Të dielën, më 4 nëntor, në 926 vendvotime anembanë Serbisë, votuesit e regjistruar në listat zgjedhore të pakicave kombëtare do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në këshillat kombëtare. Në zgjedhje do të dalin votues të 22 komuniteteve, mbi gjysmë milioni qytetarë të Serbisë të cilët janë deklaruar si anëtarë të pakicave kombëtare.

Të drejtë vote do të kenë vetëm ata shtetas të Republikës së Serbisë, të cilët janë regjistruar në listën e veçantë të votuesve për pjesëtarët e pakicave kombëtare, sepse e drejta për të votuar në zgjedhjet për këshillat kombëtare nuk fitohet duke u regjistruar në listën e popullsisë, por duke u regjistruar në listën e veçantë të votuesve.

– Në zgjedhje 18 pakica

Numri i anëtarëve të bashkësive kombëtare në listën e popullsisë dhe në listën zgjedhësve të regjistruar në listën e votuesve dallon shumë, më saktësisht, është më i vogël numri i atyre të regjistruar dhe të cilët kanë marrë të drejtën për të votuar nga numri i përgjithshëm i asaj pakice kombëtare.

Një vendim i Ministrisë për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale nga 19 tetori, thotë se në listën e veçantë të zgjedhësve janë regjistruar 507.183 votues me të drejtë vote më 4 nëntor.

Ndryshe, nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2011, vlerësohet se numri i pakicave kombëtare në Serbi është 13 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë.

Për 18 bashkësi kombëtare, votuesit do të zgjedhin anëtarët e këshillit kombëtar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ndërkohë që anëtarët e pakicave maqedonase, kroate, malazeze dhe ruse do të zgjidhen përmes asamblesë zgjedhore.

Kjo do të thotë se qytetarët me të drejtë vote në këto zgjedhje, do t’u japin nënshkrime kandidatëve në këto komunitete, të cilët, nëse marrin numrin e nevojshëm të nënshkrimeve, më vonë do t’i përfaqësojnë në asamblenë elektorale dhe do të zgjedhin këshillin kombëtar.

Nga 18 bashkësitë të cilat shkojnë në zgjedhje të drejtpërdrejta, më në numër është komuniteti hungarez me mbi 129.000 votues, vijojnë boshnjakët, mbi 103.000, romët mbi 66.000 dhe shqiptarët rreth 36.000 votues të regjistruar.

Për këshillin kombëtar shqiptar janë paraqitur gjashtë lista.

Ligji për Këshillat Kombëtare të Pakicave, parashikon që varësisht nga numri i anëtarëve të bashkësisë kombëtare, numri i anëtarëve të Këshillit të variojë nga 15 në 35 anëtarë. Komunitetet që kanë më pak se 10.000 anëtarë në listë kanë 15, dhe komunitetet kombëtare me më shumë se 100.000 kanë 35 anëtarë.

Fletëvotimet për votuesit shqiptarë do të jenë në gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik, por edhe në shqip.

Burimi: AA

6