“Seleksioneri intuitiv” vazhdon

Është kthyer në normë tashmë kur hulumtime, analiza apo raporte që duan të evidentojnë fenomene negative tek myslimanët shqiptarë, të shënjohen nën ombrellën e “fetares”, sipas modelit të raportit Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri,, përgatitur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në 2015. I njëjtë është edhe rasti i raportit i vitit 2016Analizë e diskursit ekstremist fetar në media, realizuar nga Instituti Shqiptar i Medias (ISHM) dhe mbështetur financiarisht nga Ambasada Amerikane. Kur shfleton të 93 faqet e këtij raporti mëson se në Shqipëri diskursi ekstremist fetar në media ndodh eskluzivisht mes myslimanëve. Politikanë, publicistë apo media që me diskursin e tyre linçojnë shumëçka myslimane në këtë vend nuk ndodhen në raport dhe rrjedhimisht këtij raporti i bie poshtë “fetarja” gjithëpërfshirëse, vetëm nëse me “fetare” hartuesit e raportit nënkuptojnë Islamin.

Ndërsa jemi tek “fetarja”, nuk bëhet fjalë për të drejtpeshuar ekuilibrat komunitarë në shoqëri, pra për të qenë politikisht korrekt, të përzgjidhet informacion sa në njërin krah, në tjetrin, sepse parimi bazë i raportimit është e vërteta, pamvarsisht se si do të rezultojë ajo në përfundim. Përjashtimi i plotë i komuniteteve të tjera fetare, përveç myslimanëve, nga monitorimi i diskursit ekstremis fetar në media, ka dhe një anë tjetër të rrezikshme: tregon se sa ashiqare hartohen dhe fitojnë qytetari raporte të tilla, duke i eklipsuar publikut fenomenin nga bashkësitë e tjera. Në çdo rast, përveçse tek feja, kjo lloj anshmëri ndaj grupeve të veçanta sociale ku ka pluralitet, do të rezultonte në dështim, dhe do të shoqërohej me përgjegjësi për organizatorët. Por duke qenë se myslimanët janë në një trysni të vazhdueshme tradicionale nga estabilishmenti kulturor në lidhje me identitetin e tyre fetar, duke e përshkruar atë si të dhunshëm, me fillesë prej kohëve të turkut, e që përputhet epistemologjikisht si alibi me fenomene moderne si ekstremizmi dhe terrorizmi, të tilla projekte nuk janë veçse zgjatime të kësaj mendësie. Nuk duhet harruar edhe se institucionet përfaqësuese të myslimanëve janë mjaft të dobta, apatike dhe pa përvojën e duhur. Këto raporte jo vetëm kalojnë pa u kontestuar prej tyre, por shpesh fitojnë autoritet edhe çertifikim, qoftë në promovime apo me “ekspertizë” nga titullar të institucionit ose “teologë” të pavarur që kanë dalë prej andej, duke krijuar realitete të deformuara, por “legjitime.”

Është pothuajse e pamundur, që ndërsa ekstremizmi fetar mysliman në ligjërimin mediatik ka mbërritur në përmasa të tilla sa të nxisë hartimin e raporteve monitoruese, një fenomen i ngjashëm të mos ekzistojë tek ithtarë apo komunitete të izoluara mes besimtarëve nga fetë e tjera në vend. Në rastin tonë, një lloj përthyerje pa filtra në hulumtimin sociologjik, që do të mundësonte një panoramë të qartë të situatës, nuk mund të ndodhë, pasi hartuesit e raportit kanë edhe angazhime të tjera në dobi si të jetës së tyre komunitare fetare, gjithashtu edhe të përmbushjes spirituale vetjake: si besimtar i krishterë, njëri prej tyre është dhurues ikonash në kishat e Voskopojës, ndërsa tjetri është koordinator i Caritas në Shqipëri, organizatës bamirëse te Kishës Katolike. Ky konstatim nuk i skualifikon apriori hartuesit e raportit nga iniciativa të tilla që merren me realitete fetare tek myslimanët sipas parimit “gjithkush në oborrin e tij” sepse kjo nuk është demokratike dhe kërcënon principet e laicitetit ku rreket të qëndrojë shoqëria jonë. Megjithatë, nëse si besimtar i një feje të caktuar, në punën profesionale përjashton komunitetin tënd nga një monitorim mbi ekstremizin dhe sakaq shpraz pa t’u dridhur qerpiku gjithë bataret në “oborrin e tjetrit”, e gjitha kjo nën një shënjues të përbashkët si “fetarja”, kjo nuk qëndron.

Për të shmangur keqkuptimin nga bashkëfetarët e tyre, në rastin hipotetik sikur të monitoronin të gjitha fetë, hartuesit e raportit mund të nënvizonin bindshëm faktin së feja e krishterë është një fe paqësore që ndiqet nga miliarda individë në të gjithë botën, por grupe ekstremistësh me agjenda të rrezikshme ekzistojnë edhe mes traditës së tyre fetare. Por duke qenë se nuk ka ndodhur kështu, duke iu përmbajtur metodologjisë së ndjekur prej tyre, një pyetje shtrohet për hartuesit e raportit. A ka mes të krishterëve apo agnostikëve individë që mëtojnë për të vërtetën absolute, apo që me ligjërimin e tyre tentojnë krijimin e kohës “ideale”, bie fjala, përmes kthimit në fenë e të parëve, pa munguar edhe thirrjet për genocid ndaj myslimanëve apo glorifikimin e ngjarjeve të Serbrenicës? Si mundet vallë që individë me të tillë konflikt të dukshëm interesi të shohin qimen në syrin e tjetrit dhe të mos vënë re traun tek i tyri?!

Ajo që i bën sërisht të njëanshëm hartuesit e raportit është retushimi i ekstremizmit islamofobik, si një reaksion ndaj “ekstremizmit islamist” në media. Themi retushim sepse ky lloj ekstremizmi përshkruhet si “ekstremizëm anti-Islam”, dhe “ekstremizëm ateist”, pra një lloj ekstremizmi që nuk ka të bëjë në mënyrë eksplicite me ndonjë fe tjetër në vend. Këto forma ekstremizmi përshkruhen si raste sporadike të individëve që janë të influencuar nga ideologji të ekstremit të djathtë apo të ekstremit të majtë. Gjithsesi hartuesit e raportit janë të kujdesshëm për të zbehur në maksimun ndikimin e këtyre ideologjive, të parën si një ndikim të huaj që nuk ngjiz në vend, ndërsa të dytën si një remenishencë në zhdukje nga e kaluara komuniste. Duke i konsideruar këto tipe ekstemizmash si reaksion, në një farë mënyre ato amistohen, pasi asnjë rast konkret nuk raportohet me ilustrim, dhe mbi të gjitha, sipas autorëve të raportit, këto tendenca“ në asnjë rast nuk shfaqen si pjesë e politikës editoriale të mediave kryesore.”

Megjithëse përpiqen të jenë të kujdesshëm për të bërë një ndarje mes Islamit si fe paqësore dhe islamizmit si ideologji ekstreme, duke u mbështetur në përkufizime të specialistëve të fushës së sigurisë, në asnjë rast nuk identifikohet në raport një media ose një organizatë konkrete, autorë apo ideologë që në këto gati tre dekada të rikthimit të fesë në jetën publike të kenë formësuar apo të kenë shtesëzuar një ideologji apo një përfytyrim ekstrem të frymëzuar nga keqinterpretimi i Islamit. Ndërsa në raport bëhet një historik i përgjithshëm i gjallërimit të aktiviteteve fetare tek myslimanët, me një fokusim të veçantë tek ndikimi i fondacioneve të huaja që sipas tyre kanë influencuar në krijimin e një çarje në bashkësinë e besimtarëve, një gjë e ngjashme nuk i rezervohet feve të tjera. Është qesharake sakaq që ndërsa një bashkësi tjetër fetare kreun e saj historik e ka të huaj, ndërsa tjetra e ka tashmë të huaj, analizohet gjerë e gjatë, gjithmonë në mënyrë të përgjithshme dhe pa fakte konkrete, ndikimi i të huajve në një bashkësi që të paktën krerët e saj i ka pasur shtetas shqiptarë të lindur në vend.

Duke parë larminë e qasjeve të tilla ndaj “fetares”, por që “hulumtojnë” kryesisht vetëm atë që konsiderohet myslimane apo në lidhje me Islamin, nuk mund ta anashkalonim këtë fenomen. Shkalla e abuzivizmit në të tilla raporte, ku në mënyrë të pandershme na kanë përfshirë edhe ne si media, na “detyroi” të reagojmë për të qartësuar tymnajën. Raporti që kemi në qendër të interesimit tonë nuk është i vetmi që në të njëjtën moment kohor hulumton fenë dhe mediat. Në një raport të ngjashëm, por me një titull edhe më ambig se i sipërcituari: Një vështrim i mbulimit mediatik të problematikës që lidhet me fenë, Janar- Dhjetor 2016 publikuar nga Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit (IDK), mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, media jonë online etiketohet si “zëdhënëse e besimit mysliman”, ndërkohë që asnjë media tjetër në raport nuk gëzon asociimin me asnjë prej besimeve fetare në vend. Pak rreshta më lart, tekstet e publikuara nga media jonë përkufizohen si “shkrime me autorë persona të afërt me segmente të caktuara të besimtarve myslimanë”. Ndërsa më poshtë tematikat e trajtuara në “Ezani” përshkruhen si “shqetësime që kanë ambiente të tilla”. Është e tepërt të kujtojmë se në cilat komunikata zyrtare dhe prej cilës epokë huazohet kjo terminologji e mykur, që tenton të shpikë dhe njëkohësisht të margjinalizojë realitete imagjinare, të klasifikuara si të huaja.

Një artikull që ka tërhequr vëmendjen e hartuesve të dy raporteve në fjalë është shkrimi i publikuar nga “Ezani”: “Myslimanët shqiptarë përball ekstremizmit laik i datës 14 Dhjetor 2015. Edhe pse del nga hapësira kohore e monitorimit, IDK-në e ka joshur kërshëria për të hulumtuar “shqetësimet e ambienteve të tilla” ku nëvizohet togfjalëshi “laicizëm ekstrem”, si përcaktues për një sërë shkrimesh në shtypin e vendit. Ndërkohë në raportin e ISHM, raport që siç përmendëm është në fokusin e interesimit tonë, i njëjti artikull merret si referencë për të ilustruar sipas tyre diskursin përjashtues ndaj figurave kombëtare, si pjesë e një narrative më të gjerë, të një kundërshtie ideologjike të fetares ndaj kombëtares. Jashtë kontekstit sillet si referencë fjalia: “Përpara se të lexojë Rusoin e Kullës, myslimani mëson gërmat e shqipes në abetare me Nënë Terezën, simboli më i pastër i çkombëtarizimit në emër të vokacionit fetar..” Fjalia që të ishte e plotë duhet të përmbante edhe pjesën tjetër: “..mëson se ai bart Fenë Orientale, të Imponuar nga Pushtuesi, se është i prapambetur dhe fajtor i fatkeqësive kombëtare, e madje s’di as të festojë, përveç Bajramit e synetllëkut, siç shkruan Ilir Konomi për Tiranën e 1917, në ndryshim nga ajo e sotmja, që bredhit i ka vendos kryqin.” Dashakeqësia përmes fragmentizimit të tekstit është e qartë përderisa artikulli në tërësinë e tij është një analizë-manual për hipokrizinë e qasjes laiciste ndaj Islamit në shoqërinë shqiptare. Por nuk mund të ndodhte ndryshe kur hartuesit e raportit, menjëherë pas fjalisë së sipërcituar, si për të sqaruaruar lexuesit (mbase porositësit) vazhdojnë me fjalinë: “Gjatë gjithë historisë së tyre, shqiptarët i kanë adhuruar dhe lartësuar Skënderbeun, Nënë Terezën apo idhuj të tjerë për origjinën e tyre shqiptare dhe jo për origjinën e tyre fetare dhe kontributet e tyre i kanë parë si pjesë e krenarisë dhe përkatësisë kombëtare dhe jo si pjesë e ndonjë lloj krenarie apo përkatësie fetare.” Artikulli i keqcituar nuk ka asnjë lidhje me atë që pretendojnë hartuesit e raportit. Media jonë ka publikuar me dhjetra artikuj që nënvizojnë me raste konkrete keqpërdorimin e lacitetit në kurriz të publikes, aq myslimane sa edhe e denominimeve të tjera. Pikërisht falsifikime si fjalia “sqaruese” e hartuesve të raportit janë shembulli më i qartë se si tentohet të manipulohet ideologjia kombëtare, gjithmonë në emër të laicitetit.

Jo më kot ky keqcitim është vendosur në kapitullin “Identiteti fetar përkundër identiteti kombëtar”. Hartuesit e raportit duke qenë me ndjeshmëri fetare të krishterë, edhe pse empirikisht e patestueshme, e refuzojnë kritikën që i bëhet përfshirjes së figurave me vokacion të pastër fetar në metanarrativën e re “kombëtare”, e cila përbën një precedent të rrezikshëm ndaj laicitetit të Shtetit Shqipëtar. Për hartuesit e raportit kjo lloj kritike është një përpjekje që kundërvë identitetin fetar me atë kombëtar. Sipas kësaj mendësie një kritikë që kërkon të ruaj laicitetin e institucioneve nuk mundet të artikulohet nga individë apo institucione me vokacion fetar mysliman. Diskursit të tyre i rezervohet vetëm dikotomia “identitet fetar” versus “identitet kombëtar”, fenomen, i cili me mosinteresimin dhe moscitimin respektiv të hartuesve të raportit, nuk ndodh tek fetë e tjera në vend. Gjithashtu tek “beteja” thjeshtëzuese ndaj figurës së Skënderbeut, hartuesit e raportit citojnë vetëm personazhe që e refuzojnë figurën e tij si një figurë kombëtare, nisur nga një lexim amator dhe jokontekstual i të dhënave, që anashkalon trashë faktin se heroi ynë kombëtar është ai i stilizuari nga Rilindja Kombëtare dhe jo ai i historiografisë së mesjetës. Në raport nuk përmendet diskursi tjetër ekstremis që kryqëzohet me të sipërcituarin, diskurs që heroin kombëtar e “rrëmben” nga konteksti nacionalist për ta shndërruar në një kampion të krishtërimit në luftë me Islamin. Shmangia e këtij dimensioni ekstremist që deformon figurën e Skënderbeut duke e shpërfytyruar, është pranimi në heshtje i këtij lloj diskursi ekstremist nga hartuesit e raportit.

Dashakeqësia ndaj medias sonë nga hartuesit e raportit shfaqet tejet tendencioze edhe në kapitullin “Sheriati apo shteti ligjor i demokracisë liberale? Kalifati në sfond..” ku një shkrim sociologjik ndaj fenomenit të “rigjallërimit islamik”, kategorizohet si pjesë e debatit që delegjitimon demokracinë liberale kundrejt ideologjisë islamiste. Shkrimi në fjalë, Rigjallërimi islamik: një perspektivë perëndimore e problemit e përmban që në titull faktin se fenomeni shihet sipas analizave dhe hulumtimeve të studiuesve perëndimorë. Pjesë të tekstit, që janë citime nga autorë si: Ira Lapidus, John Esposito, Oliver Roy dhe Gilles Kepel, nxirren nga konteksti dhe me togfjalësha si: “një identitet islam në rritje universale” dhe “identitet global mysliman” apo me fjalinë “këmbim vendesh me qasjen perëndimizuese, e zakonshme kjo në qeveritë në fillimet e shekullit XX” tentohen të shiten si ligjërim ekstremist, pjesë e një debati që minon shtetin ligjor, etj. Kjo lloj qasje ekstreme e hartuesve të raportit do të penalizonte secilin docent apo akademik që trajton fenomenin e rigjallërimit islamik duke e renditur auditorin e tij dhe tekstet përkatëse në mediume ku përhapen ide në kundërshtim me demokracinë liberale. Mjerimi profesional është kartvizita e këtij palo-raporti.

Sakaq hartuesit e raportit janë rigorozë edhe ndaj komenteve që shoqërojnë artikujt e publikuar prej nesh. Ata duhet të kenë qenë shumë të vëmendshëm në qëmtimin e komenteve të lexuesve të “Ezani”, pasi me vështirësi kanë përfshirë një të tillë që demostron tentativën e lexuesit për të diferencuar fenomenin e “selefizmit” nga ai i “tekfirizmit”. Komenti është “peshkuar” nën shkrimin e studiuesit të njohur Oliver Roy, me titull Xhihadizmi: një revoltë gjeneracionale dhe nihiliste”. Nuk marrim përsipër të hamendësojmë se çfarë ka pasur për qëllim komentuesi anonim kur ka shkruar: “Ngatërrimi i Selefizmit me Tekfirizmin është po aq i rrezikshëm sa ngatërrimi i Islamit me terrorizmin. Të gjitha karakteristikat që ka përmendur autori i përshtaten më së miri personave me ide tekfiriste, ose e shumta e atyre që e quajnë veten “selefijtë xhihadistë”, të cilët në fakt janë më shumë tekfirista se selefij”. Nga kjo mund të kuptojmë vetëm se komentuesi dakortësohet me përmbajtjen e tekstit, dhe sipas bindjes së tij dëshiron të specifikojë më mirë termat e përdorur aty. Këtë qasje “problematike” të dikotomisë “selefizëm” kundrejt “tekfirizëm” të cilët hartuesit e raportit e sjellin si ilustrim të debatit që legjitimon krijimin e dy shkollave fetare brenda Islamit shqiptar, çuditërisht pak paragrafë më lart në një farë mënyre e pohojnë edhe vetë kur thonë: “Duke patur parasysh mënyrën e tyre fetare konservatore të jetesës, të gjithë salafistët mund të konsiderohen fondamentalistë, por jo të gjithë janë militantë të dhunshëm.” Sipas logjikës së tyre, analiza dhe terminologjia që prek modernitetin e Islamit duhen të jenë instrumente eskluzivë  të hartuesve të raporteve të tilla. Përdorimi i tyre merr valencë diskursive ekstremiste ose jo nisur nga përkatësia fetare e artikuluesit të tyre apo qasja editoriale e medias që i publikon.

Dashakeqësia e hartuesve të raportit ndaj “Ezani” si media, mbërrin kulmin në kapitullin: “Diskursi antiperëndimor e antiamerikan dhe teza e standarteve të dyfishta.”, ku si shembull i promovimit të tezës së standarteve të dyfishta si akuzë antiperëndimore merret e veçuar një fjali nga artikulli “Post Paris” i publikuar nga “ Ezani”. Artikulli “Post Paris” është një homazh për viktimat e terorrizmit dhe të luftrave, dhe i bën thirrje publikut të jetë më i vëmendshëm ndaj tragjedive që ndodhin anembanë botës. Gjithashtu artikulli nënvizon tendencën përgjithësuese për të akuzuar  myslimanët kur pas ndonjë akti terrorist qëndrojnë individë apo grupe që vetidentifikohen si myslimanë. Një lexim i kujdesshëm i artikullit nuk lë hapsirë për akuza të tilla si ajo e “standarteve të dyfishta të shoqërive apo mediave perëndimore.” Pa asnjë konotacion përkeqësues, në artikull konsiderohet standart i dyfishtë neglizhenca e publikut, i cili për zakon solidarizohet në mediat sociale me viktimat më të mediatizuara, duke mos pasur të njëjtën vëmendje për viktimat e terrorizmit kudo në botë.

Nëse duhet të akuzohet dikush këtu për standarte të dyfishta janë pikërisht hartuesit e raportit problematik dhe të njëanshëm, “Analizë e diskursit ekstremist fetar në media”. Siç e kemi theksuar më lart, do të ishte më e ndershme që në krye të herës, raporti të zëvendësonte cilësorin “fetar”, me atë “mysliman”, por edhe nëse do të ishte kështu, prania e artikujve të “Ezani” është trendencioze, me qëllim për të kategorizuar si ekstremiste një media si e jona, e cila në dhjetra artikuj ka evidentuar dhe denoncuar ekstremizmat që minojnë bashkëjetesën paqësore në shoqërinë tonë. Po të hulumtohet me vëmendje në faqen tonë online, janë me dhjetra artikuj që kritikojnë dhe refuzojnë ekstremizmin në retorikën dhe veprimtarinë e individëve apo organizatave myslimane.

Po pse kjo dashakeqësi tinzare? Më herët, në raportin e vitit 2013 me titull,Prirjet e gjuhës së urrejtjes në median shqiptare publikuar nga ISHM dhe mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, po të njëtët autorë, sërisht kanë një qasje të diferencuar ndaj fetares. Kësaj radhe, për të mbrojtur “fenë” nga sulmet e padenja në median e shkruar dhe online, ata eskluzivisht evidentojnë vetëm ato raste që shfaqen problematike ndaj krishterimit dhe figurave të tij përfaqësuese. Sipas logjikës së tyre, “fetarja” merr ngjyrim të veçantë në varësi prej nga artikulohet diskursi ekstremist. Kur promovon ekstremizëm, “fetarja” është Islami, ndërsa kur është viktimë e dhunës verbale, “fetarja” shndërrohet në Krishtërim. Jemi gjithnjë tek standartet.

Tek ky raport, në kapitullin “Media dhe qëndrimi ndaj fesë”, hartuesit e tij si shembuj ilustrues të gjuhës problematike ndaj fesë në media, përzgjedhin tituj si: “Janullatos: Po sulmojnë Kishën nën maskën e artit”, “Nuk jemi në komunizëm, edhe Enveri respektoi Shën Kozmain” dhe “Janullatos në Shqipëri për interesat e Greqisë”. Si fill i kësaj problematike citohet edhe një intervistë e At Nikolla Markut që “vazhdon të kundërshtojë hapur kryepeshkopin”, si dhe nënvizohet diversiteti fetar i përcjellë në shtyp, “kryesisht e nisur nga kërkesat për gërmime në fshatrat e jugut për trupa të ushtarëve grekë”?! Meqë jemi tek satandartet, në këtë raport ka një paradoks interesant që duhet nënvizuar, pasi akuzohemi nga autorët e tij, si media që me diskusin tonë minojmë identitetin kombëtar në favor të atij fetar. Në kapitullin “Media dhe qëndrimi ndaj historisë dhe historianëve”, autorët përqendrohen kryesisht në mbrojtjen nga kritikat të historianit kontrovers zviceran Jens Schmitt. Kritikat për pikpamje subjektive dhe të pambështetura në burime, dhe rrjedhimisht akuza për qëndrim antishqiptar të historianit konsiderohen si gjuhë urrejtje. Në lidhje me mbrojtjen e Schmitt autorët arrijnë në përfundime të tilla si: “Kjo fjali e Schmitt, për hir të vërtetës, është shumë pranë fjalisë tjetër të cituar nga një burim i ndryshëm. Po për hir të vërtetës autori i shkrimit duhej të ishte aq i drejtë sa të pranonte se kjo është një fjali me një njohuri aq të përgjithshme sa që edhe nxënesi më i dobët i degës së historisë do ta formulonte pa asnjë problem dhe si e tillë nuk mund të merret karakterizuese për të justifikuar një akuzë aq të rëndë sa plagjiarizmi akademik.” Dukshëm kemi një rrëshqitje nga misioni i monitorimit dhe jemi në terrenin e tifozllëkut. Pasi vazhdojnë rresht për rresh me një avokati të panevojshme ndaj historianit, konkluzionin përfundimtar në këtë replikë të zellshme autorët e shprehin kështu: “Në fakt është për të ardhur keq që në shtypin shqiptar ka vend për artikuj të tillë, të cilët i përgjigjen veprës shkencore me sharje dhe etiketime personale, ndërsa argumentave me paranojë dhe paragjykime.” Dhe e gjithë kjo vëmendje sy e veshë e autorëve ndodh për të mbrojtur Schmitt nga “armiqësia e supozuar e historianit ndaj shqiptarëve dhe preferenca për serbët.”

Gjithashtu si gjuhë urrejtje në raport konsiderohet çdo lajm që evidenton kontekstin e nxehtë nacionalist dhe retorikën përkatëse të fillim vitit 2013, ku protagonistë janë organizata “Aleanca Kuq e Zi” si dhe grupime të ngjashme. Interesant është të nënvizojmë se në asnjë rast autorët nuk përmendin që kjo klimë nacionaliste ishte një lloj reagimi ndaj provokimeve të vazhdueshme të aktivitetit të partisë fashiste greke “Agimi i artë”, gjithashtu në një moment kulmor politik të saj. Ja një pjesë tjetër e raportit ku evidentohet sipas tyre gjuha e urrejtjes për të cilin nuk ka nevojë për koment: “Në disa shkrime ku raportohet për veprimtari të partisë Aleanca Kuqezi, citohen që në titull deklarata të bëra nga kryetari i kësaj partie, të cilat provokojnë ndjeshmëritë etnike, si p.sh. në shkrimet: “AK: Shteti shqiptar të arrestojë Dulen dhe Kserën, financojnë Agimin e Artë”, “AK në Korçë: Spahiu, gërmimet për varrezat greke – cënim i dinjitetit”. Në një shkrim tjetër me titull “Korçë, Omonia feston 22 vjetorin me himnin grek, krenare për Janullatosin”, shfaqet një gjuhë paragjykuese ndaj simboleve kombëtare të etnive të tjera. Gjithashtu në shkrim shfaqet një mungesë e respektit kortezial për Krypeshkopin e Kishës Ortodokse Anastasios, i cili thirret me mbiemrin e tij, duke cënuar kështu etikën e kërkuar në këto raste nga media. Ndërsa në shkrimin me titull “Epiri i Veriut” feston 99 vjetorin. Pirro Dhima: Jam grek”, deklarimi i origjinës etnike nga sportisti i njohur përmendet që në titull me një lloj nënteksti kontestues, edhe pse ky deklarim normalisht s’ka përse të përbëjë lajm. Kjo vjen si rrjedhojë e ndikimit të stereotipeve sipas të cilave përkatësia etnike e bën dikë më inferior apo më superior se tjetri.”

Obsesioni për t’i dalë në mbrojtje gjithçkaje “greke”, ilustrohet sërisht me përzgjedhjen si viktimë të gjuhës së urrejtjes të atletit Pirro Dhima. Në një intervistë që ky i fundit ka lëshuar për portalin “Balkanweb”, nga autorët problematizohet fakti pse gazetari e ka pyetur atletin mbi faktin nëse ka deklaruar ose jo se “fëmijët e mij kanë gjak shqiptari”, ndersa ai i pergjigjet duke deklaruar: “jam grek”! Kjo për autorët është joetike dhe pa inters publik sepse këtu: “përmendet pa vend origjina etnike e tjetrit me qëllim ose nëntekst diskretitimi.” Siç duket qartë nga retorika e autorëve, këtu jemi në elaborimin e ethshëm të manualeve klasikë të censurës.

 

Raporte ku monitorohen problematika që kanë interes publik, siç është diskursi ekstremist fetar në media, janë të mirëpritura sepse janë instrumente për të identifikuar dhe parandaluar tensione dhe konflikte të mundshme në shoqëri. Por raporte tendencioze që me pretekstin e fetares merren eskluzivisht vetëm me atë që bashkëshoqëron Islamin në shoqëri, janë produkte hipokrite që mbjellin dyshimin e rrezikshëm sikur problematika e ekstremizmit në lidhje me fenë ndodh vetëm tek myslimanët. Nga sa hulumtuam, për aq sa na takon si të keqcituar në këtë raport, na rrezultoi se hartuesit e raportit janë nisur qëllimshëm me dashakeqësi për të na përkufizuar si media ekstremiste. Dhe ky artikull pikërish kësaj i shërben, për të demontuar të pavërtetat të cilat përpiqet të na ngarkojë ky raport. Megjithatë edhe një tjetër pyetje duhet t’ia parashtrojmë hartuesve të raportit duke ndjekur fillin metodologjik që kanë aplikuar në punimin e tyre. Meqenëse kanë përdorur “indeksin e mediave ekstremiste” të Donald Holbrook, indeks që klasifikon në një shkallë renditje ligjërimet ekstremiste: në cilin nivel do ta klasifikonte Rrapo Zguri revistën “Rruga e Partisë”, dhe sidomos si do ta klasifikonte artikullin famëkeq të qershorit 1990, botuar aty vetëm pak muaj para rënies së diktaturës, me titullin: “Dikush pyet, “si të vishemi, si të vallëzojmë, si të këndojmë”?

Ne dhe publiku e kemi të qartë se në çfarë lloj indeksi klasifikohet revista “Rruga e Partisë”, pasi kjo nënkuptohet që në titullin e saj, revistë ku prej dekadash shfrynin dufin ideologjik lloj-lloj ekstremisti politik e lloj-lloj aparatçiku komunist që himizonte perversionin e rregjimit totalitar. Për hir të intersit publik na duhet të përmendim këtë pjesëz të mendimit politik totalitar, nga e shkuara jonë jo e largët që mban nënshkrimin e hartuesit të raportit. “Rruga e Partisë” ishte një nga instrumentat e shumtë propagandistik të regjimit komunist, dhe mund të konsiderohet nga ato më elitarët, pasi siç e theksuam, ajo që në titull evokon “rrugën”, la stretta via. Jo më kot kryeredaktori veteran i “Zërit të Amerikës” në librin e tij “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e vështirë drejt demokracisë” botuar në shqip nga shtëpia botuese “Ora”, artikullin “Dikush pyet, “si të vishemi, si të vallëzojmë, si të këndojmë” e konsideron si: qëndrim të rreptë të autoriteteve, sepse “studentët dënoheshin publikisht se vishnin xhinse, se dëgjonin muzikë rok dhe se mbanin flokë të gjatë.”

 

Se në çfarë lloj pozite është burokrati partiak i shndërruar në monitorues mediash, kuptohet që nga formulimi i titullit, “Dikush pyet..” sepse është sekretari i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë ai që i jep përgjigje. Që të jemi të qartë, pyetja është retorike, përdoret si pretekst për të shprehur qëndrimin zyrtar të regjimit ndaj presionit gjithnjë në rritje për ndryshim të përgjithshëm, ushtruar nga publikut, sidomos nga rinia. Këtë pyetje që nuk e bën askush, sekretari ia atribuon konservatorit sektar që bën thirrje për “vigjëlencë”, dhe liberalit që kërkon programin e “heqes së semaforëve”. Kjo pyetje sipas tij synon në mënyrë të tërthortë materializimin e këtyre tendencave ekstreme në shoqëri. Pranëvendosja e “konservatorit” dhe “liberalit” është një teknikë e qëllimtë që të dalë në dukje qëndrimi “natyral” i Partise, që sqaron paqartësitë e tendencave ekstreme. I gjithë parashtrimi është një shfaqësim i pamoralshëm sipas të cilit ndaj këtyre fenomeneve nuk ka diktat nga autoritetet përmes represionit administrative. Sipas sekretarit nuk ka një praktikë të fiksuar apo një program që përcakton shijet dhe tendencat e publikut, shijet nuk imponohen me dekrete apo me kodifikime, por këto shije dhe tendenca estetike janë përshtatur në shoqëri përmes një mekanizmi që ai e quan “seleksioneri intuitiv popullor”. “Seleksioneri” është ai që ka përshtatur tangon, valsin apo foksin, si lloje vallëzimi, gjithashtu është po ai që ka refuzuar shtëpitë publike që u shfaqën në Shqipëri në vitet 30’ të shekullit të kaluar. Por si funksionon “seleksioneri intuitiv popullor” në kohën kur sekretari elaboronte këto përsiatije filozofike hegeliane: “Në ditët e sotme, përkrah seleksionerit intuitiv popullor që tashmë përfaqsohet nga një opinion i gjerë shoqëror i emancipuar e i brumosur me shije të shëndoshë etike dhe estetike, vepron dhe një sistem i tërë aparatesh e institucionesh të edukimit, të cilat kanë përforcuar dhe e kanë bërë të ndjeshëm e shumë të aftë këtë mekanizëm përzgjedhës intuitiv

Por cilat janë këto aparate dhe institucione që veprojnë krahas “seleksionerit” dhe që kanë përsosur efikasitetin e tij misionar, dhe të një ndjeshmërie të lartë madie. Nuk pritet ndryshe në liturgjinë programore të një sekretari rinie komunist t’i shmangej instituconeve si: shkollat, organizatat e Partise dhe të masave, mjetet dhe institucionet e propagandës etj. Sipas tij janë këto instrumenta që ndihmojnë në “krijimin e koncepteve të drejta etike dhe estetike”. Shoku sekretar në shkrimin e tij dështon të na thotë, mbase me dashje, se si duhet të jetë qëndrimi politik ndaj atyre, që edhe pas ndihmës së organizatave të partisë etj, nuk do t’i përshtateshin dot “seleksionerit”. Mbase për këtë duhet shfletuar në faqet e tjera të “Rrugës..”, ku do të duhej të shkruante një artikull për armikun e klasës një tjetër shoku Rrapo, ai që të “priste letrat.”

Pas gjithë kësaj pardigme propagandistike që me cinizëm tenton të shesë atë që nuk e zotëron, sekretari del açik dhe deklaron se asgjë nuk ka ndryshuar dhe asgjë nuk do të ndryshojë. Me fjalët e tij ai thotë: “Nerëzve tanë u duhet vetëm ajo muzikë e ai art që përfaqson artin e vërtetë dhe jo shpërfytyrimin e tij”. ky është qëndrimi zyrtar ndaj pyetjes “tinzare”që bën “dikush” në dobi të “alarmit sektar” dhe të “zallamahisë liberale.” Nuk duhet harruar që sekretari, këto përsiatje që trasonin “rrugën”, ia parashtronte rinisë në një moment tejet kritik, ku qindra qytetarë do të qëlloheshin me plumb kufinjve të vendit, në tentativë për t’i shpëtuar terrorit të regjimit të shokut Rrapo.

Pasi pamë teknikën e monitorimit të medias në mënyrë selektive dhe keqdashëse, u ndalëm disi tek thelbi i shkrimit të sekretarit për të dëshmuar metamorfozën e qenieve të tilla, që rrugës përftojnë edhe një përmasë të vagullt fetare, të cilët ironikish sërisht merren me “moderimin” e fenomeneve ekstreme në shoqëri. Megjithatë edhe pse në harkun kohor të tre dekadave, kohë që i ka mundësuar sekretarit ankorimin e patrazuar në limane të begata, ekstremizmi, dashakeqësia, cinizmi dhe sektarizmi vazhdojnë të karakterizojnë kontributin e tij publik, për të ndryshuar vetëm stilin dhe objektivin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne