SHBA – James Mattis nënshkruan urdhrin ekzekutiv për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka firmosur të dielën vendimin qeveritar për tërheqjen e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Siria.

Lajmi është publikuar nga televizioni amerikan “CNN”, që citon dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes të kenë thënë se sekretari Mattis, i cili do të largohen nga ky post në muajin janar, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për largimin e trupave amerikane nga Siria, ku është përcaktuar gjithashtu mënyra dhe kalendari i tërheqjes së ushtarëve të SHBA-së nga Siria, manovër kjo që pritet të nisë gjatë javëve të ardhshme dhe të zgjasë disa javë.

Pas vendimit të tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, Presidenti Donald Trump pati njoftuar se Mattis nuk do të qëndronte më gjatë në postin e sekretarit të Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, një vlerësim mbi vendimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria ka bërë për televizionin “CNN” edhe senatori i Kentakit, Rand Paul.

Duke theksuar se ndryshimi i qeverive të vendeve të tjera nuk është punë e Uashingtonit, senatori Paul vuri në pah se Presidenti Trump ka të drejtë kur e përkufizon ndërhyrjen e SHBA-së në Irak si “fatkeqësia më e madhe e politikës së jashtme”.

Ai potencoi gjithashtu se ata që kritikojnë vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga Siria, janë po ata gjeneralë amerikanë që mbështetën ndërhyrjen e SHBA-së në Irak.

“Unë krenohem me Presidentin. Kjo është pikërisht ajo çfarë ai premtoi dhe për mendimin tim njerëzit kanë të njëjtin mendim me të. Ne po luftojmë prej një kohe të gjatë në shumë vende dhe kemi shpenzuar me triliona dollarë në këto luftëra. Ai është një person ndryshe. Prandaj edhe u zgjodh”, komentoi ligjvënësi republikan nga Kentaki.

Kurse Trumpi postoi në “Twitter” deklaratat në fjalë duke i shoqëruar ato me një mesazh falënderimi për senatorin Paul.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne