SHBA godet Presidentin e Venezuelës me sanksione financiare

Administrata e Trumpit goditi të hënën me sanksione financiare presidentin venezuelian Nicolas Maduro, menjëherë pas zgjedhjeve të fundjavës që i dhanë partisë qeverisëse të vendit të Amerikës së Jugut fuqi pothuajse të pakufizuara.

Sanksionet ngrijnë çfarëdo pasurie që Maduro mund të ketë në juridiksionin e SHBA-së dhe ndalojnë amerikanët që të bëjnë biznes me të. Ato u përvijuan në një njoftim të shkurtër nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit, përpara një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë.

Impakti monetar i sanksioneve nuk ishte menjëherë i qartë, pasi zotërimet e Maduros në juridiksionin e SHBA-së, nëse ka ndonjë, nuk u publikuan. Megjithatë, imponimi i sanksioneve ndaj një kreu shteti është i rrallë dhe mund të jetë simbolikisht i fuqishëm, duke bërë që vendet e tjera të shmangin një udhëheqës të tillë. Për shembull, SHBA ka ngritur sanksione kundër Presidentit Sirian Bashar Assad që nga viti 2011.

Veprimi i së hënës ndjek një kërcënim të SHBA-së javën e kaluar kundër Maduros dhe qeverisë së tij socialiste, nëse ata shkonin përpara me zgjedhjet e së dielës. Opozita e Venezuelës e quan atë një kapje të pushtetit.

“Zgjedhjet e paligjshme të djeshme konfirmojnë se Maduro është një diktator që shpërfill vullnetin e popullit venezuelian,” tha Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin. “Duke sanksionuar Maduron, Shtetet e Bashkuara e bëjnë të qartë kundërshtimin tonë ndaj politikave të regjimit të tij dhe mbështetjen tonë për popullin e Venezuelës që kërkon ta kthejë vendin në një demokraci të plotë dhe të begatë”.

Ai paralajmëroi dënime të mëtejshme të SHBA-së kundër aleatëve të Maduros.

“Kushdo që merr pjesë në këtë kuvend konstituiv, mund të ekspozohet ndaj sanksioneve të ardhshme të Shteteve të Bashkuara për rolin e tyre në minimin e proçeseve dhe institucioneve demokratike në Venezuelë,” tha Mnuchin.

Zyrtarët thanë se sanksionet mund të synojnë sektorin e naftës së Venezuelës, duke përfshirë ndoshta kompaninë e saj shtetërore të naftës.

Por pas njoftimit, një zyrtar tha se administrata e Trumpit u përmbajt nga kjo për shkak të komplikimeve të mundshme. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për proçesin dhe kërkoi anonimitet.

Asambleja do të hartojë një kushtetutë të re që shumë njerëz besojnë se ka për qëllim vetëm sigurimin e sundimit gjithnjë e më autoritar të Maduros. Të hënën, qeveria e Venezuelës tha se zgjedhjet i kishin dhënë atij një mandat popullor për të rimodeluar në mënyrë dramatike sistemin politik, pavarësisht pretendimeve të përhapura të pjesëmarrjes së ulët të votuesve.

Administrata e Trumpit ishte e shpejtë për të denoncuar votimin.

“Zgjedhja e ashpër e Maduros është një tjetër hap drejt diktaturës”, tha në Twitter Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. “Ne nuk do të pranojmë një qeverisje të paligjshme. Populli dhe demokracia venezueliane do të mbizotërojnë.”

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se asambleja e re “është projektuar për të zëvendësuar Kuvendin Kombëtar të zgjedhur ligjërisht, dhe për të minuar të drejtën e popullit venezuelian për vetëvendosje”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne