SHBA – Zjarr në një pallat në Nju-Jork, 12 të vdekur

Të paktën 12 persona, përfshirë një fëmijë, kanë vdekur në Nju-Jork si pasojë e një zjarri të enjten në mbrëmje, njoftoi Departamenti i Zjarrfikës i Nju-Jorkut.

“Gjithashtu 4 persona të tjerë janë duke luftuar me jetën pas rënies së zjarrit, që përfshiu apartamentet e një pallati në Bronks”, sipas një njoftimi të këtij departamenti.

“Ky ishte zjarri më i rëndë që ka rënë ndonjëherë në dekada”, shkroi në “Twitter” Eric Phillips, një zëdhënës i kryebashkiakut Bill de Blasio.

“Zjarri filloi në katin e parë dhe u përhap shumë shpejt në katet e sipërme”, sipas zyrtarëve.

Viktimat, që kanë humbur si pasojë e zjarrit në kate të ndryshme të apartamenteve, i përkisnin moshave 1-50 vjeç.

Autoritetet bëjnë me dije se 15 persona të tjerë u shpëtuan me plagë të lehta.

Skuadra e shpëtimit kishte angazhuar mbi 160 zjarrfikës për të shpëtuar banorët e prekur nga zjarri në Bronks.

“Kjo tragjedi është pa dyshim më historikja. U shprehim ngushëllimet tona familjeve që kanë humbur personat e tyre të zemrës dhe të gjithë atyre që janë duke luftuar me jetën “, shkroi departamenti i sipërcituar në “Twitter”.

Kjo është tragjedia më e rëndë nga zjarri, që ka ndodhur ndonjëherë në 25 vitet e fundit në Nju-Jork. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne