Sherbimi Sekret i Kosoves akoma pa nje drejtues, Haradinaj e Thaçi në kërkim të “njeriut ideal”

Ka ikur një javë kur Kosova ka mbetur pa kryespiun, pasi që Driton Gashi dha dorëheqje nga kjo pozitë, meqë kryeministri Ramush Haradinaj i kërkoi largimin nga detyra, pas deportimit të gjashtë shtetasve turq gylenistë.

Haradinaj, pa dhënë ende një emër se kush do jetë pasardhësi i Gashit ka thënë se ai shumë shpejtë do të bëhet i ditur për opinionin dhe se po punojnë intensivisht me presidentin Thaçi që shefi i AKI-së të emërohet brenda afatit ligjor.

“Gati është por akoma s’kemi vendos, shpejt besoj se vendoset. Për besë nuk kemi emra, jemi ende në konsulta e diskutime”, ka thënë Haradinaj, i cili ka shtuar se vendimin final e jep Thaçi, çka nënkuotin se kreu i qeverisë ka lëshuar pe që në këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë të vendosë ndonjë njeri të partisë së tij.

Duke qenë se kryespiuni i fundit, pra Gashi ishte zyrtar i PDK-së, ka gjasa që Thaçi sërish të emërojë në pozitë njeri të tij të dëgjueshëm. Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.

Sigurisht se këtë herë Thaçi do ketë kujdes me personin që do e zgjedhë si kryespiun, pasi përveç Bashkim Smakës (kryespiuni i parë) që qëndroi gjashtë vjet në këtë pozitë, të tjerët për arsye të ndryshme nuk kanë qëndruar as dy vite.

Arsyetimi pse u shkarkua Gashi është se sipas Haradinajt ai nuk njoftoi krerët e shtetit për ndalimin dhe deportimin e gjashtë gylenistëve, pasi që ligji për AKI-në thotë se kryespiuni duhet ta njoftojë presidentin e kryeministrin për veprimet që kanë të bëjnë me sigurinë.

Ja se ç’thotë ligji për emërimin e shefit të AKI-së

Ndërkohë sipas Nenit 5 të Ligjit të Kosovës, Presidenti bashkë me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda njëzet ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë.

Drejtori i AKI-së emërohet për një mandat pesë (5) vjeçar, i cili mund të vazhdohet edhe njëherë.

Sipas ligjit, drejtori i AKI-së duhet të ketë arsimim universitar dhe duhet të emërohet mbi baza të profesionalizmit dhe përvojës së dëshmuar.

Kujtojmë se AKI është institucion që mbledhë informacion në lidhje me kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës. Në çdo rast kërcënim  ndaj sigurisë së Kosovës konsiderohet kërcënimi ndaj integritetit territorial, integritetit të institucioneve, rendit kushtetues, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale në dëm të vendit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne