SHBA u refuzon vizat palestinezëve që do të shkonin në takimin e OKB-së

Gjashtë zyrtarëve palestinezë u janë refuzuar këtë javë vizat nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, tha ambasadori palestinez të mërkurën.

Gjashtë ekspertët nga zyra e kryeministrit do të vizitonin Kombet e Bashkuara për të paraqitur një raport mbi zbatimin e disa synimeve të OKB-së për palestinezët për vitin 2030.

Ambasadori palestinez U. Riyad Mansour tha se “pushteti okupues izraelit e komplikoi çështjen” duke refuzuar të lejonte disa nga ekspertët që të shkonin në Jeruzalem për vizat.

Në mungesë të gjashtë zyrtarëve, ambasadori bëri prezantimin në emër të Palestinës, e cila ende nuk e ka statusin e anëtarit vëzhgues në Kombet e Bashkuara.

Mansour tha se i kishte thënë te pranishmëve në tubim se autoritetet palestineze po përpiqeshin me të gjitha mundësitë për të përmbushur qëllimet, por pengesa kryesore në rrugën e zhvillimit ishte “efekti negativ i okupimit izraelit”.

Mansour tha gjithashtu se veprimi amerikan shkel marrëveshjen e OKB-së me Shtetet e Bashkuara si vendi pritës i organizatës botërore, e cila kërkon që Shtetet e Bashkuara të lejojnë delegatët që të ndjekin mbledhjet e OKB-së.

Mansour tha se ka në plan të dërgojë një letër proteste në komisionin e Asamblesë së Përgjithshme që merret me marrëdhëniet e vendit pritës.

Misioni i SHBA-së tha se po e shqyrton ankesën.

Marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe udhëheqjes palestineze kanë rënë në pikiatë që kur Presidenti Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe e zhvendosi atje ambasadën e SHBA-së.

Palestinezët duan ta bëjnë Jeruzalemin Lindor kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Administrata Trump i ka shkurtuar fondet edhe për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, duke lënë organizatën e OKB-së me boshllëqe të madha buxhetore për programet e saj të arsimit dhe shëndetësisë. /dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne