Shqiptarët e Preshevës bojkotojnë presidencialet në Serbi

Zgjedhjet presidenciale në Serbi do të bojkotohen nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, pasi kryetarja e Preshevës Ardita Sinani thotë që premtimet kanë ngelur vetëm në letër, dhe se nuk është bërë asnjë investim.

“Nuk kemi ndonjë arsye për të përkrahur kandidatët që garojnë në zgjedhjet presidenciale, sepse nuk kemi ndonjë ofertë të paraqitur nga ata. Madje në trevat tona nuk është bërë aspak fushatë. Këtu nënkuptojmë se nuk jemi të barabartë dhe nuk trajtohemi si qytetarë të Republikës së Serbisë, pavarësisht problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi ne shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Ardita Sinani.

Belgzim Kamberi, drejtues i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, thotë se shqiptarët në Serbi janë pjesë e proceseve rajonale dhe të drejtat e tyre mund të realizohen.

“Mendoj se dy çështje kryesore paraprake, që duhet t’i ketë çdo kandidat për president të Serbisë, janë pasja e një ideje dhe platforme konkrete për Luginën e Preshevës dhe njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha Belgzim Kamberi.

Driton Salihu, kryeredaktor i agjencisë “Presheva”, thotë se presin më shumë ndikim nga Tirana për të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë.

“Mendoj se takimet Rama-Vuçiç kanë pasur një qasje pozitive rreth problemeve të Luginës, edhe pse opinioni i gjerë këtu është sadopak i ezauruar për t’i cilësuar këto takime si pozitive. Kjo pasi në 20 vitet e fundit ne kemi pasur vetëm takime, marrëveshje, projekte e premtime”, tha Driton Salihu.//Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne