Shqipëri – Përkujtohet 20-vjetori i Epopesë së UÇK-së dhe i emblemës Adem Jashari

Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të Luftës – Dega në Tiranë, organizuan një akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Në këtë akademi morën pjesë personalitete të larta nga Kosova dhe Shqipëria. I pranishëm ishte edhe baca Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari.

Në fjalën e tij, shefi i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, theksoi se “kur shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë ekzagjerim, mund të themi se UÇK-ja paraqet formacionin politik dhe ushtarak më të organizuar dhe më të konsoliduar të shqiptarëve të Kosovës që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.

“Pikërisht kjo luftë e madhe e UCK-së, kjo sakrificë e madhe e familjes Jashari, e cila mbetet rast unik i flijimit, bëri që në marsin e radhës, më 1999-n, vendet demokratike të NATO-s të ndërhyjnë ushtarakisht në luftën e Kosovës. Ky intervenim pa dyshim paraqet momentin e ri në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare vetëm 10 vite pas përfundimit të Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim. UÇK-ja është historia jonë, është lufta jonë, është sakrifica jonë, është kujtesa jonë, është krenaria jonë, është referenca jonë, është frymëzimi ynë dhe, mbi të gjitha, është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë të brendshëm dhe ndërkombëtar”, tha Ukshini.

Sokol Poga, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Dega Tiranë, ka folur për jetën dhe veprën e komandantit Adem Jasharit, ushtrimet e tij të para në Shqipëri në vitin 1991, përkushtimin e tij për përvetësimin e tij ushtarak, më pas për ardhjen e tij në mars të vitit 1993 së bashku me bashkëluftëtarin Jakup Nura. Sipas Pogës, Adem Jashari tregoi synimet e tij si komandant për të gjetur rrugë dhe mundësi për furnizimin me mjete ushtarake e transportin e tyre për në Kosovë dhe në Prekaz duke u ndalur edhe te mbështetja e shtetit shqiptar për luftën e Kosovës. Poga ka folur gjithashtu për proceset aktuale politike duke potencuar nevojën e bërjes më shumë në dy shtetet tona, në Kosovë dhe në Shqipëri.

“Emri, vepra dhe lufta e madhe Adem e Hamzë Jashari dhe e gjithë familjes Jashari do të mbetet pikë referimi për historinë tonë, si moment i zgjimit dhe i vënies së themeleve të forta të shtetësisë sonë. Sakrifica e tyre ndryshoi dinamikën e zhvillimeve politike dhe ushtarake në Kosovë. Ndryshoi edhe qëndrimin ndërkombëtar për Kosovën. Sakrifica e tyre ndryshoi historinë e Kosovës, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe përreth Kosovës. Kjo trashëgimi historike është një vlerë e veçantë, është vlerë fisnike edhe për historinë më të re të Kosovës; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë evropian, është themeli i shtetësisë së Kosovës dhe është frymëzimi ynë”, tha Poga.

Në qëndresën heroike të 5, 6 dhe 7 marsit 1998, komandanti legjendar, Adem Jashari, bëri qëndresën e pashembullt në historinë e njerëzimit. Plot 56 varre u hapën në Prekazin Legjendar për t’u bërë përjetësisht udhërrëfyes të historisë dhe të së ardhmes së Kosovës së shtrenjtë. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne