Shqipëri, fillon Shkolla Verore e Osmanishtes

Në kuadër të bashkëpunimit mes Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Institutit “Yunus Emre” Tiranë, edhe këtë vit organizohet Shkolla Verore e Osmanishtes.

Me rastin e fillimit të kësaj shkolle u organizua një aktivitetit në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ku në fjalën e tij rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.Dr. Mynyr Koni, tha se kjo shkollë po hyn në ritmin e saj normal, që tregon sipas tij jo vetëm vërtetësinë e kërkimeve shkencore, por ofron një mundësi të mirë të përgatitjes së specialistëve në gjuhën e rrallë të osmanishtes.

Koni tha se mësimi i osmanishtes është një domosdoshmëri për studimin e dokumenteve të ndryshme që ndodhen në Shqipëri apo në institucionet e Turqisë.

“Le të shërbejë kjo shkollë verore periodike, gradualisht me përpjekjet që ne do të bëjmë me strukturat e fakultetit që të ngremë dhe një qendër të rëndësishme kërkimore shkencore pranë këtij fakulteti, që si objekt substancial të ketë studimet e përbashkëta turko-shqiptare”, tha ai.

Sipas Konit, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë shekullore dhe kjo e bën të domosdoshme ngritjen dhe thellimin e këtyre studimeve.

– “E kaluara duhet të mësohet me burime më të sakta dhe transparente”

Ndërsa Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë në fushën politike janë në nivel shumë të mirë dhe këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në ceremoninë e betimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Edhe marrëdhëniet ekonomike janë në nivel shumë të mirë. Në Shqipëri aktualisht veprojnë mbi 400 kompani turke. Turqia është vendi i dytë më i madh eksportues drejt Shqipërisë. Në këtë kuadër kaq të gjerë ka një mangësi në komunikimin intelektual të njerëzve të dy vendeve për ta kuptuar më mirë njëri-tjetrin. Turqit dhe shqiptarët si dy popuj vëllezër bashkëjetuan mbi 500 vjet dhe ka një akumulim të rëndësishëm që buron nga këto 500 vjet bashkëjetesë”, tha Yörük.

Sipas ambasadorit Yörük, brezat e rinj qoftë në Turqi, qoftë në Shqipëri, duhet ta mësojnë të kaluarën e tyre me burime më të sakta dhe transparente.

“Ju duke marrë pjesë në këtë shkollës verore do të mundësoni që të dalin në dritë të diellit disa ngjarje, disa dokumente të cilat aktualisht ndodhen në hije. Shoqëritë që nuk njohin mirë të kaluarën e tyre, nuk mund të planifikojnë në mënyrë të sigurtë dhe të qartë të ardhmen e tyre. Ne marrëdhëniet tona nuk duhet t’i vendosim, duke u mbështetur në dokumente, fakte dhe ngjarje që na i imponojnë të huajt, por ne duhet t’i përcaktojmë duke i lexuar dokumentet tona të përbashkëta dhe duke i marrë vetë vendimet tona. Ju do të kontribuoni për këtë”, deklaroi ambasadori turk.

Duke folur për bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës, Yörük tha se brenda një kohe të shkurtër në këtë fakultet do të fillojë veprimtarinë qendra e studimeve të përbashkëta turko-shqiptare. Gjithashtu ambasadori Yörük tha se “dëshirojmë të ngremë edhe departamentin e tokologjisë”.

Drejtori i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se duke studiuar më shumë edhe marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më shumë.

“Këtë vit shkolla verore po organizohet për herë të tretë dhe unë jam shumë i kënaqur që numri i studentëve pjesëmarrës ka ardhur në rritje nga viti në vit. Kam bindjen se duke studiuar më shumë edhe marrëdhëniet tona do të forcohen edhe më shumë dhe ndaj i kushtoj një rëndësi të veçantë veprimtarive të tilla”, tha Demirbaş.

Shkolla Verore e Osmanishtes organizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe Institutit “Yunus Emre” Tiranë, ndërsa pjesë e saj do të jenë 60 pjesëmarrës të ndarë në dy grupe, në nivelin fillestar dhe nivelin e avancuar, që do ta frekuentojnë deri më 20 korrik.

Pjesë e leksioneve, seminareve dhe aktiviteteve në kuadër të kësaj shkolle do të jenë studiues dhe profesorë nga Shqipëria dhe Turqia. Përveç përvetësimit të osmanishtes studentët pjesëmarrës do të marrin njohuri për marrëdhëniet historike, gjuhësore, trashëgiminë kulturore osmane në Shqipëri, etj.

Njëkohësisht kjo shkollë verore organizohet edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës e cila ka filluar më 2 korrik dhe përfundon më 20 korrik./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne