Shpërthim në Afganistan, vritet ish këshilltari ushtarak i presidentit

 Politikani i njohur afgan dhe ish këshilltari ushtarak i presidentit të vendit Abdul Jabbar Qaharmaan është vrarë në sulmin me bombë mëngjesin e sotëm në provincën Helmand të Afganistanit.

Zyra e guverantorit të provincës njofton se Qaharmaan u vra nga shpërthimi i bombës e cila ishte vendosur nën ulësen e tij në zyrën në qendër të qytetit Lashkargaha.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës Umar Zwak për AA ka thënë se nga shpërthimi janë vrarë dhe 3 të tjerë ndërsa 8 persona janë plagosur.

Qaharmaan ishte kandidat për deputet në Dhomën e Ulët të Parlamentit afgan (Wolesi Jirga) ndërsa përgjegjësinë për sulmin dhe vrasjen e tij e kanë marrë militantët talebanë.

Presidenti i vendit Ashraf Ghani ka dënuar ashpër sulmin ndërsa për Qaharmaan tha se ishte një trim dhe patriot i vërtetë.

Zgjedhjet parlamentare në Afganistan janë planifikuar për 20 tetor ndërkaq fushata parazgjedhore në vend është shoqëruar me shpërthime të shpeshta.

Javën e kaluar, të paktën 22 persona humbën jetën në sulmin me bombë në një tubim parazgjedhor në Tahkar.

Sulme të ngjashme morën dhjetëra jetë njerëzish në Helmand dhe Nangarhar.

Misioni i Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) shprehu shqetësim rreth shkallës së dhunës që ndodh përpara zgjedhjeve në vend.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne