Serbi u shemb xhaminë muslimanëve përpara Ramazanit

Autoritetet lokale shembën një xhami të paligjshme në periferi të Beogradit, pasi policia serbe rrethoi zonën në një aksion para agimit të premten, një ditë përpara muajit të shenjtë të Ramazanit, pavarësisht nga protestat e muslimanëve vendas dhe klerit islamik.

Ndërtimi i një xhamie dykatëshe pa minare në lagjen Zemun Polje filloi në vitin 2014, edhe pse autoritetet kishin refuzuar t’i jepnin një leje ndërtimi.

Të enjten, autoritetet u përpoqën të prishnin ndërtesën, por u tërhoqën pas protestave nga muslimanët, kryesisht pjesëtarë të minoritetit rom. Herët të premten, ata u kthyen me shoqërimin e policisë dhe shkatërruan pjesën më të madhe të ndërtesës.

Kryebashkiaku i qytetit të Beogradit, Goran Vesiq tha se autoritetet “shkatërruan një ndërtesë të paligjshme, në përputhje me ligjin”, raportoi agjensia e lajmeve Tanjug.

Kleriku më i lartë i Beogradit, Myftiu Muhamed Jusufspahiç, tha se bashkësia islame do të protestonte ndaj Presidentit serb.

“Ne jemi të befasuar pasi kjo ndodhi në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit”, tha Jusufspahiç për Reuters.

Ndërkohë, më shumë se 100 muslimanë falën namazin e së premtes para godinës së shkatërruar, ndërsa policia i vëzhgonte nga afër.

Imam Emin Zejnullahu tha për Anadolu Agency se ai arriti në rrugën ku kishte ndodhur prishja e xhamisë herët në mëngjes, por policët nuk e lejuan të kalonte. Ai pretendoi se një oficer policie e shtyu atë dhe e bëri të binte në tokë, si dhe më vonë e kërcënoi.

Zejnullahu deklaroi se do të prisnin reagimin e qeverive në rajon për të parë nëse ato do të ishin përkrahnin lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut. Ai shtoi se ata nuk do të protestonin ndaj prishjes dhe do të vazhdonin të faleshin derisa shteti të binte dakord për të ndihmuar komunitetin e tyre.

Bashkimi Islamik i Serbisë, i lidhur me Presidencën Turke të Çështjeve Fetare (Dijanetin), e dënoi gjithashtu prishjen që ndodhi me qëllim, sikur të donte të “festonte” fillimin e Ramazanit për muslimanët serbë, veçanërisht për ata që jetonin në Beograd dhe në lagjen Zemun.

Zyrtarët e Bashkimit Islamik të Serbisë pranuan se nuk kishin leje ndërtimi, por se ata kishin aplikuar për regjistrimin e ndërtesës. Ata vunë në dukje se rreth 500 rezidenca dhe një kishë në zonë gjithashtu nuk kanë leje ndërtimi.

Në kryeqytetin serb prej rreth 1.6 milionë banorësh, ka rreth 20.000 muslimanë praktikues dhe vetëm një xhami, e cila u ndërtua në vitin 1575, kur Ballkani u sundua nga turqit otomanë.

“Kemi kërkuar që njerëzit të qëndrojnë të qetë”, tha ai. “Autoritetet zgjatën duart ndaj të varfërve … komunitetet e tjera fetare po i ndërtojnë vendet e tyre të adhurimit pa pengesa,” tha ai.

Jusufspahiç tha se autoritetet e Beogradit nuk kanë lëshuar as edhe një leje të vetme ndërtimi për komunitetin islamik gjatë pesë dekadave të fundit. Pretendimi i tij nuk u arrti të vërtetohej.

Serbia ka rreth 230,000 muslimanë ose 3.1 për qind të popullsisë së përgjithshme, kryesisht të përqendruar në rajonin jugperëndimor të Sanxhakut që kufizohet me Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi. Shumica e popullsisë së vendit janë serbë që janë kryesisht kristianë ortodoksë.

Vendi ballkanik është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por para se të bashkohet me bllokun, ai duhet të përmirësojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e pakicave fetare dhe etnike. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne