Shefi i sigurisë iraniane: Trump gënjeshtar, Amerika përkrahese e terrorizmit

Shefi i sigurisë iraniane e ka akuzuar SHBA-në se po e përkrah rritjen e terrorizmit në Irak dhe Siri dhe se po e bombardon Jemenin. Madje, ai e ka quajtur gënjeshtar presidentin Donald Trump.
Në një intervistë për Euronews, në kohën kur marrëveshja bërthamore e Iranit me fuqitë botërore rrezikon të rrënohet, sekretari i Këshillit Suprem për Siguri Kombëtare të Iranit, admirali Ali Shamkhani, ka thënë: “Fatkeqësisht, Trump është gënjeshtar. SHBA-ja vendos sanksione ndaj Iranit, e përkrah rritjen e terrorizmit në Irak dhe Siri, si dhe e bombardon Jemenin”, transmeton Express.
Ai, po ashtu e akuzoi Trumpin se po e shtrembëron historinë e Iranit.
“Kur Trump e quan komb terrorist Iranin, apo kur e shtrembëron historinë 2.500-vjeçare të Gjirit Persian, duke e quajtur atë Gjiri Arab, njerëzit e kuptojnë se po sulmohen”, ka thënë ai për Euronews.
Komentet e tij vijnë pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump refuzoi ta vërtetojë marrëveshjen bërthamore të Iranit me fuqitë botërore.
Gjatë një fjalimi të premten, Trump kërcënoi se do ta tërheqë SHBA-në nga marrëveshje nëse Kongresi Amerikan dhe aleatët e SHBA-së nuk pajtohen për ta përmirësuar atë, në mënyrë që të mos e lejojnë Iranin të zhvillojë armë bërthamore apo raketa balistike interkontinentale.
/Express/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne