ShBA – Mbi 600 protesta kundër politikës së Trumpit ndaj emigrantëve

Kundër politikës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump ndaj emigrantëve, duke i ndarë fëmijët nga familjet që kanë hyrë me rrugë të jashtëligjshme në ShBA, u organizuan më shumë se 600 protesta në mbarë vendin.

Me mijëra protestues marshuan në urën Brooklyn në Nju-Jork, që njihet si vendlindja e Trumpit dhe “kalaja” e Demokratëve.

Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Mos i ndani familjet”, “Donald Trump duhet të ikë”, “Zot president përse ushqimi meksikan ju pëlqen, e meksikanët jo? Mos i ndani familjet”, “Nuk ka vend për urrejtje dhe frikë, mirë se erdhët emigrantë”.

Protestuesit lëshuan slogane kundër Trumpit. Ata u mbështetën edhe nga drejtuesit e automjeteve, të cilët i binin borisë.

Kurse në Uashington protestuesit kaluan para hotelit “Trump”, ku brohoritën slogane “Të të vijë turp”, “Nuk është presidenti im”.

Ajo që ra në sy ishte se familjet kishin marrë pjesë në protestë së bashku me fëmijët e tyre të vegjël.

Kuratori i teatrit të suksesshëm muzikal “Hamilton”, Lin Manuel Miranda mori pjesë në protestë dhe këndoi ninulla. Ndërsa këngëtarja e njohur amerikane Alicia Keys, e cila ishte e pranishme në protestë së bashku me vajzën e saj 7-vjeçare, lexoi një letër të shkruar nga një nënë, të cilës i është marrë fëmija.

Edhe fëmijët e vegjël mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Fëmijët nuk duhet të vendosen nëpër kafaze”.

Pas reagimeve nga i gjithë vendi dhe opinioni publik ndërkombëtar, Trump nënshkroi dekretin, i cili i jep fund ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre që kanë hyrë në ShBA-të me rrugë ilegale. Mirëpo, ende më shumë se 2.000 fëmijë mbahen të ndarë nga familjet e tyre./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne