SHBA: Ish-ministri Saimir Tahiri i implikuar me trafikantët e drogës

Çështja “Tahiri” është ngritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si shqetësim për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Harry Kamian deklaroi në Vjenë se ish-ministri i Brendshëm shqiptar është implikuar në mbështetje të trafikantëve të drogës.

“Korrupsioni dhe kriminaliteti mbeten pengesat për zhvillimin e Shqipërisë. Në një situatë të tillë, një ish-ministër i brendshëm, i cili tani është anëtar i Parlamentit, është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës”- tha i ngarkuari me punë i SHBA në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.

Deklarata e zyrtarit amerikan u bë gjatë diskutimeve në OSBE për raportin vjetor të kësaj organizate, i cili  u prezantua nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.

Ky është qëndrimi më i fortë që SHBE me anë të diplomatëve të saj ka mbajtur për çështjen “Tahiri”.  Ambasada e SHBA në Tiranë, deri më sot, nuk ka bërë komente për këtë çështjet. Ndërkohë, disa javë më parë, Zëvendës ndihmës sekretari amerikan Hoyt Brian Yee deklaroi se politika nuk duhet të abuzojë më imunitetin parlamentar. Brian Yee nuk bëri komente mbi pozicionin e Tahirit duke u shprehur se kjo është një çështje e drejtësisë.

Deklarata e bërë nga ambasadori i SHBA në OSBE, një organizatë ndërkombëtare me ndikim në zhvillimet politike në vend, flet për vëmendjen e madhe me të cilën po shihet nga SHBA çështja “Tahiri”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne