Shqipëria dhe kriza ujit të pijshëm

Nga Shpëtim Zinxhiria

Çudia shqiptare është se edhe sa dekada të tjera i duhen këtij vendi për të siguruar popullit ujin e pijshëm? Nga niveli i prodhimit të ujit të pijshëm vendi ka një standard, që është 4 herë më i lartë se ai europian, ndërsa sot ujë në Shqipëri nuk ka. Askush nga ata që na kanë qeverisur dhe që po na qeverisin nuk kanë kurajën dhe dinjitet të na përgjigjen përse ende në vendin tonë ndihet mungesa e theksuar e këtij elementi jetik…Asnjë qeveri nuk po merret seriozisht për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi që ka të bëjë direkt me jetën, të heq dorë nga fasadat e tej tepruara në infrastrukture, duke i dhënë prioritet se zgjidhja e problemit të ujit. Tranzicioni i tejzgjatur shkatërroj çdo institucion studimor dhe projektues dhe askush nuk po mendon për ngritjen e tyre, në një kohë kur vendi ynë për nga burimet ujore përbën një rast të veçantë. Studimet e huaja e rendisin Shqipërinë në vendin e dytë për nga burimet dhe rezervat e ujit, por fatkeqësisht ky vend vuan për ujë. Korrupsioni shumë vjeçar në Shqipëri jo pa qëllim la në harresë zgjidhjen e këtij problemi, duke mos anashkaluar se në ato vende ku burimet e ujit janë të dukshëm aty ndihet edhe mungesa e tij. Biznese të ndryshme kanë mbirë si kërpudha.

Lidhur me këtë problem, mbështetur në studimet e fundit del se në vendin tone rrjedhin 1300 metër kub ujë në sekondë, dhe për të përmbushur nevojat e gjithë vendit nevojiten vetëm 1% të kësaj rezerve, në një kohë që deri më sot funksionojnë rreth 600 sisteme furnizimi me ujë të pijshëm… Nga ana tjetër menaxhimi i ujit nga organet përkatëse lë për të dëshiruar, kur nga përllogaritjet e bëra mësohet se rreth 65% e sasisë së ujit të pijshëm humbet gjatë rrugës, duke ndikuar që furnizimi të ketë luhatje gjatë 24 orëve. Rastet ekstreme regjistrohen në Vlorë ku sot këtij komuniteti u sigurohet vetëm 200 litra në sekondë, nga 700 që prodhohet.

Përmenda këtë qytet pasi në vitet 1980 në burimin e “Ujit të Ftohtë” ku uji derdhej thjesht në det, vinte një vapor nga Egjipti dhe paguante 1 dollar për metër kub ujë, dhe gjatë kthimit për në vendin e tij e përpunonte për Coca-Cola. Pra bëhet fjalë për rëndësinë dhe cilësinë e ujit, në një kohë kur ky qytet turistik vuan si çdo qytetet ujin e pijshëm. Për çudinë shqiptare në këtë vend investohet për palma, fasada ministrish etj, dhe nuk ka një strategji për zgjidhjen e ujit të pijshëm, në një kohë që specialistët flasim me të madhe se nga 68% e humbjeve në furnizim, 40% janë humbje teknike, pra vijnë nga armotizimet, mos kryerja e investimeve të domosdoshme në kohën e duhur, problem që vazhdon edhe sot. Por pyetja shtrohet përse qeveria nuk investon në këtë sektor dhe cila është strategjia e saj lidhur me zgjidhjen e këtij problemi? Mos vallë uji po bëhet më i rëndësishëm se karburanti? Shqipëria as që mund të krahasohet me vendet e Afrikës apo të Lindjes së Mesme, por megjithatë këto vende me një ndryshim të madh klimaterik nga ai i vendit tone e nxjerrin ujin nga thellësitë e tokës, ndërsa ne vendin tone burimet janë të pashtershme… Qeveria e sotme duhet që një nga objektivat e saj për ketë mandat është gjetja e alternativave për zgjidhjen e këtij problemi. Të investohet në këtë drejtim nuk përbën krim, pasi mbjellja e palmave apo rregullimi i fasadave te ministrive mund të presin para këtij problemi jetim. Shqipëria duhet të mësojë nga vendet e tjera të cilat kanë pasur prioritet sigurimin e ujit për popujt e tyre dhe me pas mbjelljen e palmave, etj. Jordania si një nga vendet me thatësirë po siguron ujin e pijshëm nga një liqen që ndodhet qindra metra nëntokë, ndërsa Spanja e siguron ujin e pijshëm nga ngritja e një sistemi të madh furnizimi nga veriu në jug të vendit, pasi jugu ndjen mungesa të ujit… Uji bëhet edhe më i vlefshëm kur menaxhon mirë atë, kur e ruan nga shpërdoruesit dhe nga ndotja, por vendi ynë ende nuk ka një strategji për riciklimin e ujit të ndotur. Bizneset ne Shqipëri, si sektori i bujqësisë dhe ndërtimit punojnë me ujin e pijshëm, duke mos llogaritur këtu edhe dhjetëra lavazhe. E gjithë kjo bëhet në një kohë kur mungesa me ujë, mbetet një sfidat më të rrezikshme me të cilat po përballet vendi ynë, por që mbetet një problem serioz dhe kërkesat nga dita në ditë sa vijnë dhe po rriten. Njeriut i duhet te konsumojë mbi 2 litra ujë në ditë. Uji siguron energjinë esenciale të trurit, kujdeset për sinjalet nervore, siguron materie ushqyese dhe mënjanon toksikët. Konsumimi i sasive të duhura të ujit në nivel ditor e furnizon trurin me energjinë e nevojshme, që ai të funksionojë në mënyrë optimale. Disa burimet të ujit të pijshëm mund të përmendim: Uji i zonës Selites, Uji i ftohte në zonat malore Tepelenë, burimi i ujit në malet e Qafshtamës, disa përrenj në Shën Gjergj (Dajt) etj. Por me gjithë këto në çezmat tona uji nuk është i pijshëm, pasi ka mungesa në investime e ne kanalizime duke bërë që uji të ndotet

Shqipëria është vend malor me rreth 450 km vijë bregdetare dhe me rezerva të shumta ujore, shumë lumenj, burime dhe liqene natyrore. Me qëllim mbrojtjen e burimeve ujore veprojnë këto ligje: Ligji nr.9115, datë 24.7.2003, “Për trajtimin e ujërave të ndotur”. Udhëzim nr.3, date 28.7.2004, “Për administrimin e ujit të pijshëm”; Ligji nr.8102, date 28.3.1996, “Për ngritjen e Entit Rregullator te Ujit, që kontrollon shpërndarjen e ujit të pijshëm”. 70% e qyteteve kryesore të vendit furnizohen me ujë nga puset nëntokësore. Uji natyror gjatë rrjedhjes në nëntokën malore pasurohet me një sërë mineralesh dhe elementesh. Natyra na ka dhuruar rreth 245 liqene natyrore si dhe mbi 150 lumenj që rrjedhin nga juglindja drejt veriperëndimit. Por çudia shqiptare është se burime uji kemi dhe ujë në çezmat tona në shtëpi nuk kemi. Premtimi për 24 orë uji ka qenë nga çdo kryebashkiak, apo kryeministër por askush nuk e ka mbajtur deri tani… Dhe së fundi, mungesa e ujit çojnë në situata ku kompanitë, fermat dhe banorët janë të varur nga sasia e kufizuar e ujit dhe të prekshëm edhe nga luhatjet më të vogla në furnizim. Situata të tilla mund të ndikojnë në rritjen ekonomike. Ky duhet të shërbejë si apel për qeverinë shqiptare, e cila duhet të hartojë plane konkrete të karakterit kombëtar./ shekulli

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne