Shqipëria, në mesin e vendeve europiane me numrin më të lartë të banesave në pronësi

Për shkak të konservatorizmit apo dhe rrethanave të tjera specifike të kohëve të sotshme, Shqipëria është në mesin e vendeve europiane me numrin më të ulët të familjeve që nuk kanë banesë në pronësi.

Baza e të dhënave të BE-së në lidhje me strehimin tregon se vendet ish-komuniste ku përfshihet edhe Shqipëria, trashëguan banesa në pronësi për shkak të çmimeve të ulëta me të cilat i privatizuan ato gjatë rënies së sistemit.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, vetëm 5.5% e familjeve jetojnë me qira, referuar të dhënave nga anketa e familjes së vitit 2015 dhe pjesa tjetër e kanë në pronësi.

Në Bullgari, gjithashtu një pjesë e madhe familjeve kanë shtëpi në pronësi. Të dhënat e Eurostat tregojnë se atje  81.5% e banesave janë në pronësi nga familjet, por së fundmi ka një rritje të lënies së tyre peng. Në Hungari, rreth 73% e banesave janë në pronësi të familjeve.

Studimi i BE-së tregon se në përgjithësi, në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, përqindja e pronarëve pa hipotekë është shumë e lartë.

Në të kundërt në vendet nordike, ka një normë shumë të ulët të pronësisë ndaj shtëpive. Në Norvegji vetëm 21.9% e familjeve kanë në pronësi shtëpi, në Danimarkë vetëm 15% e tyre, në Holandë  vetëm 9.8% dhe në Suedi vetëm 9.2%.

Danimarka, Holanda dhe Suedia, në të njëjtën kohë futen në vendet që kanë edhe numrin më të madh të banesave me qira, me përqindjet më të larta të të gjitha vendeve të analizuara.

Në Itali, situata është ndryshe. Një vend ku, tradicionalisht, familjet kanë luajtur një rol të rëndësishëm duke lënë trashëgimi shtëpi tek fëmijët. Në Itali, 57% e familjeve janë pronare të shtëpive, kjo përqindje arrin në 71% duke marrë në konsideratë shtëpitë e lëna peng në banka. /monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne