Sanksionet: Kompania Nike le pa atlete skuadrën iraniane të futbollit, reagon trajneri i skuadrës

Trajneri i skuadrës iraniane të futbollit, Karlos Queiroz i ka kërkuar “Nike” t’i kërkojë ndjesë ekipit të tij, pasi kjo e fundit ka deklaruar se nuk mund t’i  pajiste futbollistët me atlete të reja për kampionatin botëror për shkak të sanksioneve.

“Ky qëndrimi më i fundit i “Nike” ishte sipas këndvështrimit tim personal, i panevojshëm. Të gjithë janë në dijeni të sanksioneve. Ata duhet të dalin dhe të kërkojnë ndjesë për këtë sjellje arrogante ndaj 23 djemve”, tha Karlos Quieroz.

Deklarata e kompanisë “Nike” pason një vendim të administratës Trump, i cili konsiston në tërheqjen nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore e nënshkruar tre vite më parë, si dhe në intensifikimin e kufizimeve mbi Iranin.

“Sanksionet amerikane bëjnë që një kompani amerikane, pra “Nike”, të mos mund t’i sigurojë atlete futbollistëve të skuadrës iraniane në këtë moment”, tha “Nike” në një deklaratë për shtyp.

Kjo deklaratë ka shkaktuar konfuzion dhe mjaft frustrim në federatën iraniane të futbollit, pasi “Nike” e ka furnizuar më herët ekipin iranian me atlete dhe e bëri këtë edhe në kampionatin botëror të 2014-s, kur sanksione të ngjashme ishin në fuqi.

Disa nga lojtarët e Iranit mësohet se i kanë kërkuar lojtarëve jo iranianë nga ekipet e klubeve t’u japin hua atlete, ndërsa të tjerë thuhet se i kanë blerë nga miq apo në dyqane.

Skuadra iraniane ka mbetur në udhëkryq, për sa i takon atleteve, para ndeshjes së tyre të parë kundër Marokut, që do të mbahet të premten.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne