Shkatërrohen varrezat e krishtera në Izrael

Rreth 30 varre janë shkatërruar në një varrezë të krishterë që i përket një manastiri katolik të vendosur jo shumë larg Jeruzalemit. Një klerik vendas e quajti veprimin një përdhosje të qëllimshme ndërsa policia nisi një hetim duke e konsideruar rastin si krim me bazë urrejtjen.

Vandalët rrëzuan në tokë kryqet prej mermeri të dhjetra varreve në varrezat që i përkisnin manastirit Beit Jamal, një vend i njohur pelegrinazhi si dhe vend turistik, i cili ndodhet rreth 30 kilometra në perëndim të Jeruzalemit pranë Beit Shemeshit. Jo vetëm që ishin dëmtuar gurët e kokave të varreve por disa varre ishin dëmtuar gjithashtu.

Dëmtimet u zbuluan nga murgjit, të cilët i vizitojnë varrezat shpesh. Ata besojnë se incidenti nuk ishte thjesht një akt vandal. “Ata kanë dashur të thyejnë dhe të rrëzojnë simbolin e të krishterëve, kryqin”, tha për AFP at Antonio, përgjegjës për mirëmbajtjen e varrezave të Kishës së Shën Stefanit, që incidentin e quajti një akt “përdhosjeje”.

Policia ka hapur një hetim mbi incidentin duke e quajtur atë një “krim me bazë urrejtjen”. Megjithatë, ajo tha se veprimi i vandalizmit mund të ketë ndodhur në të vërtetë disa javë më parë, duke shtuar se deri më tani ata nuk kishin të dyshuar. Ndërkohë, incidenti tërhoqi vëmendjen e grupeve të aktivistëve lokalë, zyrtarëve izraelitë madje edhe të shteteve të huaja.

Ministria e Jashtme e Izraelit lëshoi ​​një deklaratë ku e dënonte incidentin. Zëdhënësi i ministrisë, Emmanuel Nahshon, e quajti përdhosjen e varrezave një “veprim të neveritshëm”. Ai gjithashtu tha se “Izraeli është i vendosur që të luftojë çdo formë të urrejtjes dhe intolerancës kundrejt të gjitha feve”.

Ambasada italiane në Izrael tha se ishte “tronditur dhe ndihej e pikëlluar” nga incidenti dhe bëri thirrje për respekt të ndërsjelltë mes të gjitha feve në Tokën e Shenjtë. Ambasada polake e denoncoi veprimin duke e quajtur atë “një akt të paimagjinueshëm të vandalizmit kundër krishtërimit”, si dhe tha se konsulli i saj në Tel Aviv “ka ndërhyrë tashmë për cështjen”.

Vendi u vizitua nga një përfaqësues i selisë së shenjtë për Izraelin dhe Qipron, i cili shprehu shpresën se ky “krim i urrejtjes do të ndiqet nga policia dhe do dënohet qartasi nga qeveria izraelite”.

Ndërkohë, një zëdhënës i Patriarkanës Latine në Jeruzalem, Wadie Abunassar shprehu dyshim në suksesin e hetimit të këtij rasti. Shërbimet e sigurimit izraelit “nuk arritën edhe në rastet e mëparshme të sillnin ndonjë fajtor para drejtësisë” për aktet vandale kundër manastirit, tha ai.

“Ne pothuajse nuk shohim fare trajtim sigurie dhe edukim për këtë fenomen të rrezikshëm nga ana e autoriteteve shtetërore, veçanërisht kur shohim që disa zyrtarë të lartë në vend pretendojnë se punët e të krishterëve shkojnë shumë mirë,” tha Abunassar, citon Jerusalem Post.

Sipas mediave izraelite, manastiri Beit Jamal, i vendosur afër një bashkësie të madhe hebrenjsh ultra-ortodoksë që jetojnë në Beit Shemesh, thuhet se ka akoma marrëdhënie të mira me izraelitët që e vizitojnë atë për të blerë vaj ulliri, mjaltë dhe qeramikë të punuar me dorë.

Në anën tjetër, manastiri ka qenë vazhdimisht shënjestër e sulmeve të shumta të krimit të urrejtjes gjatë viteve të fundit. Në vitin 2013 në ambjentet e tij disa njerëz hodhën bomba zjarri dhe në korridore shkruajtën me sprai parrulla si “shitet”, “vdekje për johebrenjtë” dhe “hakmarrje”.

Në janar të vitit 2016, në valën e sulmeve kundër palestinezëve dhe izraelitëve arabë, dhjetëra kryqe në varrezat e manastirit u rrëzuan për tokë. Në shtator 2017, disa vandalë thyen një statujë të Virgjëreshës Mari, dëmtuan shumë mobilie dhe thyen xhamat me ngjyra të disa dritareve në brendësi të faltores së manastirit. Hetimet për gjithë këto incidente nuk kanë çuar në asnjë arrestim./rt/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne