SHBA mohon të ketë ndryshuar qëndrim ndaj marrëveshjes së Parisit për klimën

Komisioneri europian për Klimën, Miguel Arias Canete ishte shprehur të shtunën se zyrtarët e Trumpit kishin lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund edhe t’i qëndronin marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, ose të rishikonin kushtet e saj.

Por Shtëpia e Bardhë ka reaguar të dielën dhe ka këmbëngulur se nuk ka asnjë ndryshim në pozicionin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Uashingtoni do të largohet nga pakti i Parisit për klimën, pavarësisht raportimeve për një zbutje të qëndrimit. Në qershor 2017, presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga marrëveshja. Ai theksoi në atë kohë se ky vendim ishte pjesë e “detyrës së tij solemne për të mbrojtur Amerikën” dhe se do të kërkonte një marrëveshje të re, që nuk do t’u sillte dëme bizneseve amerikane. Por kundërshtarët e këtij vendimi thonë se, tërheqja nga akordi është një “abdikim” i lidershipit amerikan ndaj një prej sfidave më të rëndësishme globale. Marrëveshja e Parisit për klimën angazhon Shtetet e Bashkuara dhe 187 vendet e tjera nënshkruese, që të ruajnë rritjen e temperaturave globale nën 2 gradë Celsius nga nivelet paraindustriale, e të përpiqen ta kufizojnë atë edhe në 1.5 gradë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne