Shkollimi – arsimimi – edukimi

Edukim kombëtar, sipas meje, do të thotë të formosh personalitetin dhe identitetin e qytetarit shqiptar me dinjitet, me sedër, të aftë të vlerësojë vetveten, që të dijë pastaj të respektojë edhe të tjerët e të respektohet nga të tjerët. Çdo njeri duhet të mësojë qysh në familje e pastaj në shkollë, se është pjesë e një populli, bir i një kombi, dhe se kështu mund të përfaqësohen e të mbrohen më mirë dëshirat, të drejtat e aspiratat e tij

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Janë tri terma që shënojnë hallka të pashkëputshme në zinxhirin e procesit të formimit të plotë individual e kolektiv të njeriut:

Shkollimi shënon hapin e parë të madh, kur njeriu gjuhën e folur fillon ta mësojë si gjuhë të shkruar, gjë që i hap përpara horizonte shumë më të gjera se po të mbetej analfabet. Shkollimi në gjuhën amtare sjell dobi e mbarësi për kombin e shtetin. Ditët e fundit në replikë fshikullese, ku hedh poshtë përçartjet e shtrembërimet e Mustafa Nanos lidhur me marrëdhëniet shekullore midis shqiptarëve e fqinjëve të tyre sllavë e grek, zotëri Gjok Dabaj ka analizuar edhe shkaqet e tkurrjes së dhimbshme të hapësirës iliro-arbërore-shqiptare. Ai jep një mendim shumë të vyer për rëndësinë e gjuhës së shkruar: “Ka ndodhur kështu, i dashur Mustafa, se të parët tanë nuk i kanë kushtuar rëndësi gjuhës së vet të shkruar. Gjuha e shkruar bën mrekullira… Ne nuk arritëm të shkruajmë e të predikojmë në gjuhën tonë asnjë lloj besimi, as tonin, as të huazuar dhe prandaj u rrudhëm në këtë farë feje” (“Dita” 9 gusht 2017).

Arsimimi është përgatitje në mënyrë sistematike për të njohur e zgjeruar horizontet që hap shkollimi dhe për të shpalosur e përsosur aftësitë mendore dhe profesionale nga secili.

Edukimi është kurorëzimi i procesit të pajisjes së njeriut me vetitë më të mira të jetës shoqërore, të moralit e etikës dhe me shijet më të holla artistike etj.

Tani ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët ta nisin rrugën për t’u bërë diçka në jetë pikërisht nga shkollimi. Por, nuk ka qenë kështu në çdo kohë, madje deri vonë. Rrugëtimin tim shkollor e kam nisur në një kohë kur në Shqipëri analfabetizmi i bënte ende shumë hije shkollimit. Në fshatin tim të lindjes shkolla fillore është qenë hapur në vitin 1925. Atje mësoi babai, mësova dhe unë. Por kishte dhe shumë analfabetë. Pas përfundimit të shkollës fillore, familja ime më dërgoi në Tiranë për të vazhduar shkollën unike e, më pas, në shkollën e mesme pedagogjike të Peshkopisë, që përgatiste arsimtarë. Ishte një dëshirë e madhe e babait tim që unë të bëhesha mësues. Më tej vijova me studimet për diplomaci në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës dhe diplomimin si jurist të Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin (1961-’64). Punova 18 vite në diplomaci, 4 vite si kryetar gjykate në Pogradec dhe më në fund erdhi një rikthim te profesioni i “mësuesit”, kësaj here si ligjërues i të drejtës ndërkombëtare publike në Universitetin e Tiranës. Por, këto nuk do të më kishin ndodhur sikur të mos ishte ai hapi i parë që quhet shkollim.

Në vitin 2007 Artur Shkurti, themelues e drejtues i shkollës jo-publike 9-vjeçare “Udha e shkronjave” në Tiranë, më tërhoqi në një bisedë, që e botoi në revistën e ilustruar të shkollës “Edukimi” nr. 1 dhe 2. Pyetja më ngacmuese e Arturit qysh në fillim ishte: “’Arma’ kryesore e shtetit në çështjet e edukimit është shkolla. Për çfarë mendoni se ajo ka luajtur një rol pozitiv në historinë e Shqipërisë dhe për çfarë do të mendoni se ajo nuk ka qenë ose nuk është në lartësinë e duhur?” Po e riprodhoj përgjigjen edhe si pjesë të natyrshme të këtij shkrimi: “Shqiptarët me një histori shumë të lashtë vetëm për pak kohë kanë pasur shtet të tyre. Kështu që shkolla, si armë kryesore e shtetit për edukimin e njeriut e të shoqërisë shqiptare, është përdorur shumë pak deri tani. Për shkollë shqipe mund të flitet vetëm pas vitit 1920. Shkolla shqipe është krijuar e ka vepruar në kushte shumë të vështira edhe para krijimit të një minishteti shqiptar në më pak se gjysmën e trojeve etnike shqiptare. Kjo shkollë përmes vështirësish të shumta ka bërë hapat e parë të sigurt dhe shpresëdhënës për një edukim të mirëfilltë në frymë kombëtare në periudhën midis dy luftërave botërore, në shekullin XX, por mbeti armë me përdorim të kufizuar për shkaqet që dihet dhe gjatë një periudhe kohe shumë të shkurtër. Pas luftës, gjatë regjimit komunist, shkolla njohu një masivizim të paparë, çka përbën një sukses të madh të shqiptarëve për atë kohë, pra arma e shkollës u vu masivisht në përdorim nga shteti. Por, për fat të keq kjo armë u përdor (edhe) për qitje të gabuara, nuk kishte atë shënjestër që duhej të kishte. Gabimi në shënjestrën e edukimit nëpërmjet shkollës pati ndikime shumë negative në përpunimin në kahe jo kombëtare të natyrës e të karakterit individual e bashkëkohor të shqiptarit. Pas ndryshimit të sistemit shoqëror e të pushtetit në vitin 1991, u hapën mundësi të reja që, duke ruajtur masivizimin e shkollës, të ndreqej edhe shënjestra e kësaj arme të rëndësishme të edukimit. Por, fatkeqësisht shënjestra sërish nuk është përcaktuar si duhet dhe arma e edukimit po shkrepet shpesh kuturu. Ky është problemi më madhor që duhet ta shqetësojë sot shoqërinë e re shqiptare dhe në radhë të parë shtetin shqiptar. Shkolla në Shqipëri ende nuk e ka marrë atë rol që i takon për të ndikuar pozitivisht në historinë e Shqipërisë, domethënë në të ardhmen e shqiptarëve. Problemi thelbësor mbetet si të arrihet fokusimi i rolit të shkollës në edukimin kombëtar”.

Edukim kombëtar, sipas meje, do të thotë të formosh personalitetin dhe identitetin e qytetarit shqiptar me dinjitet, me sedër, të aftë të vlerësojë vetveten, që të dijë pastaj të respektojë edhe të tjerët e të respektohet nga të tjerët. Çdo njeri duhet të mësojë qysh në familje e pastaj në shkollë, se është pjesë e një populli, bir i një kombi, dhe se kështu mund të përfaqësohen e të mbrohen më mirë dëshirat, të drejtat e aspiratat e tij. Edukimi kombëtar kudo në botë nuk është trill, por nevojë. Është investimi më i domosdoshëm dhe më i dobishëm për të përgatitur njerëzit për bashkëjetesë brenda një kombi, e përbri kombeve të tjera. Janë fjalë boshe teorizimet se edukimi në frymë kombëtare është demode në kohën kur po integrohemi në Europë. Këto teorizime bëhen veçanërisht të dëmshme nëse lihen të infektojnë procesin e arsimimit. Shqiptarët duhet të edukohen qysh në shkollë me nacionalizëm të shëndetshëm.

Fatkeqësisht, sistemi i sotëm arsimor dhe edukativ në Shqipëri është prekur rëndë nga dukuri shqetësuese, të trashëguara e të reja. Ky sistem vuan ende nga pasojat që la ideologjizimi i skajshëm i procesit të arsimimit dhe të edukimit qytetar në kohën e diktaturës komuniste. Reformimet e gjithfarshme e pa mbarim të këtij sistemi, pas rënies së komunizmit, kanë sjellë rrjedhoja negative. Askush nuk po orientohet saktë se ku mund ta çojë vendin e shoqërinë gjendja rrumpallë që është krijuar në arsim dhe edukim. Vazhdimisht bëhen debate kontradiktore nga zyrtarë shtetërorë, specialistë të arsimit dhe qytetarë të tjerë mbi degradimin e shkollës në Shqipëri. Por, rrugëdalja ende nuk është gjetur. Gazetari Mentor Kikia e ka nisur një shkrim me fjalët: “Dikur një mbret të ri, por vizionar, kur e pyetën se çfarë do të bënte për të ndërtuar një shtet modern në vendin e tij ai tha: Do të ndërtoj shkolla dhe burgje. Pra, arsim dhe drejtësi” (“Shqip” 11 nëntor 2008). Mjerisht, sot në Shqipëri gjendja është më e rrëmujshme pikërisht në këto dy fusha, ku shtetit i takon të ushtrojë monopolin e vet e të dëshmojë i pari përgjegjësitë e zotësitë e veta. Për përmbysjen e gjendjes së mjeruar në fushën e drejtësisë ka disa vjet që po bëhet zhurmë e madhe, ka deri ndërhyrje të forta nga jashtë, që duken të patolerueshme në një shtet sovran. Po aq e ngutshme dhe e domosdoshme është ndërhyrja për ta ndrequr gjendjen në arsim e edukim. Për këtë është folur e vepruar shumë më pak, ndonëse dihet që dëmtimet e rënda në sistemin e arsimimit japin rrjedhoja më shkatërruese e më afatgjata se ato në sistemin e drejtësisë.

Vit pas viti janë shpallur fushata të pastudiuara për liberalizimin e arsimit. U liberalizua skajshmërisht procesi i mësimdhënies në të gjitha hallkat, sidomos në ofrimin e arsimimit unversitar. U hapën pa masë e pa kritere të qarta universitete private dhe degë universitetesh publike në shumë qendra të Shqipërisë. U bë një pështjellim i madh me “autonominë e universiteteve”, çka ka çuar në monetarizimin spekulues me arsimin e lartë dhe ka nxitur e favorizuar korrupsionin masiv. Në të gjitha kategoritë e shkollave u liberalizuan proceset e mësimdhënies, të hartimit e përdorimit të teksteve mësimore alternative. U reklamua me të madhe ideja se të gjithë ata që përfundonin shkollat e mesme duhet të shkonin patjetër në universitet. Kjo ide, madje, është keqpërdorur nga pushtetarët për të ulur artificialisht shifrat e papunësisë në vend, duke vonuar hyrjen e të rinjve në tregun e punës. Të gjitha këto kanë ndikuar shumë keq në cilësinë e arsimimit në shkollat e mesme e në universitete.

Liberalizimi ka sjellë edhe të keqe të madhe, sepse është prishur disiplina në të gjithë hallkat e procesit mësimor dhe rregulli nëpër shkolla. Blerja notave të larta është bërë dukuri e shëmtuar në shkollat e mesme. Te studentët universitarë është kultivuar mendësia për të kërkuar diplomimin me investimin më të vogël të energjive intelektuale për të mësuar e për t’u edukuar. Kjo vepron si trysni mbi pedagogët që të lëshojnë shumë në vlerësimin e dijeve të studentëve, në zbatimin e disiplinës mësimore, madje dhe të nxjerrin në këtë atmosferë përfitime korruptive. Mbas lëvizjes studentore të viteve 1990-’91, për përmbysjen e diktaturës komuniste, u krijua kulti i nderuar dhe i merituar për studentët. Tani me të drejtat e frymën studentore më shumë spekulohet. Jo rrallë bëhen protesta studentore edhe me kërkesa absurde. Reformat arsimore në Shqipëri kanë ngecur në objektivin për nxjerrjen e produktit me cilësi të lartë, gjë që rrezikon të gjithë sektorët ku të diplomuarit do të punësohen. Qeveria e fundit ka shpallur disa masa shtrënguese, si mbyllja e disa universiteteve pa kuptim, ndryshimi i disa rregullave për botimet shkollore, për financimin e studentëve, deri te thirrjet që të rinjtë ta drejtojnë vëmendjen tek arsimi i mesëm profesional, si alternativë për t’u përfshirë më lehtë e më sigurt në tregun e punës. Por, arritjet konkrete nuk po duken. Madje, herë pas herë është lëshuar alarmi se në Shqipëri po përhapet dukuria që quhet “analfabetizëm funksional”, kur njerëzit dinë shkrim e këndim, por nuk shkojnë dot më tej në përvetësimin e interpretimin e asaj që u është mësuar e që kanë kënduar.

Dukuri e re në sistemin arsimor, pas rënies së komunizmit, u bë hapja e shkollave private vendase dhe të huaja, përfshirë shkollat fetare me mbështetje të fuqishme jashtë Shqipërisë. Para Luftës së Dytë Botërore shteti shqiptar përpiqej të vendoste kontroll të rreptë mbi shkollat e huaja e private. Në vitet 1930të u vendos me ligj të veçantë që të mbylleshin shkollat private për ta forcuar kështu karakterin kombëtar të arsimit. Këto masa synonin, në radhë të parë, shkollat private të minoritetit grekofon, që Greqia i përdorte për veprimtari agjenturore, si dhe politikën e Italisë për ndikim në arsimin shqiptar. Kundër kësaj nisme u krijua një front reagimi kundërshtues, laik e klerikalist (ortodoks e katolik), i prirë nga diplomacia e Greqisë, që ngriti një furtunë diplomatike në arenën europiane, në Lidhjen Kombeve e Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Me gjithë mbrojtjen e shkëlqyer që bëri diplomacia shqiptare e kohës, u morën disa vendime të pafavorshme për Shqipërinë (Përmbledhja e vendimeve në vitin 1935 me titull “Ecole minoritaires en Albanie”). Shteti komunist nuk lejoi shkolla private, por ia nënshtroi tërësisht ndërtimin e sistemin arsimor modelit komunist sovjetik. Ndërkaq tani shteti shqiptar i ka lëshuar fare frenat e kontrollit për hapjen funksionimin e shkollave të huaja private, sidomos atyre greke. Në bisedën me Artur Shkurtin në vitin 2007 kam shprehur mendimin se privatizmi i arsimit në Shqipëri ishte kthyer në mani, prapa së cilës fshihet shpesh etja për përfitime monetare. Tashmë janë bërë të njohura mjaft skandale që e vërtetojnë këtë gjë. Shqipëria përflitet edhe në shtypin e huaj, sidomos atë italian, si parajsa për blerjen e diplomave universitare edhe pa shkelur në tokën shqiptare.

Vëmendje i duhet kushtuar edhe vendit që duhet të këtë edukimi fetar në procesin shkollor. Shkollat shqiptare janë e duhet të mbeten laike. Regjimi komunist e përjashtonte fenë e besimin jo vetëm nga procesi mësimor, por dhe nga veprimtaria e përditshme dhe nga mendja e shqiptarit. Tani karakteri laik i shkollës nuk mund të perceptohet më si atëherë. Në shkollat e arsimimit publik e jopublik laik, duhet jepet një vëllim i caktuar njohurish mbi natyrën, historinë e vlerat shpirtërore edhe edukative të besimeve fetare, por pa futur mësimin e praktikat e katekizmit fetar në programin shkollor, sikurse mund të ndodhë në vende të tjera. Shqipëria nuk ka përvojë në këtë drejtim dhe një gjë e tillë do të krijonte shumë ngatërresa në vendin tonë me disa besime fetare. Edukimi i mirëfilltë me praktikat fetare duhet të bëhet jashtë sistemit arsimor laik.

Shkolla duhet të përgatisë jo vetëm njerëz me një bagazh të caktuar njohurish në fusha të ndryshme, por edhe qytetarë aktivë të shoqërisë. Ajo që i nevojitet Shqipërisë është një sistem shkollor publik i disiplinuar dhe që edukon frymën kombëtare. Sistemi arsimor i Shqipërisë duhet të konceptohet si përfshirës edhe i shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe me programe e tekste mësimore që t’u shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Investimi i shtetit në shkolla është përdorimi më i mirë i parave publike që sjell forcimin e vendit dhe të ekonomisë në të ardhmen./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne