Shqipëri: Të gjithë kërkojnë marrëveshje të drejtë me Greqinë

Marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar duhet të mos dështojë dhe duhet të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, pasi do të jetë në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe rajonit.

Ky ishte qëndrimi i përbashkët mes Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe përfaqësuesve të Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët zhvilluan të premten, pasdite një takim informues në Presidencë, mbi procesin e negociatave me Greqinë.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet.

Presidenti vlerësoi po ashtu frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme.

Pas takimit, kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli deklaroi për mediat se, synohet që marrëveshja të finalizohet në të mirë të dy vendeve, në të mirë të fqinjësisë së mirë, por së pari në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po ashtu, Kodheli theksoi se u ra dakord që ky proces të jetë sa më transparent me publikun, por në përfundim të jetë sa më i drejtë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“…Ndamë të njëjtin opinion me presidentin lidhur me nevojën dhe domsdoshmërinë absolute që kjo marrëveshje të mos dështojë…Grupit negociator mund ti atashohen edhe profesorë të të drejtës ndërkombëtare, apo profesor të fushës ligjore, mund të mos jenë pjesë e grupit negociator, por këshilltar të mirë… Moment historik që ndodhet Shqipëria sot e bën këtë marrëveshje mbase më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me me qeverinë greke”, tha Mimi Kodheli, kryetare e komisionit të Jashtëm.

Ndërsa, Edi Paloka, përfaqësues i Partisë Demokratikë të Shqipërisë deklaroi: “… Ramë të gjithë dakord që qëndrimi i presidentit është qëndrimi korrekt. Shqetësimi ynë si opozitë ishte mungesa e transparencës…Pati dhe kërkesa për një verifikim shumë më të mirë të grupit negociator…”.

Ish-ministrja e Integrimit, deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha tha se:“Të zbatojmë me përpikmëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do ta bëjë të gjithë marrëveshjen me palën greke të pakontestueshme...”.

Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë informacione tjera të hollësishme që nisin me saktësimin e titullit, paraqitjen e një analize të brendshme tekniko-ligjore dhe plotësimin kuadrit legjislativ nëse ka mangësi. Po ashtu kërkohet që grupi të mos ulet në negociata pa hartat e duhura dhe dokumentacionin mbështetës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne