SHBA – Dorëheqje në Shtëpinë e Bardhë për rastin Khashoggi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tronditur nga dorëheqja e Kirsten Fontenrose, drejtoreshë për Çështjet e Gjirit dhe Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Duke u bazuar në dy emra që e njohin çështjen nga afër, gazeta amerikane “The New York Times” ka pretenduar se Fontenrose ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj mbrëmjen e së premtes.

Në detaje të lajmit thuhet se Kirsten Fontenrose është një nga zyrtaret më të rëndësishme në përcaktimin e sanksioneve amerikane kundër sauditëve në lidhje me rastin Jamal Khashoggi dhe se pak kohë më parë ajo ka realizuar kontakte në Riad.

Bëhet e ditur se drejtoresha për Çështjet e Gjirit dhe Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë është një mbështetëse e flaktë e vendosjes së sanksioneve të ashpra ndaj sauditëve dhe ka luajtur rol protagonist sidomos në përfshirjen e Saud al-Qahtanit, kryekëshilltar i princit të kurorës, Mohammad bin Salman, në listën e sanksioneve.

Pasi thekson se ende nuk është e qartë arsyeja e kësaj dorëheqjeje, e përditshmja “The New York Times” pretendon se dorëheqja e Fontenroses mund të ketë ardhur si pasojë e debateve brenda Shtëpisë së Bardhë nga qëndrimi i ashpër i saj kundër sauditëve.

Tani për tani as Shtëpia e Bardhë dhe as vetë Kirsten Fontenrose nuk janë prononcuar në lidhje me çështjen në fjalë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne