Shpresa dhe shpritja

/Klodi Leka/

Shpresa është mbase fjala më e bukur e gjuhës shqipe sepse është thellësisht njerëzore. Shpresa, tek e mbllaçitim në gjuhë, në kokë na tingëllon si fjala “bukë”, “babë”, “gjallë”. Shpesh, në çaste malli dhe urie, jemi ngopur me të.

Si fëmijë familjesh të thjeshta, me shpresë kuptohej kthimi i babait nga emigrimi ose gjetja e një pune. Në çastet e mërzisë e të heshtjes, shprehja se “të gjallët kanë riskun e tyre” lironte lëmshin e mbledhur në fyt.

Pa shpresë, ekzistenca do të ishte torturuese ngaqë horizontet tona jetësore jo rrallë qenë te errëta dhe pa te ardhme. Kjo fjalë e ka mbajtur ngrohtë zemrën e njeriut të zakonshëm që vuan në mizerjen e së tashmes. “Secili ka riskun e tij”. “Hajt se edhe ne do të kemi fatin tonë!”

Pooor…

Shpresa, sado frymëzuese, nuk është më e tillë kur kuptohet si pritje, si pritje pa veprim, me sytë e kthyer nga qielli. Jo, e nesërmja nuk hapet vetë. Gjërat, njerëzit dhe bota nuk do të bëhen më të mira vetvetiu. Shpresa, siç shkruhet, është sh-ja që mohon pritjen.

Shkrimtari ekzistencialist J-P. Sartre thotë se shpresa nuk është ndjesi tekanjoze që ndizet dhe fiket brenda njeriut, por aktivitet, lëvizje, fat njerëzor që arrihet përmes rezistencës. Pra, që ti dhe ne të kemi shpresë se e ardhmja do të jetë më e këndshme, duhet të veprojmë. Tani!

Sipas kësaj logjike, shpresa se gjërat në shkollë dhe shoqëri do të ndryshojnë nuk gjendet tek ngulja jonë e pakuptimtë në kafenë dhe ironizimi i të tjerëve, por tek i riu që lëviz, te studenti aktivist, që shpreson aq sa vepron. Pra, o lexues, provo te ndërtosh shpresë!

Provo të ballafaqohesh me heshtjen në klasë, në familje dhe në punë për kauza të ndryshme! Provo të mendosh vetë! Provo të imagjinosh se si do të ishte bota që dëshiron! Provo të shkruash një grafiti a një poezi! Provo të bëhesh aktivist! Provo të dalësh në protestë! Kjo është shpresa, shpritja./ teza11

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne