Shënohet 25-vjetori i masakrës në tregun e Sarajevës

Përmes një ceremonie, sot në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, u përkujtuan viktimat e masakrës së tregut Markale gjatë luftë së Bosnjës, me rastin e 25-vjetorit të kësaj ngjarjeje, raporton AA.

Sulmi me mortajë nga ana e forcave serbe në treg ndodhi më 5 shkurt të vitit 1994, me çka 68 persona humbën jetën dhe u plagosën 144 të tjerë.

Granatimi ndaj tregut Markale ishte një nga masakrat më të mëdha të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës në mes të prillit të vitit 1992 dhe dhjetorit të vitit 1995.

Në ceremoninë përkujtimore, krahas të afërmve të viktimave dhe të plagosurve, pjesë mori edhe Zhelko Komsiç, anëtari kroat i Këshillit Presidencial.

Rafet Skenderoviç, i cili kishte humbur shokët si pasojë e sulmit, tha se pas ngjarjes, shumë rrallë viziton tregun.

“Isha vetëm 50 metra larg tregut kur ndodhi sulmi me mortajë në vitin 1994. Humba dy shokët e mi”, tha Skenderoviç.

“Dhimbja që kam përjetuar do të pushojë vetëm pasi të vdes”, shtoi ai.

Ndërkaq, Kadrija Hrkiç, i cili ka humbur motrën gjatë masakrës, tha se përkundër kalimit të 25 viteve nga bombardimi, ende e ndien dhimbjen e humbjes së motrës Emina.

Program përkujtimor për viktimat e masakrës u organizua edhe në Teatrin Kombëtar.

Në fjalën e tij gjatë programit, Edin Forto, kreu i Kantonit të Sarajevës, tha se është e nevojshme që brezat e rinj të jenë në dijeni për ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend.

– Sulmi i dytë në treg

Tregu i njëjtë ishte goditur nga një sulm me mortajë edhe më 28 gusht të vitit 1995, duke shkaktuar vdekjen e 43 civilëve dhe plagosjen e 75 të tjerëve.

Gjatë rrethimit 44-mujor të Sarajevës, jetën humbën 11.541 persona, përfshirë 1.601 fëmijë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne