Shqipëri, artistët nga Turqia fitojnë çmime në Festivalin Ndërkombëtar Operistik

Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” ka mbyllur në Tiranë edicionin e tij të 17-të, ndërsa artistët nga Turqia fituan çmimin e dytë dhe të tretë, raporton Anadolu Agency (AA).

Artisti nga Koreja e Jugut, Dongo Kim, ka fituar çmimin e parë “Marie Kraja”, ndërsa artistja turke Ezgi Karakaya fitoi çmimin e dytë. Çmimin e tretë e fituan artisti turk Faik Mansuroğlu së bashku me artisten nga Shqipëria Nina Muho. Ndërkohë nga Turqia pjesë e festivalit ishte edhe artistja Hatice Zeliha Kökçek.

Drejtori i Përgjithshëm i Operës dhe Baletit të Ankarasë, tenori Murat Karahan, si i ftuar nderi, ishte anëtar i jurisë së festivalit, ndërsa pjesë e jurisë gjithashtu ishin personalitete të njohura të artit dhe drejtues të institucioneve kulturore nga Shqipëria dhe vende të tjera.

Karahan, në fjalën e tij përshëndetëse tha se “Unë kam organizuar në Tiranë koncerte dhe për mua është kënaqësi e veçantë që ndodhem sërish në Tiranë në. Si turk e ndiej veten si në shtëpi këtu në Tiranë. E shikoj cilësinë e konkursit. Ne kemi biseduar me Zanën për një bashkëpunim midis operave të Turqisë dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri”.

Në fjalën e saj përshëndetëse themeluesja e Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, njëkohësisht drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, Zana Çela, tha se së bashku me një grup artistësh menduan të themelojnë Festivalin e Vokalit Operistik të Shqipërisë në vitin 1999. “Startimi i këtij festivali ngrohu sallën e mpirë të Teatrit të Operës me vokalet e artistëve dhe këngëtarëve të rinj”, u shpreh Çela.

Në natën finale të festivalit ishin të pranishëm edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe bashkëshortja e tij, Ayşegül Erdal Yörük, si dhe artistë.

Në festivalin dyditor që u organizua në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë konkurruan 15 artistë, të përzgjedhur mes 270 artistëve nga vende të ndryshme të botës. Festivali bashkoi artistë nga Shqipëria, Turqia, Italia, Greqia, Koreja e Jugut, Spanja, Franca, Rusia,Kina dhe Ukraina, ndërsa sipas organizatorëve ka për qëllim të promovojë talentet e muzikës operistike nga vende të ndryshme të botës.

Eventi kulturor u organizua nga Association “Culture-Media-Arts” dhe Radio Televizioni Shqiptar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Delegacionit të Bashkimi Evropian (BE) në Tiranë dhe institucioneve të tjera./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne