Një shkencëtar kinez thotë se i ka krijuar foshnjat e para me gjene të modifikuara. Nëse pohimet e tij janë të sakta, ky veprim do të paraqiste një nga operacionet më kontraverse të mjekësisë moderne. Ky lloj modifikimi është i ndaluar në shumicën e shteteve, pasi një teknologji e tillë është ende në fazën eksperimentale dhe ndryshimet e ADN-së mund të barten në gjeneratat e ardhshme, duke sjellur efekte anësore të paparashikueshme.

Shumë shkencëtarë thonë se kjo metodë është shumë e pasigurtë dhe disa e quajtën veprimin e kinezit si eksperiment me njerëz. Shkencëtari kinez, He Jiankui, tha se qëllimi i këtij modifikimi nuk është shërimi apo parandalimi i sëmundjeve, por aftësia për t’iu rezistuar infektimeve të mundshme me virusin HIV.

Ai tha se prindërit që dhuruan materialet gjenetike nuk duan të identifikohen, prandaj ai nuk do të japë të dhëna për vendbanimet e tyre e as për vendin se ku është kryer hulumtimi. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për deklaratat e tij dhe puna e tij ende nuk është publikuar në ndonjë revistë shkencore, ku do të vlerësohej nga ekspertët tjerë.

Shumë shkencëtarë janë shokuar nga puna e kolegut të tyre kinez dhe kanë reaguar ashpër kundër eksperimentit të tij. Dr.Kiran Musunuru, ekspert i gjenetikës në Universitetin e Pensilvanisë, tha se eksperimenti i tillë në qenie njerëzore nuk është i pranueshëm moralisht.

Viteve të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar mënyrë të lehta për ndërhyrje në gjene. Shpresohet që kjo teknikë do të përdoret në të ardhmen për t’i trajtuar sëmundjet vdekjeprurëse që trashëgohen nga prindërit te fëmijët, shkruan “The Guardian”.

29