Samiti i Sofjes: Europa, rruga e vetme e Ballkanit

Udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe vendet anëtare të unionit, në konsultim me partnerët e Ballkanit Perëndimor miratuan “Deklaratën e Sofjes”, një plan i rrugës europiane të rajonit.

Në të përsëritet mbështetja e qartë ndaj perspektivës europiane të rajonit dhe përvijohen detyrat dhe parimet që palët duhet të përmbushin gjatë procesit të integrimeve europiane.

“Bashkimi Europian është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nuk shoh të ardhme tjetër për Ballkanin Perëndimor veç BE-së. Nuk ka alternativë tjetër, nuk ka plan B”, tha Donald Tusk, president i Këshillit të BE-së.

Destinacioni është i qartë, por rruga do të jetë e vështirë, pasi siç tha vet Tusk, i pyetur nga gazetarët, përqëndrimi është te susbstanca dhe jo te datat.

Kreu i Këshillit shtoi se, vërtet GDP-ja dhe popullsia e Ballkanit Perëndimor janë në shifra të vogla për Europën, por telashet për kokë që vijnë nga ky rajon janë më shumë sesa ato të Francës dhe Gjermanisë bashkë.

Në dritën e projektorëve në samit ranë në sy shtrëngimet e duarve dhe bashkëbisedimi i kryeministrit Rama me homologun holandez, Mark Rutte, me kryeministrin e Greqisë Tsipras, si dhe një përqafim me presidentin serb, Vuçiç.

Po ashtu, Sofja bëri bashkë edhe presidentin e Kosovës, Thaçi, dhe homologun e tij serb, Vuçiç, por edhe kryeministrat Alexis Tsipras e Zoran Zaev, ndërsa ka zëra për një marrëveshje mes këtyre dy të fundit për emrin e Maqedonisë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne