Shqiptarët ndërmjet dy kishave

Me ardhjen e osmanëve në këtë pjesë të Evropës, veçanërisht në trojet etnike shqiptare, përfunduan proceset dhe synimet asimiluese që vinin nga faktorët antishqiptarë – nga sllavët dhe grekët. Historia ka dëshmuar se dominimi administrativ i Perandorisë Osmane në këto troje evropiane për shqiptarët pati një rol mjaft pozitiv

Shkruan: Behxhet JASHARI, Shkup

Fërkimet e kamotshme historike, teologjike e politike brenda Perandorisë Romake rezultuan me ndarjen e kësaj perandorie në dy pjesë në vitin 395. Në të vërtetë, ndarja e Perandorisë Romake u bë në Lindore – ku u përqendrua zhvillimi i kulturës krishtere e proveniencës helene, dhe në atë Perëndimore – ku u përqendrua zhvillimi i kulturës së krishtere e proveniencës latino-romane. Megjithatë, epilogu i fërkimeve brendakishtare dhe perandorake nuk përfundoi me kaq. Kontradiktat dhe armiqësia brendakishtare u ashpërsua me intensitet më të madh veçanërisht në shekullin V, kurse ndarja defi­ni­tive u bë në gjysmën e dytë të shekullit XI, gjegjësisht në vitin 1054, kur ndarja e Kishës u bë në dy rite: në ortodokse dhe në latino-katolike. Kjo skizmë kristiane, që ndodhi gjatë sundimit të mbretit Teodosije, në historinë e teologjisë kristiane është e njohur si “Skizma e madhe”. Këtu duhet theksuar edhe faktin sa ndër faktorët që ndikuan në këtë “skizmë të madhe” janë edhe konfliktet dhe grindjet ikonoklastike, të cilat ndikuan fuqishëm në marrëdhëniet ndër­mjet Perandorisë Perëndimore Romake Perëndimore dhe asaj Lindore.

Sidoqoftë, vija kufitare shtetërore e kishtare e të dy perandorive (romake dhe bizantine) kalonte nëpër viset shqiptare. Populli shqiptar, si edhe viset ku jetonin shqiptarët, gjatë këtyre shekujve të kundër­thë­ni­eve brendapërbrenda Krishterimit, ishte are­në e luftërave të kryqtarëve për supremacion fetar e politik të njërës ose të kishës tjetër. Armiqësitë e thella midis dy kishave të krishtera (lindore dhe asaj perëndimore) për supremacion administrativ në tokat shqiptare ishin në dëm të interesit të popullit shqiptar. Më dëmshkaktuese ishte rryma sllave, gjegjësisht ajo serbe, sepse shtrirja e mbretërisë serbe u zgjerua dukshëm edhe në Maqedoni. Nga vendbanimet më të mëdha shqiptare që u okupuan nga serbët ishin edhe Shkupi dhe Prizreni.

Prezenca e elementit sllav në një pjesë të madhe të trojeve etnike shqiptare shkaktoi që një numër jo i vogël i toponimeve të marrin emërtime sllave, siç është rasti me shumë vendbanime iliro-shqiptare. Tendencat asimiluese ndaj popullatës albanofone kishin prapavijë të errët politike. Nëpërmjet kishës serbe imponohej edhe kultura sllave, ndërsa kisha katolike ishte në shërbim të politikës shtetërore romake. Këta ishin edhe faktorët kryesorë që albanofonët e luhatën besimin ndaj fesë krishtere e, me këtë, edhe ndaj kishave të Perandorisë Romake dhe asaj bizantine, të cilat kishin tendenca asimiluese, sepse kisha ortodokse ishte në shërbim të politikës shtetërore bizantine, siç ishte edhe ajo katolike në shërbim të politikës shtetërore romake (perëndimore). Këto ishin kohët kur popu­lla­ta albanofone u gjet e ndarë dhe e copëtuar në sferën shtetërore dhe në atë fetaro-kishtare, si nën dominimin politik e kishtar bullgar e serb, kurse në viset bregdetare nën dominimin politik e kishtar grek e venedikas.

Në kushte të këtilla politike dhe të një copëtimi të tillë territorial, administrativo-shtetë­ror dhe kishtaro-fetar, assesi nuk kishte gjasa që të mund të realizohej integrimi i kulturës dhe i kombit shqiptar, si dhe integrimi i Shqipërisë etnike. Për t’u siguruar rrjedha e integrimit të popullit shqiptar ishte i domosdoshëm faktori shtet, për­ka­të­sisht admi­nistratë shtetërore unike për të gjitha viset me popullsi albanofone dhe faktori fe unike si faktor integrues i kulturës. Këta dy faktorë, të themi kushtimisht të jashtëm, do të paraqiten pas rënies së viseve me popullsi alba­nofone nën pushtetin perandorak Osman dhe me fillet e përqafimit të islamit nga shqiptarët.

Depërtimi osman në viset shqiptare

Depërtimet osmane në Ballkan, me këtë edhe në truallin evropian, shënuan një kthesë të rëndësishme në historinë e Evropës. Kur jemi te depërtimet osmane, këtë pohim mund ta ndërli­dhim edhe me faktin që ka të bëjë me dhunën dhe trysnitë sllave, greke ose ato bizantine, që u zhvilluan ndaj popujve josllavë, siç ishin ato ndaj shqiptarëve, boshnjakëve (bogomilëve) etj. Burimet evropiane, si edhe ato osmane, japin të dhëna kontradiktore lidhur me kohën e depërtimeve osmane në Maqedoni. Disa autorë osmanë të shekujve XV-XVII, si Idris Bitlisi, Hoxha Sadedin dhe Sollak Zade, duke i përshkruar depërtimet osmane në Ballkan, theksojnë se disa qytete, siç janë Përlepi dhe Manastiri, kanë hyrë nën sundimin osman në vitin 1382. Shkupi është çliruar në fund të vitit 1391 ose në janar të vitit 1392, pra gjatë kohës së sulltanatit të Bejazidit I. Madje, edhe mjaft kronistë osmanë, siç janë Ashik Pashazade dhe Nishanxhi Pasha, kanë shkruar për çlirimin e këtij qyteti të rëndësishëm gjeografik. Burimet historike flasin se administratori i parë osman, që u emërua në Shkup, ishte Jigit Pasha (1392-1414).

Me ardhjen e osmanëve në këtë pjesë të Evropës, veçanërisht në trojet etnike shqiptare, përfunduan proceset dhe synimet asimiluese që vinin nga faktorët antishqiptarë – nga sllavët dhe grekët. Historia ka dëshmuar se dominimi administrativ i Perandorisë Osmane në këto troje evropiane për shqiptarët pati një rol mjaft pozitiv, sepse – përmes administratës unike osmane – shqip­ta­rët shprehën edhe pakënaqësi ose rebelim kundër asimilimit të tyre identik. Nga kjo mund të thuhet se “në pafatësinë shekullore të popullit shqiptar, os­manët sollën një fat të ri historik”. Peran­doria Osmane, e cila kishte një administratë mjaft të organizuar dhe të përpiktë, i pranoi njësitë administrative të ish princi­patave në viset shqiptare. Depër­timi i osmanëve në tokat shqiptare pati për pasojë pozitive evitimin e luftës ndërkrahinore midis principatave feudale shqiptare dhe evitimin e luftës fetare midis masave shqiptare ritesh e kishash të ndryshme.

Të dhëna për popullsinë e Vilajetit të Kosovës /shek. XVII-XIX/

Një nga aktet më të rëndësishme që doli në bazë të Hatti-Humajunit të vitit 1856 ishte Ligji i Vilajeteve, që u miratua në vitin 1864. Pra, Perandoria Osmane ishte e ndarë në ejalete dhe vilajete. Në kulmin e madhështisë së saj (rreth vitit 1610) Perandoria Osmane ishte e ndarë në 32 ejalete, nga të cilat pesë i takonin Gadishullit Ballkanik. Viset shqiptare ishin të përfshira me viset e tjera të Ballkanit Qendror me qendër në ejaletin e Rumelisë, më parë në Sofje e, më pastaj, në Manastir.

Në pjesën evropiane të Perandorisë bënin pjesë disa vilajete. Ndër ato ishte edhe Vilajeti i Kosovës, ku bënte pjesë edhe kazaja e Shkupit. Meqë Shkupi ishte qendra kryesore e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane dhe kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, mendojmë se është e udhës të sjellim disa të dhëna që kanë të bëjnë me numrin e banorëve të këtij vilajeti në periudhën e fundit të shekullit XIX dhe në fillimin e shekullit XX.

Kur është fjala për Shkupin, si qytet i rëndësishëm i pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, është me rëndësi të themi se ky qytet që në shekullin XVII ishte mjaft i madh dhe atëherë i posedonte 120 xhami, prej të cilave në 45 falej namazi i xhumasë. Udhëpërshkruesi i njohur turk Evlija Çelebi, i cili në shekullin XVII qëndroi disa ditë në Shkup, thotë se në këtë qytet ekzistojnë kisha ermene, bullgare, serbe, sinagoga hebreje etj., por askund nuk përmend se ekziston ndonjë kishë maqedonase.

Vilajeti i Kosovës u formua në vitin 1877 dhe përfshinte një sipërfaqe të gjerë gjeografike prej 32.900 km katrorë. Brenda kufirit administrativ të Vilajetit të Kosovës bënin pjesë gjashtë sanxhaqe. Ato ishin: sanxhaku i Prishtinës, i Shkupit, i Prizrenit, i Jeni Pazarit, i Pejës dhe i Tashllixhes (Plevljes). Sipas shënimeve zyrtare të Perandorisë Osmane, të shpallura në gazetën zyrtare të qeverisë së atëhershme osmane “La Turquie” (maj 1878), thuhet se Vilajeti i Kosovës i kishte 1.199.154 banorë, ndërsa sipas statistikave turke të viteve 1896 dhe 1900, Vilajeti i Kosovës kishte një popullsi të përgjithshme prej 996.738 banorësh. Sipas regjistrimeve osmane të viteve 1896-1900, Sanxhaku i Shkupit kishte 324.982 banorë, ndërsa sipas regjistrimeve osmane të vitit 1900, vetëm kryeqendra e Vilajetit të Kosovës – Shkupi i kishte 4.682 shtëpi me më shumë se tridhjetë mijë banorë, pjesën më të madhe të të cilëve e përbënin shqiptarët myslimanë.

Nga këto të dhëna, si dhe nga dëshmitë e tjera historike, kuptohet qartë se numri më i madh i banorëve të Vilajetit të Kosovës ishin shqiptarë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne