Shqipëri – Rexhep Qosja nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

Akademiku Rexhep Qosja është nderuar të shtunën me titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe, me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e studimeve gjuhësore, krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore shqiptare në përgjithësi dhe kontributin e tij në themelimin e shtetit të Kosovës.”

Në një ceremoni të organizuar në Bashkinë e Malësisë së Madhe, Rexhep Qosja nuk i fshehu emocionet për këtë titull që i preku mendjen dhe ndjenjat.

“Na flisnin baballarët për Shkodrën, sepse aty, në Shkodër, kishin mbërritur si refugjatë pas pushtimit të Luginës së Plavës e Gucisë prej Malit të Zi, në pranverë të vitit 1913”, është shprehur Qosja.

Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, vlerësoi këtë titull për akademikun Qosja si tregues se “historia nderon pakicën e veçantë që shumica nuk mund ta harrojë”.

Duke iu referuar veprës së profesor Qosjes, Bushati tha se është në kërkim të së vërtetës edhe në kohëra kur e vërteta ishte ilegale, ai është shembulli perfekt i thënies se “pena është më e fortë se shpata”.

Sipas Bushatit, mendimet e tij të mprehta dhe autokritika e pashoqe ka bërë që klasa politike shqiptare në të dyja anët e kufirit të gjejë te kritika e profesor Qosjes një lloj “guri prove” mbi drejtësinë e kursit të mendimit dhe veprimit shqiptar.

“Bir i kësaj toke legjendare, Kelmendit, që do të thotë toka e të urtëve, e të thjeshtëve dhe e të mirëve, ai merr sot një nderim, që, ndonëse nuk e ka shkëlqimin e çmimeve të akademive të nalta, përbën mirënjohjen që toka që e lindi, i blaton birit të saj”, përfundoi Bushati./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne