SHBA sulmon Sirinë me raketa – Përditësime Live

SHBA ka goditur me pothuajse 60 raketa një aeroport të ushtrisë siriane, duke pretenduar se ai është përdorur për të kryer një sulm me armë kimike në një qytet të mbajtur nga rebelët në provincën e Idlibit të martën.

7 prill 2017

17:45

Përdorimi i armëve kimike është absolutisht i papranueshëm, ka thënë Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë, duke shtuar se pala fajtore duhet të gjendet dhe të dënohet.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka konfirmuar se Shtetit Islamik dhe Militantët Al-Nusra prodhojnë substanca helmuese dhe i përdorin ato në Siri dhe Irak, duke vënë në dukje se terroristët gjithashtu kanë qasje në prekursorët që vijnë nga vendet fqinje vende.

17:23

Një përfaqësues nga Uruguai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “përmbahet” nga veprimet e mëtejshme ushtarake në Siri. Duke folur në takimin e Këshillit të Sigurimit, ai tha se vendet duhet “të qetësohen dhe të vazhdojnë” me “respektimin e ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.”

Italia bëri thirrje për një “tranzicion politik të udhëhequr nga OKB-ja” në Siri, si “mënyra e vetme” për të shmangur “dhunën e mëtejshme.”

15:47

Hizbollahu tha të premten se sulmi i SHBA-së ishte një “hap idiot”, i cili do të çojë në “tensione të mëdha dhe të rrezikshme” në Lindjen e Mesme. Hizbollahu, i cili mbështet presidentin sirian Bashar al-Asad në konfliktin gjashtë-vjeçar, tha në një deklaratë se sulmi nuk do e demoralizojë ushtrinë siriane apo të ndikojë negativisht aleatët e saj. Veprimi ushtarak i SHBA-së ishte një “shërbim” ndaj Izraelit dhe ambicieve të tij në rajon, ka shtuar Hezbollahu pa dhënë hollësira.

15:30

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nëpërmjet zëdhënëses e ka quajtur situatën në Siri “një konflikt të armatosur ndërkombëtar” pas sulmeve në aeroportin sirian në Shayrat.

“Çdo operacion ushtarak nga një shtet në territorin e një shteti tjetër pa pëlqimin e këtij të fundit konsiderohet një konflikt i armatosur ndërkombëtar,” tha Iolanda Jaquemet.

15:29

Sulmi raketor nuk ka shkelur vetëm ligjet ndërkombëtare, por edhe ato të vetë SHBA-së, tha Kryeministri rus Dmitry Medvedev, duke shtuar se sulmi ishte “në prag të një përplasjeje ushtarake me Rusinë.”

“Në vend të një deklarate për një luftë të përbashkët kundër armikut më të madh, ISIS-it, Shtetit Islamik, administrata e Trampit ka dëshmuar se do të luftojë ashpër qeverinë legjitime siriane”, shkroi në faqen e tij në Facebook Medvedev.

Sulmi i Uashingtonit u krye “në një kundërshtim të ashpër me të drejtën ndërkombëtare dhe pa miratimin e OKB-së,” vazhdoi duke thënë ai, duke shtuar se janë shkelur edhe procedurat e brendshme amerikane për një veprim të tillë ushtarak, pasi së pari duhet të njoftohet Kongresi për çdo operacion ushtarak të palidhur me agresion kundër SHBA-së.

14:33

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të takohet në orën 16:30 të premten për të diskutuar mbi sulmet raketore amerikane në Siri. Takimi i këshillit 15-anëtarësh do të jetë publik sipas diplomatëve.

14:16

Australia ka bërë thirrje për “një përgjigje të fortë” ndërsa dënonte sulmin e dyshuar me armë kimike në Idlib, raporton Guardian, duke cituar intervistën e Kryeministrit australian Malcolm Turnbull.

“Ne e kemi dënuar këtë sulm krejtësisht. Ai thërret për një përgjigje të fortë dhe ne jemi në komunikim shumë … të ngushtë dhe të vazhdueshëm me aleatët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara,” tha Turnbull.

14:02

Belgjika beson se vetëm një zgjidhje politike mund të zgjidhë konfliktin sirian, sipas Ministrit të Jashtëm Didier Reynders.

Ai u bëri thirrje partnerëve europianë për të parandaluar shkallëzimin e mëtejshëm dhe i bëri thirrje BE-së që të sigurojë dialogun midis Rusisë dhe SHBA-së.

Reynders nuk e dënoi sulmin e njëanshëm raketor të SHBA-së, por bëri thirrje për një hetim mbi pretendimin e përdorimit të armëve kimike në provincën e Idlibit. Megjithatë, ai fajësoi qeverinë siriane për sulmin, duke pretenduar se Asadi nuk mund të mbetet në pushtet pas veprimeve të tilla.

12:40

Ka raporte kontradiktore mbi numrin e të vrarëve në sulmin amerikan me raketa, me versione të ndryshme nga 4 deri në 10 viktima.

Katër ushtarë sirianë kanë vdekur sipas ushtrisë ruse, ndërsa një oficer i ushtrisë siriane tha për RIA Novosti se janë vrarë 10 trupa. Më parë, ushtria siriane ka thënë se sulmi ka rezultuar në vdekjen e gjashtë ushtarëve.

Guvernatori i Homsit ka fajësuar sulmin e SHBA-së për të paktën pesë të vdekur, përfshirë dy civilë dhe tre pjesëtarë të personelit ushtarak.

SANA, agjensia shtetërore e lajmeve në Siri, raportoi se nëntë civilë kishin vdekur, duke përfshirë katër fëmijë.

12:27

Francois Hollande thotë se do të thërrasë një sesion urgjent të KS të OKB-së për të premten në mbrëmje.

12:27

Zyra e presidentit sirian e ka kritikuar sulmin amerikan si një veprim të “nxituar” dhe “të pamatur”, si “sjellje të papërgjegjshme”, duke thënë se Uashingtoni u hodh në kryerjen e sulmeve me raketa bazuar në një fushatë të rreme propagandistike, raportoi Reuters.

“Ky agresion ka rritur vendosmërinë e Sirisë për t’i goditur ata agjentë terroristë, për të vazhduar që t’i shtypë ata, dhe për të shtuar ritmin e veprimit për këtë qëllim kudo që ata janë,” tha një deklaratë nga presidenca.

Deklarata e dënoi sulmin si “dritëshkurtër”, duke thënë se kjo gjë reflekton politikën e gjatë të SHBA-së të shënjestrimit dhe të “nënshtrimit të njerëzve”, raportoi AP.

Më herët presidenti sirian Bashar al Asad ka thënë se “nëse ne nuk e fitojmë këtë luftë, kjo do të thotë që Siria do të fshihet nga harta.”

11:52

Një oficer i ushtrisë siriane tha për RIA Novosti se sulmi ajror kishte lënë 10 ushtarë sirianë të vdekur.

11:46

Katër ushtarakë sirianë kanë vdekur, dy të tjerë kanë humbur dhe katër të tjerë kanë pësuar djegie në sulmin amerikan me raketa në bazën ajrore, deklaroi gjatë një konferencë zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes ruse, Gjenerali Igor Konashenkov.

10:28

Presidenti Donald Tusk i Këshillit Evropian ka thënë se sulmet amerikane me raketa në bazën ajrore siriane treguan “vendosmërinë e nevojshme” kundër sulmeve kimike, raportoi Reuters.

10:14

Si pasojë e sulmit raketor të SHBA-së, Kina u ka bërë thirrje të gjitha palëve që luftojnë në Siri për të gjetur një zgjidhje politike për luftën.

Pekini tha se shpreson që të gjitha palët relevante “të qëndrojnë të qeta, të ushtrojnë vetëpërmbajtje, dhe të shmangin çdo gjë që mund të rrisë tensionet”, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying.

“Zhvillimet e fundit në Siri flasin përsëri për nevojën urgjente për një zgjidhje politike që do të zgjidhë çështjen e Sirisë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve relevante që me vendosmëri t’i qëndrojnë promovimit të një zgjidhjeje politike dhe të mos braktisin përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike”, tha Hua Chunying në një konferencë.

10:06

Ambasadori i Sirisë në Moskë Riyad Haddad, duke komentuar mbi një përgjigje të mundshme ushtarake nga ana e Damaskut për të goditur me raketa SHBA-në në një bazë ajrore siriane, deklaroi se një vendim i tillë mund të merret vetëm në koordinim me Rusinë.

“Të gjitha veprimet janë të koordinuara me Federatën Ruse, kjo është arsyeja pse zgjidhja e kësaj pyetjeje mund të shkojë vetëm në koordinimin e qeverisë siriane dhe ruse”, deklaroi ai.

09:56

Ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano thotë se Roma e konsideron sulmin si një veprim të arsyeshëm dhe një pengesë për sulmet e dyshuara kimike të Asadit, raporton Reuters.

“Italia i kupton arsyet e veprimit ushtarak të SHBA-së,” tha zyrtari. Sulmi ishte “një përgjigje proporcionale … dhe një sinjal i parandalimit kundër rreziqeve të përdorimit të mëtejshëm të armëve kimike nga ana e Asadit.”

09:48

“Këtë herë, ata nuk u kujdesën për të siguruar ndonjë fakt, vetëm iu referuan disa fotografive, spekulluan mbi fotot e fëmijëve, dhe natyrisht spekulluan në dëshminë e OJQ-ve të ndryshme, duke përfshirë edhe mashtruesit famëkeq nga Helmetat e Bardha, të cilët organizojnë situata të ndryshme për të provokuar aktivitete kundër qeverisë siriane,” tha Lavrov.

09:47

SHBA-ja nuk u lodh për të siguruar asnjë fakt për të mbështetur pretendimet e saj se Damasku ka kryer një sulm kimik në Idlib, tha Lavrov.

“Gjë që na sjell përsëri në mendimin se Jabhat Al-Nusra konsiderohet nga Perëndimi si një organizatë që duhet të ruhet”, shtoi ministri i jashtëm rus.

09:46

Ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ka thënë se sulmi i SHBA-së në Siri të kujton sulmin në Irak në vitin 2003, i cili nisi pa miratimin nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

“Kjo na kujton situatën e vitit 2003, kur Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, së bashku me aleatët e tyre, ndërhynë në Irak pa miratimin nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, gjë që ishte një shkelje e hapur e së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Lavrov.

09:35

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavushollu i ka bërë thirrje Asadit që të japë dorëheqjen dhe bëri thirrje për ngritjen e një qeverie kalimtare.

“Është e nevojshme që ky regjim të largohet sa më shpejt të jetë e mundur nga udhëheqja e Sirisë”, tha Çavushollu, cituar nga Reuters.

“Nëse ai nuk do të shkojë, nëse nuk ka qeveri tranzicioni, dhe në qoftë se ai vazhdon kryerjen e krimeve humanitare, duhet të merren hapat e nevojshëm për ta larguar atë,” shtoi ai.

09:30

Asadi duhet fajësuar për sulmin amerikan, sipas presidentit francez Francois Hollande dhe kancelares gjermane Anxhela Merkel.

“Asadi mban përgjegjësi të plotë për këtë rrjedhë të ngjarjeve. Përdorimi i tij i vazhdueshëm i armëve kimike dhe vrasjet masive nuk mund të qëndrojnë pa u ndëshkuar”, thotë komunikata e tyre.

Hollande dhe Merkel i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje politike për krizën siriane.

08:45

Turqia ka bërë thirrje për ngritjen urgjentisht të zonave të sigurta ku ndalohet fluturimi në Siri, sipas zëdhënësit presidencial të vendit.

08:27

Sulmi i SHBA-së ka lënë gjashtë të vdekur dhe ka çuar në humbje të mëdha materiale, sipas ushtrisë siriane, cituar nga Reuters. Ushtria shtoi se ajo do të vazhdojë luftën për të “rivendosur paqen dhe sigurinë” në Siri.

Sulmi raketor e ka bërë Amerikën “një partner” të Shtetit Islamik, të Frontit Al-Nusra dhe të organizatave të tjera terroriste, tha komanda ushtrisë siriane në një deklaratë, duke e quajtur sulmin një akt “flagrant agresioni”.

08:15

Shteti Islamik e përdori sulmin e SHBA-së në përpjekjen e tij për të kapur fushat e naftës pranë Palmirës, ​​por nuk arriti, sipas një guvernatori lokal.

08:03

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Fallon, ka deklaruar se Britania nuk e sheh sulmin si fillimin e një fushate të re ushtarake, dhe në të njëjtën kohë pohuar se Londra nuk “sheh një të ardhme afatgjatë për Asadin në Siri.”

Kryeministrja britanike Tereza Mej është mbajtur e informuar në lidhje me sulmin, shtoi Fallon. Qeveria britanike ka shqyrtuar gjithashtu nevojën për të kuptuar dhe për të marrë në konsideratë ndonjë reagim rus.

Britanisë së Madhe nuk i është kërkuar të përfshihet në operacion, tha Fallon.

07:56

Izraeli ishte një nga vendet e para që u njoftua përpara sulmit raketor amerikane në bazën ajrore ushtarake të Sirisë, tha të premten ministri izraelit i Mbrojtjes Avigdor Lieberman.

“Unë mendoj se ne morëm telefonatën e parë”, tha në radion shtetërore Lieberman, duke shtuar se “ne e dinim saktësisht ku do të ndodhte sulmi.” / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne