Shqipëria del e para në Europë për dëmshpërblimet në Strasburg

Shqipëria është shteti ndaj të cilit Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka dhënë vlerën më të lartë të vendimeve në formë dëmshpërblimi gjatë vitit të kaluar.

Sipas raportit vjetor të vetë Gjykatës së Strasburgut dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, rezulton se, vendimet kundër shtetit shqiptar gjatë 2018-ës nga gjykata kanë qenë në masën 13.4 milionë, si asnjë shtet tjetër i kontinentit të vjetër përgjatë 1 viti.

Pas Shqipërisë ndjek Rusia, me 13.1 milionë dhe Italia me 9.7 milionë.

Në total vlera e vendimeve kundër vendeve anëtare të gjykatës, pra që kanë ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, fiksohet në 68 milionë euro përgjatë 2018-ës.

Shqipëria përfaqëson 1/5 e totalit.

E ndërkohë që në 2018 shifra fiksohet në 13.4 milionë euro, në 2017 ishte vetëm 123 mijë euro.

Në raport vihet re gjithashtu se shteti shqiptar është ndër më problematikët në Europë sa i përket respektimit të afateve të pagesave.

Në rastin e Shqipërisë thuajse të gjitha çështjet i referohen atyre që kanë të bëjnë me pronën, pra kompensime, shpronësime, apo shtetëzime.

Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, thuhet se është bërë progres në këtë drejtim që prej vitit 2015, me ndërtimin e një mekanizmi që i mbulon nga buxheti i shtetit pretendimet për kompensim.

Në total, këto pretendime kapin shifrën e 1.2 miliardë eurove, ose rreth 9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne