Shqiptarët mbajnë radhë të gjata për tu futur në spektakle dhe për tu thënë bashkëshorteve se i duan

Një epidemi pjesëmarrjeje në spektakle ka mbërthyer vendin. I madh e i vogël kanë zënë radhë që të bëhen pjesë e spektakleve të ndryshme televizive dhe për t’i thënë njëri-tjetrit se e duan.

Lajmin e bëri të ditur Instituti i S’studimeve Sociale (ISS). Sipas specialistëve të këtij instituti, spektakle të tilla si “Ka një mesazh për ty”, “Dua të të bëj të lumtur”, “Rudina” si dhe emisone të tjera të mbasditeve janë përballur me radhë të gjata të shqiptarëve që duan të bëhen pjesë në to.

Pjesëmarrja nuk është e madhe vetëm në numër por edhe në larmi. Kështu psh ka burra që duan tu shprehin dashurinë grave të tyre edhe pas tetë viteve martesë, fëmijë që duan tu shprehin respektin prindërve të tyre, nxënës që duan të falenderojnë mësuesit e tyre, komshinjtë që duan të falenderojnë komshinjtë etj.

Sipas ISS, nuk kanë munguar as rastet pikante. Kështu psh një vajzë nuk i është përgjigjur akoma propozimit që mori nga i dashuri i saj për martesë një javë më parë. Kjo sepse po pret radhën që të futet në ndonjë spektakël dhe t’ia thotë aty përgjigjen pozitive. Një banor i Kodrës së Kuqe, nuk i ka thënë prej 10 ditësh “faleminderit” shitësit të fruta-perimeve ku bën pazar përditë. I ka mbledhur dhe do t’i thotë plot dhjetë herë faleminderit para kamerave. Spikat gjithashtu rasti i një kamerieri që dëshiron të falenderojë përpara kamerave klientin qe i dha bakshish 200 lekë të reja, muajin e kaluar.

Megjithë evidentimin e kësaj epidemie, Instituti i S’studimeve Sociale nuk dha asnjë të dhënë nëse pritet te rritet numri i spektakleve televizive të kësaj natyre ose ato që janë thjesht do të shtojnë seritë.

“Këtë të dhënë do ta bëjmë të ditur vetëm në një emision televiziv” u shpreh shkurt drejtori i këtij institucioni.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne