Shqipëri, protestë kundër vizitës së Vuçiçit dhe Dodikut

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë kanë protestuar gjatë ditës së sotme në Tiranë kundër vizitës në Shqipëri të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryesuesit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Milorad Dodik, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta është organizuar nga Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa është përfshirë edhe nga tensionet. Sipas organizatorëve protesta është mbajtur pasi “president i shtetit serb me këmbëngulje refuzon të pranojë se ndaj shqiptarëve në Kosovë u kryen krime”.

Mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri fillimisht janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar më tej tubimin e tyre në drejtim të Sheshit “Nënë Tereza”, por që nuk u lejuan nga forcat e policisë, pasi sipas policisë protesta është e paligjshme

Me flamuj kombëtar dhe me pankartat “Vuçiç dhe Dodik non grata” dhe “Nuk janë të mirëpritur”, protestuesit kundërshtuan ardhjen në Shqipëri të presidentit serb, Vuçiç dhe Dodikut, të cilët do të marrin pjesë në samitin e Procesit të Brdo-Brijunit.

Gjatë protestës ka pasur edhe disa incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku aktivistët tentuan të çajnë kordonin e policisë. Gjatë përplasjeve forcat e policisë kanë shoqëruar në komisariate disa protestues.

Ndërkohë forca të shumta policore u angazhuan me qellim shmangien e incidenteve përgjatë protestës.

Më 9 maj do të mbahet në Tiranë samiti i radhës i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, organizuar nën kujdesin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të rajonit, i cili synon të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE)./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne