“ShBA ndjek një politikë hipokrite në lidhje me PKK-në”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Jezidi në Irak, Haydar Shesho deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ndjekin një politikë hipokrite në lidhje me organizatën separatiste terroriste PKK dhe se ShBA-ja i mbështet terroristët e PKK-së në provincën Sinxhar të Mosulit nëpërmjet veriut të Sirisë.

Në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve AA (Anadolu Agency) banori i Sinxharit, Haydar Shesho, bëri deklarata rreth “solidaritetit ShBA-PKK” në rajon.

Duke kritikuar me në gjuhë të ashpër qasjen amerikane ndaj organizatës terroriste, Shesho tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjekin një politikë me dy fytyra për sa i takon PKK-së. Administrata e Uashingtonit nga njëra anë shpall shpërblime të majme për kapjen e drejtuesve të lartë të PKK-së, kurse nga ana tjetër bashkëpunon me këtë organizatë dhe zgjatimet e saj në Sinxhar (Shengal) dhe në veri të Sirisë”.

Sinxhari është i mbushur plot me kampe ushtarake dhe shtabe drejtuese të PKK-së,- sqaroi Shesho, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë në solidaritet të plotë me PKK-në dhe grupet e lidhura me të. Jezidët, që i ka marrë me forcë, PKK-ja i vendos nën armë në kampet e stërvitjes ushtarake që ka ngritur në Shengal (Sinxhar)”.

Autoritetet e Qeverisë qendrore të Irakut (Bagdad) në takimet që zhvillojnë me Turqinë theksojnë se PKK-ja nuk do të qëndrojë në tokat e Irakut, mirëpo organizata mbështetet financiarisht nga ushtria irakiane dhe grupi “Hashdi Shabi”, shtoi ai.

Gjatë sulmit që DAESH-i ndërmori në Sinxhar më 3 gusht 2014, PKK-ja erdhi në rajon nga Siria dhe Malet Kandil me pretekstin se do të merrte në mbrojtje komunitetin Jezidi të Irakut dhe filloi të ngulitet në këtë provincë të Mosulit.

Pastaj organizata vazhdoi të ndjekë një politikë ekspansioniste, pavarësisht se Sinxhari ishte pastruar tashmë nga DAESH-i. Si reagim ndaj kësaj Jezidët u armatosën në grupe me emra të ndryshëm.

Në tetor të 2017-ës, qeveria qendrore e Irakut, me operacionet ushtarake që bëri, rivendosi kontrollin në rajonet e diskutueshme, veçanërisht në Sinxhar.

Në mars 2018, pasi Sinxhari kishte kaluar nën kontrollin e administratës së Bagdadit, PKK-ja argumentoi se militantët e saj ishin tërhequr nga provinca duke pretenduar se në kampet e saj të boshatisura ishte vendosur ushtria e rregullt irakiane. Por megjithatë, PKK-ja vazhdon politikën e saj ekspansioniste në rajon./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne