Shpëtimi i ekonomisë kosovare, nëpërmjet bujqësisë

Në renditjen e prioriteteve shtetërore, zhvillimi ekonomik, përkatësisht zhvillimi i bujqësisë, ka zënë vend menjëherë pas çështjeve politike. Ekspertët e ekonomisë, këtë sektor e kanë parë përherë si shpëtimtar të ekonomisë, ndonëse kësisoj nuk është trajtuar nga qeveritë e vendit – shkruan Gazeta e Re.

Për dekada me radhë, problemi i papunësisë, i ka preokupuar politikanët vendor. Të paktën nëpër deklaratat e tyre, kështu ka tingëlluar kjo çështje – si preokupim. Megjithatë, niveli i papunësisë, mbetet i lartë.

Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), në raportin e fundit të saj për vitin që iku, konstaton që përqindja e të papunëve në vend, mbetet ende shumë e lartë.

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, shkalla e papunësisë është 30.7%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.8%, krahasuar me meshkujt, 29.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.0%” – thuhet në raportin për tremujorin e fundit të vitit 2018. Por ajo që shqetëson më tepër është fuqia joaktive:

“Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2018, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0 %, me fokus të veçantë te femrat me 80.7 %, krahasuar me meshkujt, 35.3%.”

Kjo do të thotë që as qeveria aktuale, të paktën deri në fund të vitit që iku, nuk ka pasur një strategji të mençur me anë të së cilës do ta nxirrte vendin nga kjo krizë.

Por këtë vit, janë dhënë disa sinjale të mira për fermerët e vendit. Zyrtarët nga Banka Botërore (BB), kanë bërë të ditur që do ta vijojnë mbështetjen e projekteve në bujqësi. Gjatë një takimi të realizuar me Nenad Rikalo, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, zyrtarët e BB-së kanë njoftuar se kanë ndarë një fond prej 60 milionë eurosh, të dedikuar për këtë sektor. Sipas këtyre të fundit, ata janë të kënaqur me trendin e zhvillimit në këtë sektor, duke i vlerësuar të arriturat dhe duke u treguar të gatshëm për ta vijuar mbështetjen nga ana e tyre. Investimi në këtë sektor ofron mundësitë më të mira për punësim dhe zhvillim ekonomik.

Premtime për mbështetje MBPZhR-ja ka marrë edhe nga Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Shërbimeve në Zvicër. Ditë më parë, në një takim të realizuar ndërmjet përfaqësuesve të ministrisë me Stefan Sarkany-n, president i kësaj dhome, është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit me Kosovën.

Ideja e përkrahjes së produkteve bujqësore të Kosovës, në tregun zviceran, është parë si një mundësi e mirë e fillimit të marrëdhënieve.

Sarkany, ka vlerësuar të arriturat në sektorin e bujqësisë në vend, duke treguar gatishmërinë e tyre për t’i mbështetur produktet ‘Made in Kosova’, që vijnë nga ky sektor, në tregun zviceran. Për këtë ata treguan se janë të gatshëm të fillojnë këtë bashkëpunim me prodhuesit dhe përpunuesit e industrisë ushqimore në vend.

Investimet e tilla, sipas zyrtarëve tanë, janë të mirëpritura, duke qenë që janë premtuese për sa u përket krijimit të vendeve të reja të punës. Tregtia, prodhimtaria, të prira nga ndërtimtaria, edhe sipas ASK-së, ka tërhequr më shumë të punësuar.

“Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (45.6%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.6%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.5 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%” – vë në dukje AFP.

Megjithatë, ka indikacione që niveli i papunësisë është edhe më i lartë se ç’raporton ASK. Të mos harrojmë se të dhënat e Pulësit Publik, të publikuara vitin e kaluar, nxorën të dhëna tronditëse, sipas së cilave një pjesë e madhe e të rinjve perspektivë të vetme shohin perëndimin, përkatësisht ikjen nga vendi. Këto fakte tronditëse, medoemos i kanë shtyrë zyrtarët në vend që të mendojnë seriozisht në zgjidhjen e problemit, ndërsa sektori i bujqësisë, shihet si ndër më të përshtatshmit për të investuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne