Shqipëria e Gjermania me njësi të përbashkëta kundër krimit të organizuar

Njësi të përbashkëta investigative do të krijohen mes Prokurorisë shqiptare dhe shtetit gjerman, në kuadër të forcimit të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Kjo u konfirmua gjatë një takimi sot në Tiranë, të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, me zëvendëspresidentin e Zyrës Federale Kriminale Gjermane (BKA), Peter Henzler dhe delegacionin që e shoqëronte.

Zyrtarët gjermanë u angazhuan për bashkëpunim në të gjitha rastet konkrete të ndodhura në Gjermani, kurse prokuroria që të plotësohet dokumentacioni dhe kërkesat e duhura ligjore.

Projekti ORKA i policisë gjermane do të ketë orientim kombëtar dhe ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar shqiptar, me fokus narkotikët dhe hetimet pasurore, konfiskimin e aseteve kriminale.

Nevoja për t’u marrë intensivisht me këtë projekt lindi nga rritja e numrit të veprave penale në fushën e narkotikëve, ku të dyshuar janë shtetas shqiptarë.

“Grupet kriminale shqiptare janë të konsoliduara mirë në Republikën Federale të Gjermanisë dhe ndërkohë po luajnë krahas trafikimit të kanabisit një rol dominues edhe në trafikun e heroinës dhe kokainës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.

Në delegacionin gjerman bënin pjesë Drejtoresha e Departamentit për Krimet e Rënda dhe Krimin e Organizuar në BKA, Dr. Sabine Vogt, Drejtori i Lartë i Krimeve, Ralf Keppler, nga Zyra Kriminale e Landit në Shtutgart (Drejtor i projektit operativ ORKA), Drejtori i Krimeve në BKA, Sven Radke, Drejtor i Sektorit për Mbështetjen Policore Ndërkombëtare (mbështetje me teknikë, trajnime, konsulencë) dhe Komisari i Lartë i Krimeve, David Schenke nga Protokolli i Kabinetit të Presidentit të BKA-së.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne