Një mashkull në Britaninë e Madhe mund të jetë personi i dytë i ‘shëruar’ nga virusi i HIV. Pacienti, identiteti i të cilët mbahet i fshehur është kuruar si nga virusi HIV gjithashtu edhe nga kanceri. Sipas BBC pas një transplanti të qelizave staminale, pacienti prej 18 muajsh nuk është duke marrë më ilaçe për trajtimin e AIDS, duke rezultuar i ‘pastër’, të paktën deri tani. Gjithashtu ai ka marrë trajtime edhe për kancerin. Megjithatë kërkuesit theksojnë se është ende shumë herët për të thënë se ai është ‘shëruar’ nga virusi HIV.

Ekspertët kanë thënë gjithashtu se metoda e ndjekur nuk është e këshillueshme për personat mbartës të HIV, por mund të ndihmojë në gjetjen e një kurë. Pacienti është diagnostifikuar me HIV në vitin 2003 si dhe me kancer në 2012. Ai ka bërë kimioterapi për të kuruar kancerin dhe gjithashtu një transplant qelizash staminale të ardhur nga një dhurues rezistent ndaj virusit të HIV, duke ‘ndërprerë’ të dyja këto sëmundje. Kjo është hera e dytë që një pacient është trajtuar në këtë mënyrë dhe ka patur një ‘kurim’ nga HIV-i.

Përpara 10 vitesh një tjetër pacient në Berlin me HIV ka kryer transplant të palcës së eshtrave nga një dhurues me imunitet natyral ndaj kësaj sëmundje. Timothy Brown ka qenë personi i parë që është ‘shëruar’ nga Sida përmes dy transplanteve dhe një rrezatim total të trupit për leuçeminë.

Sipas kërkuesve një numër shumë i vogël njerëzish kanë imunitet dhe janë rezistent nga HIV, pasi kanë dy kopje të receptorit CCR5. Kjo do të thotë se virusi nuk mund të penetrojë në qelizat e trupit që zakonisht infekton. Pacienti në Londër ka marrë qelizat e një dhuruesi që ka patur specifikisht këtë mutacion gjenetik, të cilin e ka bërë rezistent ndaj Sidës. Virusi i HIV u shfaq në vitin 1980 për herë të parë dhe ka marrë jetën e 35 milionë personave në mbarë botën, ndërkohë që 37 milionë të tjerë janë të infektuar.

20