre, por lexojnë arabisht dhe në gjuhën më të afërt të tyre si turqisht dhe persisht.

Ndërsa muslimanët e Kinës, pasiqë kishin emigruar nga qendrat islame, leximin e Kur’anit e mësojnë vetëm në arabisht dhe janë të detyruar që gjuhën e tyre ta shkruajnë me shkrimin e varfër kinez.

Kërkohet angazhim për përhapjen e diturive të gjuhës arabe dhe të sheriatit në mesin e tyre dhe për vendosjen e marrëdhënieve në mes tyre dhe botës islame.

Muslimanët në përgjithësi në botë, Zoti i rrittë e i shtoftë! Ata, janë rreth 200 milionë.

GJUHËT E POPUJVE MUSLIMANË

Gjuha arabe është gjuhë e përgjithshme në të gjitha shtetet islame, sepse fjala e All-llahu – Kur’ani – lexohet dhe mësohet nëpër të gjitha këto vende. Të gjithë dijetarët i mësojnë dituritë e sheriatit në universitete e shkolla me këtë gjuhë të ndershme. Andaj, njohja e saj është e domosdoshme për çdo dijetar mulsiman.

Pas arabishtes vjen persishtja. Ajo është gjuhë islame të cilën e flasin banorët e Azisës Qendrore dhe shumë popuj si: turqit, indianët, kurdët e tjerë dhe e shkruajnë me shkrimin arab. Ajo është e përzier me gjuhë dhe terma arabë dhe është porsi një degë e arabishtes.

Pas persishtes, vjen gjuha e tretë islame – turqishtja. Ajo shkruhet me shkrim arab dhe ndahet në dy degë: Hindu e quajtur Urdu dhe Malajziase.

Sa i përket turqishtes dhe hindu, ato janë të përziera me fjalë arabe dhe persiane, e sa i përket asaj malajziase, ajo përmban vetëm fjalë arabe.

Është e qartë se sikur të ishte arabishtja gjuhë e të gjithë muslimanëve, do të ishte më mirë nga disa aspekte, mirëpo, pasiqë dëshira e All-llahu është ndryshe, dhe në botë ka popuj e kombe muslimane që flasin me gjuhë të tjera përveç arabishtes, siç shkruajnë katër popujt e përmendur do të ishte më e dobishme për Islamin sikur ta shkruante çdonjëri gjuhën e tij.

Për Islamin më mirë do t’ishte sikur përveç pesë gjuhëve të përmendura (arabe, persiane, turke, hindu dhe malajziase) të shkruheshin edhe gjuhët islame si: gjuha kurde, çerkeze, e popujve zezakë etj. sepse arabishtja është apostafat për dijetarët, të cilët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke e mësuar. Atë nuk mund ta mësojë gjithkush. Për ç’shkak masat e shumë popujve e kombeve mbetën në injorancë, e cila është në kundërthënie me Islamin. Shumë nga injorantët e atyre popujve janë indiferentë ndaj të vërtetës së Islamit dhe parimeve të tij të larta.

Mendoj se, sikur të bëhej përpjekje dhe angazhim në shkrimin e të gjitha gjuhëve islame me shkrimin arab dhe për shkrimin e librave fetare e të sheriatit dhe predikimeve udhëzuese e drejtuese në secilën prej këtyre gjuhëve; kjo do të ishte një shërbim i madh për zgjerimin e Islamit dhe përhapjen e dritës së tij shpëtimtare.

Megjithkëtë, kërkohet kujdes në përhapjen e gjuhës arabe dhe shtimin e njohësve të saj, sepse ajo është një lidhje e fortë për bashkimin e muslimanëve dhe mjet i shëndoshë për forcimin e parimeve të fesë së qartë.

Shpresojmë të kenë sukses dhe lutemi t’i kenë të gjitha të mirat vëllezërit udhëzues të cilët japin gjithçka prej vetes për zgjerimin e Islamit dhe përhapjen e dritës së tij për njohjen e tij nëpër të gjitha viset e botës.

Përfundim

Ky traktat është dhuratë dhe kujtim për të mësipërmit, All-llahu u ndihmoftë e i mbrojtë!

Falënderimi i qoftë All-llahut për përfundimin!

Është përfunduar hartimi i këtyre shkronjave në folenë e hilafet Istamboll: Zoti i mbrojtë ate dhe pronarin e saj nga çdo e ligë dhe mjerim!

U shkrua në vitin 1302 (një mijë e treqind e dy) nga Hixhreti i Pejgamberit të cilit ia dërgojmë përshëndetjet më të bukura.

Shtojcë

 

Vendet ku muslimanët janë në shumicë

Nr. Emri i vendit km2 Popullësia Përqindja Vërejtj
në milionë e muslim.

01. Afganistani 652.015 1 18.00 99 %

02. Algjeria 1.500.212 22.00 98 %

03. Arabia Saudite 2.158.000 10.50 100 %

04. Bahreini 1.118 0.22 99 %

05. Bangladeshi 143.328 100.00 85 %

06. Bregu i Fildishtë 322.500 5.00 55 %

07. Çadi 1.289.080 4.00 85 %

08. Dahomej 115.154 3.00 60 %

09. Egjipti 1.005.321 51.00 93 %

10. Emiratet e B. Arabe 85.800 0.32 100 %

11. Etiopia 1.221.900 27.00 65 %

12. Gambia 10.246 0.40 85 %

13. Guineja 245.857 4.30 95 %

14. Suineja Bisae 36.125 0.81 70 %

15. Indonezia 1.491.564 161.00 95 %

16. Irani 1.648.000 48.00 98 %

17. Iraku 438.446 14.50 95 %

18. Ishujt e Maldivit 0.253 0.12 100 %

19. Jordania 94.500 3.00 95 %

20. Jemeni Jugor 291.200 1.50 95 %

21. Jemeni Verior 195.000 6.00 99 %

22. Kameruni 477.277 6.20 55 %

23. Katari 10.000 0.18 100 %

24. Kuvajti 17.800 1.00 98 %

25. Libani 8.806 3.00 57 %

26. Libia 1.759.500 3.00 100 %

27. Malajzia 286.000 14.50 52 %

28. Mali 1.239.998 6.00 90 %

29. Maroko 446.550 24.00 99 %

30. Mauritania 1.030.000 2.00 100 %

31. Nigeri 1.271.896 4.50 91 %

32. Nigeria 927.339 100.000 75 %

33. Omani 213.000 0.75 100 %

34. Pakistani 1.041.375 90.00 97 %

35. Republika Q. e Afrikës 618.420 2.00 55 %

36. Senegali 196.192 7.00 95 %

37. Siera Leone 72.605 3.00 65 %

38. Siria 186.808 11.00 85 %

39. Somalia 702.000 5.00 100 %

40. Sudani 2.515.500 22.00 85 %

41. Shqipëria 28.860 2.30 75 %

42. Tanzania 943.332 15.00 65 %

43. Togo 56.600 2.10 55 %

44. Tunisia 165.150 7.00 95 %

45. Turqia 780.580 66.00 99 %

46. Volta e Epërme 275.259 6.00 56 %

P.S. Ghulam Sarwar, Islam – beliefs and Teachings, London, 1989,
pp. 204-205.

 

 

Vendet ku muslimanët janë në pakicë

Nr. Emri i vendit Milionë Përqindja Vërejtje

01. Afrika Jugore 0.500 2.0 %

02. Anglia 1.500 2.7 %

03. Angola 1.500 25.0 %

04. Argjentina 0.500 2.0 %

05. Australia 0.130 1.0 %

06. Botsvana 0.030 5.0 %

07. Brazili 0.210 0.2 %

08. BRSS 60.000 20.0 %

09. Bullgaria 1.300 14.0 %

10. Burma 3.000 10.0 %

11. Burundi 0.700 20.0 %

12. Butani 0.050 5.0 %

13. Figji 0.060 11.0 %

14. Filipine 5.000 12.0 %

15. Franca 2.000 3.8 %

16. Gana 3.000 30.0 %

17. Guajana 0.010 15.0 %

18. Guineja Ekuatoriale 0.070 25.0 %

19. Greqia 0.070 3.0 %

20. Gjermania Federale 1.500 2.4 %

21. Gjibraltari 0.003 10.0 %

22. Holanda 0.200 1.5 %

23. Hong Kongu 0.004 1.0 %

24. India 100.000 12.0 %

25. Italia 0.550 1.0 %

26. Japonia 0.010 1.0 %

27. Kamboxhia 0.070 1.0 %

28. Kanadaja 0.100 0.5 %

29. Kenia 4.000 29.5 %

30. Kina 90.000 11.0 %

31. Kongo 0.150 15.0 %

32. Lesoto 0.120 10.0 %

33. Liberia 0.500 30.0 %

34. Malavi 1.700 35.0 %

35. Malta 0.450 14.0 %

36. Mauritiusi 0.140 19.5 %

37. Mozambiku 2.200 29.0 %

38. Namibia 0.034 5.0 %

39. Nepali 0.500 4.0 %

40. Panamaja 0.050 3.6 %

41. Qipro 0.210 33.0 %

42. Republika Malagase 1.400 20.0 %

43. Reunioni 0.090 20.0 %

44. Rumania 0.200 20.0 %

45. Surinami 0.100 25.0 %

46. Svazilanda 0.046 10.0 %

47. SHBA 3.200 1.5 %

48. Sri Lanka 1.200 9.0 %

49. Tajlanda 6.000 14.0 %

50. Timori Portugez 0.012 20.0 %

51. Trinidadi – Tobago 0.127 12.0 %

52. Uganda 4.000 12.0 %

53. Yugoslavia 5.000 20.0 %

54. Zairi 2.400 10.0 %

55. Zambia 0.700 15.0 %

56. Zimbabve

P. S. Ghulam Sarwar, Islam – beliefs and Teachings, London,
1989, pp. 208-209.

Të dhënat statistikore janë nga viti 1975.

Përmbajtja

Përhapja e islamit

Hyrje

Përse e shkrova në gjuhën arabe?

Përhapja e islamit

Përhapja e islamit pas qindvjetëshit të parë

Dekadenca e muslimanëve

Paraqitja e shtetit osman

Bashkimi i hilafetit dhe sulltanatit

Vendet islame jashtë shtetit osman

Përhapja e islamit vetvetiu

Dëshmi për epërsinë e islamit

Uniteti ndërmjet muslimanëve

Popujt islamë dhe shtetet e tyre

A) arabët

B) turqit

C) tatarët

Ç) persianët

D) muslimanët e indisë

Dh) malajasit

E) popujt zezakë

Popujt e vegjël muslimanë

Gjuhët e popujve muslimanë

Përfundim

Shtojcë

Vendet ku muslimanët janë në shumicë

Vendet ku muslimanët janë në pakicë

Boton:

Shtëpia botuese Logos-A Shkup

Përpunimi grafik dhe shtypi Focus – Shkup

Botimi i I & II, Prizren, 1410/1989

Botimi i III, Shkup, 1415/1994

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne