Shefi i Mossad-it: Izraeli ka “sy dhe veshë” brenda Iranit

Shefi i shërbimit izraelit të inteligjencës (Mossad), Yossi Cohen, deklaroi të martën se Izraeli ka “sy dhe veshë” brenda Iranit.

Gjatë një aktiviteti në Tel-Aviv, kreu i Mossad-it bëri vlerësime në lidhje me protestat e fundit në Iran.

“Izraeli po e monitoron nga shumë afër situatën në Iran. Ne kemi sy, veshë dhe më shumë gjera të tjera brenda Iranit”, tha Yossi Cohen gjatë një sesioni të mbyllur në Ministrinë e Financave, sipas një lajmi të publikuar në gazetën izraelite “Haaretz”.

Cohen tha se trazirat e tanishme në Iran, shkak i të cilave është pamundësia e Presidentit Hassan Rouhani për të plotësuar kërkesat ekonomike të popullit, “nuk kanë gjasa të rrëzojnë regjimin për momentin”.

“Unë do të isha shumë i lumtur të shoh një revolucion social në Iran, por niveli i të priturave duhet të jetë i arsyeshëm. Kjo është diçka që ndoshta mund të ndodhë në të ardhmen”, nënvizoi ai duke hedhur pretendimin se Teherani po shpenzon më shumë para në lidhje me sigurinë për të realizuar synimet e tij në Lindjen e Mesme.

Numri 1 i Mossad-it vuri në pah gjithashtu se botëkuptimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Lindjen e Mesme ka ndryshuar me ardhjen në pushtet të Presidentit Donald Trump.

“Po shohim ndryshime, të cilat marrin në konsideratë më tepër interesat e sigurisë së Izraelit dhe kjo situatë do të na ndihmojë që të ndryshojmë drejtimin e influencës iraniane”, u shpreh Yossi Cohen.

Irani u godit në fund të dhjetorit nga protesta kundër inflacionit në rritje, kostos së lartë të jetesës, papunësisë, korrupsionit dhe keqmenaxhimin e perceptuar të qeverisë. Manifestimet u kthyen më pas në protestat antiqeveritare duke u përhapur në thuajse të gjitha provincat e vendit, përfshi kryeqytetin Teheran dhe disa qytete të rëndësishme si Kirmanshah, Senendexh, Zenxhan, Shiraz, Kum, Ahvaz, Zahedan, Erak dhe Hurremabad.

Më shumë se 20 persona u vranë në demonstrata duke përfshirë të paktën një oficer policie, ndërsa më shumë se 1.000 të tjerë u arrestuan nga autoritetet iraniane.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne