Shpëton nënë e bijë nga flakët, shqiptari në Itali shndërrohet në hero

Nertil Qato është një shqiptar i cili jeton në Itali dhe së fundmi ai po konsiderohet në shtetin fqinj si hero, pasi i ka shpëtuar jetën një nëne dhe vajzës së saj të mitur, teksa banesa e tyre ishte e përfshirë nga flakët.

Sikurse shkruajnë mediat italiane, Qato është zgjuar nga gjumi falë thirrjeve për ndihmë që vinin nga banesa ku kishte rënë zjarri. Ai ka marrë shkallën që ndodhej në pjesën e pasme të furgonit të tij dhe është ngjitur drejt banesës, ku ka shpëtuar fillimisht vajzën 14-vjeçare dhe më pas nënën e saj.

“Dëgjova një shpërthim dhe dola jashtë. Pashë banesën që ishte shembur pjesërisht, flakë dhe tym të zi. Dëgjova një thirrje për ndihmë dhe nxitova. Vendosa shkallën dhe u ngjita në katin e dytë. Aty nuk dukej gjë për shkak të tymit të zi. Por dëgjova zërin e një vajze, e mora në krahë dhe e zbrita poshtë. Më pas edhe nënën e saj.”– ka treguar shqiptari.

Për aktin kurajoz, kreu i Bashkisë së Livornos i ka dorëzuar një çmim shqiptarit dhe i ka premtuar përshpejtim të procedurave, për t’u pajisur me leje qëndrimi, madje duke i hapur edhe rrugën për të marrë shtetësinë italiane.

“Nertili ndodhet këtu prej 6 vitesh. Është njeri punëtor dhe ende nuk ka nënshtetësinë sepse ligjet parashikojnë se duhet të ketë të paktën 10 vite leje qëndrimi. Më kujtohet veprimi i presidentit francez që vendoi t’i japë shtetësinë një qytetari nga Mali, pasi shpëtoi një fëmijë. Do doja dhe unë të bëja diçka të ngjashme.”– ka thënë Filippo Nogarin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne