SHBA – Jep dorëheqjen edhe Anthony Zinni, përfaqësues special për krizën e Gjirit

I ngarkuar nga administrata e Presidentit Donald Trump për të zgjidhur krizën ndërmjet Dohas dhe shteteve arabe për shkak të bllokadës së vendeve të Gjirit ndaj Katarit, Anthony Zinni ka bërë me dije dorëheqjen e tij nga posti në Departamentit amerikan të Shtetit gjatë një interviste për kanalin informativ “CBS News”.

Ish-kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së theksoi se dorëheqja e tij ka ardhur pasi administrata Trump ka refuzuar të bëhet pjesë e Aleancës Strategjike të Lindjes së Mesme (MESA), e cila është prezantuar si “NATO-ja arabe” dhe planifikohet të themelohet me pjesëmarrjen e vendeve të Gjirit Persik.

Në një dalje publike në lidhje me dorëheqjen e përfaqësuesit Zinni, ndihmëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Palladino, vuri në pah se procesi ndërmjet palëve do të vazhdohet nga Departamenti i Shtetit.

“Shprehim mirënjohjen tonë ndaj gjeneralit Zinni për punën e tij në Departamentin e Shtetit dhe për shërbimet që i ka dhënë vendit tonë”, deklaroi Palladino.

Në vitin 2017, Zinni qe emëruar përfaqësues special në Departamentin e Shtetit me kërkesë të ish-sekretarit të Shtetit Rex Tillerson dhe ish-sekretari të Mbrojtjes Jim Mattis.

Tillerson u shkarkua nga Presidenti Trump, ndërsa Mattis dha dorëheqjen pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne