Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zhvillon takime me drejtues të insitucioneve zyrtare.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku ka pritur në një takim kortezie ambasadorin e Republikës së Turqisë, në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük.
Takimi u fokusua në marrëdhëniet në fushën e Mbrojtjes mes dy vendeve dhe Forcave të Armatosura.
Gjeneral brigade Kollçaku, vlerësoi nivelin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare në rrugën e tyre të transformimit e modernizimit.
Gjatë takimit të dy bashkëbiseduesit shprehën besimin dhe dëshirën e vijimit dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak midis dy shteteve edhe në të ardhmen.
Nga ana tjetër, në kuadër të takimeve ambasadori turk, M.Ahmet Yörük i bëri një vizitë kortezie Armand Dukës, President i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Bashkëpunimi i mëtejshëm për futbollin ishte në qendër të bisedës mes Ambasadorit dhe Presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku. Kreu i FSHF-së i përcolli ambasadorit të Turqisë falënderimet për predispozicionin në mbështetje dhe zhvillimin e futbollit në Shqipëri: “FSHF ka patur gjithmonë dhe ka marëdhënie të shkëlqyera me homologen e saj, dhe me drejtuesit aktualë të Federatës Turke të Futbollit.
Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, shprehu angazhimin e tij maksimal dhe ishte shumë i hapur për çdo propozim për ta elaboruar më pas.
“Një memorandum bashkëpunimi mes dy federatave, por edhe bashkëpunim në drejtimin e ekipeve kombëtare dhe të klubeve do të jetë në fokusin e prioriteteve të mia. Unë jam në dijeni të zhvillimeve dhe progresit të futbollit në Shqipëri. Dhe bashkarisht besoj që do të hapim shumë fusha për një bashkëpunim konkret”,- theksoi ambasadori Yörük.
Në fund, Duka i dhuroi ambasadorit turk një fanellë e ekipit kombëtar shqiptar e personalizuar për Yörük, i cili shprehu dëshirën për prezencën e tij në ndeshjen miqësore të 26 marsit në “Elbasan Arena” me Norvegjinë.
Po ashtu ambasadori M.Ahmet Yörük i bëri vizita kortezie kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Prukororës së Përgjithshme, Arta Marku, Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, Prefektes së Tiranës, Suzana Jahollari si dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizonit Shqiptar, Thoma Gellçi.