SHBA-të pranojnë t’i shesin Katarit avionët F-15

Doha zyrtare të mërkurën ka arritur një marrëveshje me SHBA-të për blerjen e avionëve luftarakë F-15 me vlerë 12 miliardë dollarë, tha ministri i Mbrojtjes i Katarit Khalid al-Attiyah, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencia shtetërore e lajmeve të Katarit, Al Attijayh dhe homologu i tij i SHBA-ve, James Mattis, nënshkruan marrëveshjen në Uashington.

Pentagoni përmes një deklarate ka theksuar se me marrëveshjen e arritur Katarit do t’i “ofrohen aftësitë më moderne dhe do të rritet bashkëpunimi dhe ndërveprimi në fushën e sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Katarit”.

Kongresi amerikan që vitin e kaluar ra dakord për shitjen e avionëve Katarit, ndërsa marrëveshja e fundit erdhi pas krizës së fundit në Gjirin Persik mes disa vendeve arabe dhe Dohas.

Dy anije ushtarake amerikane kanë mbërritur të mërkurën në portin Hamad të Katarit, për stërvitjen e përbashkët ushtarake, por detaje të tjera nuk janë publikuar.

Javën e kaluar, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni dhe Brahreini ndërprenë marrëdhëniet me Katarin, duke akuzuar Dohan se “mbështet terrorizmin”. Katari ka mohuar akuzat dhe izolimin diplomatik si “të pajustifikuar”.

Turqia ka njoftuar se është kundër sanksioneve ndaj shtetit të vogël të Gjirit, dhe i bëri thirrje Riadit që të marrë një rol udhëheqës për zgjidhjen e krizës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne