ShBA mohon lajmet për 1.000 trupat që do të mbeten në Siri

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm amerikan gjeneralarmate Joseph Dunford mohoi të dielën pretendimet e gazetës amerikane “Wall Street Journal” (WSJ) në lidhje me Sirinë, sipas të cilave planet ushtarake janë për të mbajtur afërsisht gjysmën e 2.000 trupave amerikane të vendosura në Siri pas një tërheqjeje të deklaruar dhjetorin e kaluar nga Presidenti Donald Trump.

Disa orë pas publikimit të lajmit nga “Wall Street Journal” (WSJ) shtatmadhoria amerikane lëshoi një komunikatë me shkrim.

Shefi i Shtabeve të Bashkuara të ShBA-së, gjeneralarmate Joseph Dunford i quajti numrat e forcave të reja të raportuara “faktikisht të pasakta”, duke këmbëngulur se nuk ka pasur ndryshime në 400 trupat e planifikuara për të qëndruar në Siri dhe të njoftuara nga Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar.

“Për më tepër, ne vazhdojmë të bëjmë një planifikim të detajuar ushtarak me Shtabin e Përgjithshëm të Turqisë për të adresuar shqetësimet e sigurisë turke përgjatë kufirit Turqi-Siri,” tha Dunford në këtë komunikatë. “Planifikimi deri më sot ka qenë produktiv dhe ne kemi një koncept fillestar që do të përpunohet në ditët në vijim”, shtoi ai.

Gazeta “Wall Street Journal” në një lajm të saj, mbështetur tek zyrtarët ushtarakë amerikanë, kishte shkruar se administrata e Trumpit po përgatitet të lërë në Siri rreth 1.000 ushtarë pas procesit të tërheqjes nga ky vend.

Gazeta tha se ShBA-ja tani po kërkon të vazhdojë bashkëpunimin e saj me Forcat Demokratike të Sirisë (FDS) të udhëhequra nga YPG-ja pavarësisht paralajmërimeve të Turqisë se do të kryejë një operacion ndërkufitar kundër degës siriane të PKK-së.

Sipas “Wall Street Journal” administrata amerikane në bisedimet që ka realizuar me Turqinë, aleatët e saj evropianë dhe organizatën terroriste YPG/PKK, e cila përdor emrin Forcat Demokratike të Sirisë (FDS), nuk ka arritur konsensusin për krijimin e një “zone të sigurt” në veri të Sirisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne