Shkup, debat me temë “Si të ballafaqohemi efektivisht me gjuhën e urrejtjes”

 Në organizim të Institutit Maqedonas për Media, në Shkup u mbajt debat me temë “Si të ballafaqohemi efektivisht me gjuhën e urrejtje”, si dhe u prezantua analiza “Efektiviteti i rregullativës për mbrotje nga gjuha e urrejtjes”.

Nga debati në fjalë ku morën pjesë përfaqësues të shoqtave të ndryshme civile nga vendi dhe rajoni, u theksua se “gjuha e urrejtjes është një fenomen në proceset e komunikimit që është i pranishëm në Maqedoni që nga pavarësia e saj, me një intensitet të ndryshëm të paraqitjes së saj publike”.

Pjesëmarrësit në debat theksuan se përshkallëzimi më i madh i problemit të gjuhës së urrejtjes është regjistruar gjatë konfliktit të vitit 2001 me shprehje të antagonizmit në marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa edhe më intensivisht kjo është regjistruar nga viti 2009 e këtej, në baza etnike dhe politike, përfshirë edhe nga mediat, e cila ka ndikimin e vet edhe në kohën e sotme.

Elena Bërmbeska nga Komiteti i Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Maqedoni, tha se Komiteti i Helsinkit me vite monitoron gjuhën e urrejtjes në publik, kryesisht në rrjetet sociale. Ajo njoftoi se në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2016 Komiteti i Helsinkit ka regjistruar 146 raste të gjuhës së urrejtjes, ndërsa nga fillimi i vitit 2017 deri më tani ka regjistruar 46 raste të gjuhës së urrejtjes.

“Nga ndjekjet tona të gjuhës së urrejtjes në publik kemi vendosur një platformë ku i regjistrojmë raportimet e qytetarëve apo të vullnetarëve që ndjekin gjuhën e urrejtjes. Nga raportet e viteve të fundit që i kemi ekzistojnë tre baza të cilat zakonisht dominojnë si bazë për gjuhën e urrejtjes, edhe atë përkatësia etnike, politike dhe orientimi seksual”, tha Bërmbeska.

Brankica Petkoviq nga Instituti i Paqes në Lubljanë, duke marrë shembull rastet e gjuhës së urrejtjes që ndodhin në Slloveni, si vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, tha se gjuha e urrejtjes nuk ekziston vetëm në Maqedoni, por në mbarë rajonin dhe më gjerë. Ajo theksoi nevojën që autoritetet kompetente të angazhohen më shumë në këtë fushë, që të parandalojnë rastet e këtilla, veçanërisht në media.

Petkoviq tha se gjuha e urrejtjes në Slloveni ekziston kohë më parë, mirëpo se ishte shumë e pranishme gjatë së krizës së refugjatëve.

“Ndodhi që motra e një politikane publikoi në profilin e saj në ‘facebook’ duke shkruar se ‘Refugjatëve në hyrje të Sllovenisë duhet t’u kërkohet kryq, nëse nuk e kanë nuk janë ortodoks dhe duhet të kthehen’. Pastaj një gazetar nga një radio katolike ka shkruar ‘Jo me kryq por duhet t’i presim me armë dhe t’i gjuajmë’”.

Petkoviq theksoi se pas reagimeve të shoqërisë dhe publikut, gazetarit i është marrë një çmim i ndarë më herët nga Shoqata e Gazetarëve dhe është përjashtuar nga Partia Demokratike Sllovene (SDS), ku dhe ishte anëtar.

Organizatorët e këtij debati kushtuar gjuhës së urrejtjes paraqitën disa rekomandime për t’u ballafaquar me gjuhën e urrejtjes, ndër të cilat rekomanduan që autoritetet gjyqësore të zhvillojnë një sistem të qëndrueshëm të parandalimit të akteve të gjuhës së urrejtjes, Prokuroria Publike patjetër të ndjek penalisht gjuhën e urrejtjes, ndërsa gjykata t’i ndjek rastet, si dhe shprehën nevojën e debatit më të gjerë me përfshirjen e përfaqësuesve të mediave, shoqatave të gazetarëve, përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, si dhe të sektorit civil dhe qeveritar, me qëllim ngritjen e vetëdijes në nivel më të gjerë të shoqërisë në aspektin e gjuhës së urrejtjes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne