Serbisë për t’u anëtarësuar në BE i duhet njohja e Kosovës

Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi, deklaroi të martën raportuesja e Parlamentit Evropian në Kosovë, Ulrike Lunaçek.

Në një konferencë për shtyp, Lunaçek theksoi se “vonimi i ratifikimit të kësaj marrëveshje mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën, deri në mbylljen e derës”.

“Secili në Kuvendin e Kosovës të përparojë në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Është kjo mundësi dhe duhet të shfrytëzohet. Sa i përket çështjes së lëvizjes së qytetarëve, topin e ka Kuvendi i Kosovës. Të ratifikojnë, të arrijnë 2/3 e votave sepse koha po ecën. BE-ja ka një rritje nga refugjatët dhe kjo ka ndryshuar peizazhin politik në shumë shtete, ku shumë parti nuk dëshirojnë më refugjatë dhe kjo në të ardhmen mund të ketë pasoja edhe për Kosovën. Ju duhet të shfrytëzoni këtë sepse dera mund të mbyllet”, theksoi ajo.

Lunaçek u shpreh se punën e raportueses e ka bërë me shumë dëshirë dhe është e kënaqur gjatë 8 viteve, ku ka pasur përparim në disa gjëra, ndërsa theksoi se shëndetësia, arsimi dhe punësimi janë pikat që fushat që ende ka nevojë të punohet në to.

“Ka nevojë për përparim në marrëdhëniet e Kosovës dhe BE-së dhe mes Kosovës dhe Serbisë. Kur flasim për arsimin, shëndetësinë dhe punën, mendoj se këtu do të doja të shihja më shumë në të ardhmen”, tha ajo.

Duke theksuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, Lunaçek tha se implementimi i marrëveshjes së arritur për drejtësinë është një progres i mirë. Ajo tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën për t’u anëtarësuar në BE.

Lunaçek tha se edhe implementimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim (MSA) i filluar vitin e kaluar ka një rëndësi shumë të madhe për qytetarët e vendit. Ajo shtoi se qytetarët e Kosovës të cilët kërkojnë punësim, edukim dhe shëndetësi, MSA-ja mund të ofrojë një ambient dhe perspektivë për zhvillimin e fushave në fjalë.

Pasardhësi i Lunaçek, Igor Sholtes u shpreh se Lunaçek ka merita të mëdha për punët në Kosovë.

“Shumë gjëra duhet të përmirësohen dhe të kryhen. Legjislacioni në Kosovë është në gjendje shumë të mirë, por problemi mund të jetë zbatimi i tij. Dhe çfarë është me rëndësi është sistemi gjyqësor, sepse pa pasur gjyqtar të pavarur nuk mund të mbroni të drejtat e njeriut”, theksoi Sholtes.

Ai tha se “Kosova ka nevojë që të rinjtë të rrinë këtu dhe qeveria është në krye të kësaj sfide”.

“Unë do të mundohem të bëjë më të mirën e mundshme si raportues i PE-së, me pozitën dhe opozitën që të krijojmë së bashku të ardhmen e Kosovës”, premtoi Sholtes

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne